Ben Andoni: Fushata e lodhshme ‘23, emigracioni, demokracia boshe

Ben Andoni: Fushata e lodhshme ‘23, emigracioni, demokracia boshe

Foto ilustruese

Imitimi bosh i Perëndimit dhe narracioni politik me figuracione kinse sa më perëndimore na e ka kthyer gjithnjë e më të largët, pritshmërinë e madhe për demokracinë. Zhgënjimi është aq i madh sepse nëse më përpara këtë sistem qeverisje e shikonim si të ishte kategoria, ku identifikonim të ardhmen, sot jemi gjithnjë e më të zbrazët. Zgjedhjet Lokale ’23 e tregojnë kalbëzimin e të gjithë shoqërisë, kur në vend të kandidatëve po flet politika. Ndërkohë, Shqipëria e vërtetë ka një hap krejt tjetër. Shtyrja e censusit ka krijuar te shqiptarët jo thjesht mungesën e një të dhënë zyrtare për zbrasjen e Shqipërisë por edhe mospërballjen reale të pasojave të demokracisë sonë. Më kot, thirrja e kryeministrit Rama ndaj biznesit pak ditë më parë synonte të vendoste një ekuilibër dhe ngjalljen e shpresave, kurse përmendja bash në javët parazgjedhore e çon gati në premtimet kallpe, që madje, Kodi Zgjedhor i kërkon të shmangen. Inflacioni megjithatë rri e vështron, ashtu si amullia e çmimeve, që nuk ndalen. Peizazhi i errët, ardhur nga ana tjetër prej opozitës, që një pjesë të energjisë e ka në pamjaftueshmërinë e saj për të ngjallur ide, e shton edhe më shumë mungesën e shpresës. Shumë apele për bashkime të saj janë tashmë të pamundura. Kurse, thirrjet për pjesëmarrje në votime prej politikës ngjajnë krejt të pamjaftueshme prej emigracionit, këtij armiku të padukshëm, që vjen si shkaktar i politikës së tandemit Rama-Berisha në të paktën 15 vitet e fundit. Nuk është e vërtetë që edhe vende të tjera në Ballkan nuk po e kalojnë tashmë këtë shqetësim, por mbase jo në këtë nivel, e jo më kot po ndihemi të gjithë se kërcënohemi dukshëm. Nga ana tjetër, politika duket sikur bën jetë paralele sepse vazhdon diskursin politik kallp, ku në vend që kandidatët duhet të përballeshin duke paraqitur programet, platformat, vizionet, ndërkohë merren me baltosje. Në zgjedhjet bashkiake mbi të gjitha jemi një publik, që ka ende shumë të mësojë sa i përket kulturës demokratike dhe respektit të votës.

Shqipëria nuk ka aplikuar gjatë 30 viteve të fundit ndonjë model të mirë ekonomik, ndërkohë që ka mjaftuar krahu i lirë i punës, remitancat, rrogat e ulëta (tejet të ulëta) dhe zhvillimi kaotik, që nuk ka mundur të sajojë ndonjë fizionomi tjetër veçse asaj të një ekonomie anemike. Pasojat tashmë dihen: emigracioni dhe vetë ky i fundit, po ndikon ngado për rënie të produktivitetit. Të dhënat e INSTAT-it e konfirmojnë shqetësimin real: Nataliteti për të cilin ishim krenar prej dekadash tashmë po merr kahe, që duhen frenuar: nga më shumë se 85 mijë lindje në vitin 1990 ka zbritur në rreth 27 mijë në vitin 2021. INSTAT referon po ashtu se: popullsia në moshë pune 15-64 vjeç u tkurr me mbi 32 mijë persona vetëm vitin e kaluar, me rënie vjetore 1.7%, më e thella në 30 vjet. Ndërkohë, lajme aspak të mira lidhen me shkallën zyrtare të papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç, e cila është e rangut 20.2%, ku shqetësimi që ngrihet është i thjeshtë: pjesa e arsimuar, nuk po arrin të integrohet në tregun kombëtar të punës, kjo pasi shumica e vendeve të lira nuk përkojnë me përgatitjen arsimore të tyre. Dhe, kulmi ishin rezultatet e Barometrit të Ballkanit 2022, të cilat tregojnë se 42% e të anketuarve në Shqipëri planifikojnë të emigrojnë (përqindja më e lartë në rajon, pas Kosovës). Ky fenomen është ndihës vetëm për vendet e fuqishme, si Gjermania që po thith një pjesë të trurit dhe deridiku dhe për vendet që eksportojnë si Shqipëria, pasi një pjesë e tyre sjellin remitanca. Ndërkohë që efektet do varen gjithashtu edhe nga mënyra se si imigrantët integrohen në shoqëritë pritëse dhe se si shoqëritë dërguese dhe pranuese do përshtaten me migrimin. Cili model i takon Shqipërisë? Ne kemi model mospasjen e modelit, shprehej dikur profesori i ekonomisë, Stringa.

“Megjithatë, ndjekja e reformave ekonomike dhe politike duke imituar një model të huaj, doli të kishte dobësi më të mëdha morale dhe psikologjike nga sa kishin pritur fillimisht. Jeta e imituesit prodhon në mënyrë të pashmangshme ndjenjat e pamjaftueshmërisë, inferioritetit, varësisë, identitetit të humbur dhe mossinqeritetit të pavullnetshëm. Në të vërtetë, lufta e kotë për të krijuar një kopje vërtet të besueshme të një modeli të idealizuar përfshin një mundim të pafund të vetëkritikës, nëse jo edhe vetëpërçmimit”, shkruajnë (Guzi et al) në studimin “Europe’s Migration Experience and its Effects on Economic Inequality” (Përvoja e migracionit të Evropës dhe efektet e saj në pabarazinë ekonomike).

Dhe, realisht demokracia jonë po vuan të gjtiha handikapet e një periudhe të vonuar maturimi, e më shumë se kaq një lloj imitimi, që nuk mbështet realisht zhvillimin ekonomik të vendit, me kushtet e saj, dhe gjërat më kryesore, që lidhen me të. Në logjikën e shifrave të INSTAT-it, në llogaritjen e rrogave për tremujorin e dytë të vitit 2022, u fol për rritje pagash deri në nivelin 6%, të cilën e mori inflacioni i ashpër në vend. Po nga Enti Shtetëror i Statistikave mëson se bizneset në Shqipëri investojnë shumë pak te kapitali njerëzor. Nga viti 2016 deri në vitin 2020, investimet në trajnimin profesional të punonjësve kishin rënë nga 20-80% sipas aktiviteteve ekonomike, ndërsa Kodi i Punës nuk respektohet në shumë aspekte të tij, do citonte në një studim të vetin “Monitor”.

Sikur të mos mjaftojë kjo, në këtë amulli parazgjedhore, dëgjon premtime, që vërtetë lidhen me përditmërinë, por që nuk i shpëtojnë në masë politikës. Po bëhet e lodhshme të dëgjosh politikanët kryesorë të dy partive tona (PS+PD2) në fushatën e re për pushtetin lokal, ku anatemimi politik nuk lë shteg për asgjë tjetër: PS-ja ia ka drejtuar të gjitha sulmet binomit Berisha dhe Meta, kurse BF-ja, drejtimit të Ramës. Në vend të flitej për realitetet e shërbimeve. Kryeministri merr të gjithë vëmendjen e duhur, kurse kandidatët mbesin në hije nga retorika dhe prezantimi i Ramës, që për hir të së vërtetës përbën diferencën më të madhe te PS-ja. Do e theksonte Manja, Ministri aktual i Drejtësisë rolin e tij dhe pamundësinë e të tjerëve për të bërë punën e tij, por që në një farë mënyre tregon sesi partitë tona janë kryetarokratike. Rasti i ish-kryeministrit ishte dhe mbetet pasqyrë e demokracisë sonë të çuditshme, ku Berisha flet për këdo dhe në vend të kujtdo. Në një imitim të fushatave zgjedhore të vendeve të huaja, me shkallë demokracie më të lartë, shumë nga kandidatët po mundohen të bëjnë atë që nuk i lënë të bëjnë: fushatën e tyre. E cila mbetet e zbehtë para interesit që mbledhin thjesht politikanët kryesorë të demokracisë sonë.

“Për dy dekada pas vitit 1989, filozofia politike e Evropës Qendrore dhe Lindore postkomuniste mund të përmblidhej në një imperativ të vetëm: Imitoni Perëndimin! Procesi u quajt me emra të ndryshëm—demokratizim, liberalizim, zgjerim, konvergjencë, integrim, evropianizim—por qëllimi i ndjekur nga reformatorët postkomunistë ishte i thjeshtë. Ata dëshironin që vendet e tyre të bëheshin “normale”, që do të thoshte si Perëndimi. Kjo përfshinte importimin e institucioneve liberal-demokratike, zbatimin e recetave politike dhe ekonomike perëndimore dhe miratimin publik të vlerave perëndimore. Imitimi u kuptua gjerësisht si rruga më e shkurtër drejt lirisë dhe prosperitetit”, citohen Krastev&Holms në artikullin e tyre “Explaining Eastern Europe: Imitation and Its Discontents”.

E gjitha po na tregon se kjo fushatë është fotokopje e të shkuarës sepse në të vërtetë është imitim dhe jo zgjedhje reale, ku duhet të shkonim të qytetari. Pasojat e të gjithë kësaj dihen mirë: ndjekja e reformave, që u përcollën nga shpura e këshilltarëve të huaj duke e imituar nuk gjen terren në mjediset tona dhe sidomos në programet ekonomike të partive politike. Vazhdimisht ne ndihemi të varfër, inferiorë dhe gjithnjë të pamjaftueshëm. Kjo e bën dhe fushatën e vitit ’23 të pashpresë se mund të ndryshojë ndonjë gjë, kurse demokracia boshe pas fjalëve patetike, i ka bërë njerëzit që s’kanë më shpresë të largohen. Numrat e pjesëmarrjes së zgjedhësve janë treguesi i qartë i gjërave dhe i llojit të demokracisë sonë, që nuk do të maturohet. Ndaj njerëzit ikin heshtazi, duke lënë menjanë kinse idealizmin e ndryshimit dhe pritshmëritë.  

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • luani: 06/05/2023 13:20

    shume dakord rexhi i lodhshem dhe i perseritur disa here nje nga faktore jane edhe keta qe demokracia ne shqiperi eshte ashtu sic thote edhe vete zoteria

    Përgjigju
  • Rexhi: 06/05/2023 10:28

    Te pakten ti si gazetar ke akses te shifra korrekte, nje tregues ky i demokracise. By the way .. dhe stili i shkrimit tend eshte i lodhshem.

    Përgjigju
    • Toni: 06/05/2023 12:43

      Ai si gazetar ka akses ne shifra korrekte po aq sa edhe ti. Megjithse ne kete shkrim nuk pashe shifra. Pashe citime dhe referenca te cilat autori i ka shenuar qe te mund ti lexosh dhe interpretosh ne menyre te pavarur ne liri te plote per te menduar me koken tende. By the way( duhen tre pika/ ndryshe retiçence)... shkrimi nuk eshte zbavites por eshte nje analize per te kuptuar cfare po ndodh por pa na dhene zgjidhje sepse duhet te fillojme te mendojme me koken tone. Per tu zbavitur kalo te artikujt per Luizin, Kiara Titon dhe Big Brother

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë