Ben Andoni: Opozita: Jo-Ramës, Po-kërkesave të CDU/CSU!

Ben Andoni: Opozita: Jo-Ramës, Po-kërkesave të CDU/CSU!

Edi Rama, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi

Pavarësisht ditëve të ngarkuara me tension, paralajmërimeve në hije për veprime subversive kundër parlamentit, përçartjeve me dhe pa presidentin, duket se të huajt i thanë më shkoqur ato që opozita jonë i artikuloi rrëmujshëm prej gati 7 muajsh pa ndalim.

Lulzim Basha dhe njëherë e provoi se ka një barrë, që realisht nuk e mban dot, paçka se ka mundësi shumë më të mëdha sesa gjashtë vjet më parë drejt poltronit të kryeministrit, në rast zgjedhje të parakohshme.

Duket se mjedisi politik që është krijuar nga qëndrimi i faktorit të huaj, thënia shkoqur e shumë të vërtetave të detyrave të hidhura për Ramën dhe për Bashën, ka hapur udhë për afrimin e Opozitës dhe mirëkuptimin e Maxhorancës.

Në fakt, opozita duhet t’i jetë mirënjohës krerëve aleatë të partive të vogla, ata që u lëkundën që në muajt e para nga qëndrimi pa asnjë logjikë strategjike e kreut të Opozitës Basha.

Ishin ata që e pranonin Ramën në tryezën e bisedimeve, ishin ata që lëkundeshin për lënien e mandateve, ishin po ata që shtruan realisht ide interesante për sistemin, që të mos mbetej monopol i dy partive të mëdha.

Në javët e fundit, LSI-ja e para dhe me radhë ato, kuptuan se Lulzim Basha ishte afër një marrëveshje tjetër me Ramën, nga ato që mund të merrte sërish shumë ministri dhe ta qetësonte pjesërisht, ndërkohë që Ata do të mbeteshin sërish me gisht në gojë.

Artikulimet e pastra logjike të Shehit, pragmatizmi i Mediut, ekuilibri i Dukës dhe më pak të tjerëve, shtuar me një kthesë “të habitshme” prej pranverës së kreut të LSI-së, tregoi se bashkëpunimi me Bashën, i mungonte diçka në thelb. Jo më kot, të gjithë këta liderë të vegjël të partive akoma më të vogla, nuk mund të mbështesnin çdo kapriço të fëmijës-kandidat-për-kryeministër, Basha. Mbi të gjitha atyre u duhej sistemi dhe sidomos e ardhmja e partive të tyre, formacioneve me të cilat kanë mbijetuar, por edhe kanë gjetur bajagi interes për përfitimin e përditshmërisë. Kjo ishte çarja e parë e Bashës, që e trandi me kalimin e kohës edhe qëndrimi i kthjellët i të huajve, i trishtuar me anarkinë e mendimit të tij, por më shumë se kaq mungesën e strategjisë logjike të veprimit të tij politik.

Epilogu tashmë është ulja në tryezën e dialogut me qeverinë të forcave politike për një raund bisedimesh për reformën zgjedhore, një akt që mund të bëhej kohë më parë, pa as edhe një paradoks që shoqëroi këto muaj.

Dhe, ironia nuk mbaron këtu. E gjitha u bë pas insistimit të OSBE-së dhe shefit të saj të shumëpërfolur Borchardt, njeriut të anatemuar nga opozita. Paçka se në tryezat e para do të ulen specialistë dhe ekspertë, duket se marrëzia shqiptare mori udhë shumë më lehtë sesa u mendua, tregues se në çfarë niveli demokratik qëndrojmë.

Ndërkohë, nëse opozitës do t’i duhet sërish një qëndrim i prerë ndaj Ramës për të mbuluar dështimin e saj, mund t’i mjaftonte të përqafonte dhe t’u përmbahej 9 kërkesave të drejtuara nga CDU/CSU, para vendimit të BUNDESTAG. Madje, kërkesat përmbajnë edhe elementë që opozita nuk i kishte fare në logjikën e saj, fakt që i bën nder nëse do të dijë t’i përqafojë, por nga ana tjetër tregon sesa kaotike dhe sesa pak fleksible është.

Veçse nuk duhet harruar se Bashës nuk i pëlqen këshilla dhe mbi të gjitha mezi i merr parasysh kërkesat e aleatëve të saj të vegjël, ata që ishin shumës më racional sesa ai në shumë momente dhe që duket se e kanalizuan me sa mundën drejt logjikës kreun e Opozitës. Kaq e thjeshtë është pra: Jo-Ramës, por Po, kërkesave të llojit CDU/CSU. JavaNews

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja