Është mirëfilli e dukshme se Partia Demokratike do ta rivotojë në korrik, kryetarin e saj aktual Lulzim Basha. Ashtu si është fare e qartë se baza e Partisë Demokratike mbetet sërish nën frymën e asaj që ka projektuar qysh në fillesa z.Berisha. Dhe, përderisa publiku ta besojë këtë realitet te PD, do vazhdohet me sulmet ndaj procesit zgjedhor dhe ankimimet, denoncimet dhe mosnjohjen e zgjedhjeve. Kjo, e fundit, me ekuivoket e zakonshme se: Ne do jemi në parlament, por nuk do i njohim rezultatet. Me pak fjalë, Partia Demokratike do të vijojë udhën e saj ose atë që e thonë njerëzit “e rinj” të saj nënzë: Basha nuk të mbush mendjen, por më të mirë se ai nuk ka! Të njëjtën, që Socialistët e shprehin për kryetarin e tyre, i cili ka mbledhur rreth vetes, pushtet të paanë.
Po pse nuk përfshihen, njerëz që i atribuojnë vetes, cilësi dhe aftësi për politikë më të mirë dhe të ardhme më të qartë të Demokratëve? Në rastin e PD-së, gjithsesi kjo po ndodh nga një grup, që janë përplasur qysh në fillim me lidërshipin Basha. Të tjerët refuzojnë dukshëm, as të flasin më për të. Tek e fundit e dinë mirë epilogun, në krye gjithnjë janë ata që janë më pak të aftët, por që janë politikisht korrekt me konjukturat. Basha është një i tillë te PD. Ose si e thotë më këndshëm Platoni:”Një nga ndëshkimet për refuzimin e pjesëmarrjes në politikë është që të përfundoni të qeveriseni nga inferiorët tuaj”.
Këtë postulat e dinë mirë shumë nga njerëzit që duan të reformojnë PD-në që nga ana tjetër po sulmohen egërsisht nga të brendshmit, ata që sot përbëjnë enturazhin e tërë të besnikëve të z. Basha. Fundi do jetë si gjithmonë drejtimi nën një grup, që nuk njeh kanone dhe në emër të demokracisë të bën moral.
![](https://shqiptarja.com/template/img/NO_ALFA_Kuadrate shqiptarja.png)
Janë të disatat zgjedhje që Partia Demokratike anatemon rezultatet, paçka se është pjesë e një sistemi, ku ajo është pjesë e rregullave të lojës dhe madje e ka edukuar publikun e saj në këtë mënyrë.
Ndërkohë që Socialistët po kërkojnë mundësitë më sipërore dhe përgjegjësitë më të paarsyeshme për të ricikluar bazën, duke marrë edhe masa, te PD-ja po merren me një proces, që do e mbaj peng mendimin për reformim në këtë parti shumë pas. Dhe, justifikimi për këtë moment të vështirë, që duket deridiku edhe i arsyeshëm është se duhet të pritet pak në këtë moment të parë pas goditjes e mbas kësaj “masakre zgjedhore” si dhe rrugën që do marrin ankimimet.
Po Basha?! Ai vazhdon sikur të mos ketë ndodhur asgjë. “Për një njeri të sundojë veten është më e para dhe më fisnikja nga të gjitha fitoret”, na vjen nga lashtësia mendimi i Platonit. Ky është momenti, që PD-ja duhet të shikojë veten, sepse nëse do t’i japësh karakterin konservator, të cilës po rreken t’i përmbahen reformatorët e vërtetë, kjo ende duket larg. Kjo është sfida për PD-në të ndryshojë me këtë brum që ka dhe të pranojë realitetin ku e ka vendosur drejtimi i Bashës dhe i kryesisë së saj. Basha vetë po e sundon veten duke përfituar paq nga PD-ja dhe kjo i mjafton.
Teksa militantët vërtetë mund ta mbajnë kryetarin dhe t’i anatemojnë reformatorët, të paktën ka ardhur koha ta shikojnë disi qartë edhe fatin e PD-së, që është e lidhur dhe me ankimimet e sotme, por edhe ato që ky grup politik nuk do t’i ndajë në të ardhmen. Dhe, nëse është kështu si po ndodh me këtë parti atëherë lind pyetja: E pse duhet të ndryshojë atëherë kjo parti, kur shumica e njerëzve të saj në këtë parlament mendojnë njësoj si Basha?!
![](https://shqiptarja.com/template/img/antipiracynote.jpg)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)