Ben Andoni: Liria te PD-ja dhe fishkëllima ndaj Markut &Kadillit

Ben Andoni: Liria te PD-ja dhe fishkëllima ndaj Markut &Kadillit

Selia blu

Ngjarja më e hidhur pas humbjes së PD-së në zgjedhjet e vitit 2021 rezultoi se nuk ishte humbja, por mënyra sesa me ngulm mbahej Basha në krye të PD-së dhe më shumë akoma fakti se PD-ja po përjetonte në një kohë tjetër politike. Mark Marku, asokohe, drejtues politik i Qarkut të Lezhës, do e shprehte hapur  se nëse do të vazhdohej kështu do të mbeteshin ende duke thënë se na vodhën sërish. Koha, por më shumë logjika i dha të drejtën: “Duke përdorur një term të Aurel Plasarit ne jemi jashtë kohës politike gjë që po na bën ne që të rrezikojmë kohën e PD-së për 4 vite të tjera. Ne rrezikojmë që edhe pas katër vitesh të mblidhemi prapë dhe të themi ‘po na vodhën prapë’, dhe na bënë masakër zgjedhore. Na vodhën për herë të parë s’kemi faj, kur na vjedhin herën e dytë ke dhe ti faj se e ke lënë bravën hapur. Të fillojmë të mendojmë seriozisht. Kuvendi u mbyll para se të fillonte! Ti mbyll Kongresin dhe voton, kurse ne dalim flasim këtu. Katër propozimet e Kuvendit janë kot. E defunksionalizon PD-në. Janë funksione që s’kanë lidhje fare me gjendjen ku ndodhet vendi. Hajde ta bëjmë të gjithë partinë Kuvend Kombëtar. E kthejmë PD-në në një gjendje permanente opozitare dhe pa perspektivë për ardhjen në pushtet”, theksoi Marku, lidhur me “ndryshimet” që po i imponoheshin PD-së për të fshehur humbjen. Ndërkohë që Marku me qetësinë e vet po mundohej që argumentimin ta shtronte për komunitetin e pranishëm të njerëzve të PD-së, ata bënin zhurmë, bënin sikur e dëgjonin, kurse shumica e përqeshnin profesorin e letërsisë, që në fakt, e kishte vendosur gishtin në plagë.

Kadilli elegant pa hidhësinë e fjalës së drejtë të Markut ishte edhe më i ashpër në sensin e drejtësisë, që kishte fluturuar në këtë parti. Por, sërish e dëgjuan dhe madje e kundruan si për ta pasur relike, apo për të thënë se në partinë tonë ekziston edhe fjala ndryshe. Asnjë interes, paçka se pas i rrihnin krahët dhe i thoshin bravo…”Ndryshimi i partisë sonë është sfidë e vështirë. Kërkon ndryshim të mendësisë tonë. Jemi ne që ia lamë partinë Lulzim Bashës, ta uzurponte për interesat e tij personale. Prej javësh është trumbetuar një histori tjetër me Lulzim Bashën, një histori me tradhëti, me kapje, me pengje. Por kjo është shpikje arsyesh për të shmangur arsyen e vërtetë të gjendje ku kemi arritur, mendësinë dhe kulturën parademokratike, politike dhe shoqërore.

Ne na mungon kultura e lirisë dhe demokracisë, prandaj dalja nga një gjendje nuk kërkon një votim të radhës. Duhet të jemi të zot të flakim tutje mendësinë e përkuljes. Nuk ka statut partie që ndalon kontrollin e partisë nga kryetari nëse nënshtrimi është në mendësinë tonë”, do fliste ai.

Dy vite më vonë, këtë herë teatri u shtri te zgjedhjet e pushtetit lokal, ku PD-ja pësoi një humbje edhe më të madhe se në vitin 1997 (!), fakt që mund të bëjë shumë prej këtyre patetikëve që e mbajnë partinë të shtrënguar të largohen dhe të hapin një proces të drejtë analize dhe ringritje.

“PD nuk ka nevojë për heronj. Ajo ka nevojë për liri dhe mundësi për të gjithë. PD duhet të heq dorë nga modeli i udhëheqësit të fortë, udhëheqësi që vendos për gjithçka dhe për gjithkënd. Nëse jemi këtu për të zëvendësuar Bashën me Berishën, kemi mashtruar vetën dhe gjithë botën”, e mbyllte fjalën Kadilli, ndërsa të tjerë prisnin t’i zinin vendin këtij të bezdisuri dhe t’i blatonin besnikëri liderit suprem. “…Se opozitë ka dhe në vende jodemokratike si Rusia, edhe në Bjellorusi, edhe në Turqi dhe Venezuelë, por forcat që mbajnë gjallë regjimin janë në pushtet dhe opozita po aq në opozitë“, u tha në fund kolegëve Marku duke ua paralajmëruar edhe vitin 2023. Por, zakonisht zëra të tillë bien në veshë të shurdhër te kjo parti, kurse fishkëllima dhe indiferenca ndaj Markut dhe Kadillit nuk ishte përgjigja e kaosit të PD-së.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Namir Lapardhaja: Zgjedhja e drejtuesit të SPAK nga populli, hapi i nevojshëm për pavarësinë e vërtetë të drejtësisë

Namir Lapardhaja: Zgjedhja e drejtuesit të SPAK nga populli, hapi i nevojshëm për pavarësinë e vërtetë të drejtësisë