Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka mbrojtur me forcë vazhdimin e mbështetjes evropiane për Ukrainën, në një kohë kur në Francë po shtohen kritikat ndaj kësaj ndihme, përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.

Marine Le Pen, përfaqësuese e së djathtës ekstreme, ka deklaruar se në rast fitoreje do t'i japë fund të gjithë ndihmës për Kievin.

Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, Macron theksoi se mbështetja e Bashkimit Evropian për Ukrainën është thelbësore, veçanërisht në kushtet kur ekziston mundësia e tërheqjes së mbështetjes amerikane.

“Ndihma e Bashkimit Evropian është thelbësore, veçanërisht duke pasur parasysh mundësinë e një tërheqjeje të SHBA-së. Kjo është një luftë që na prek drejtpërdrejt. Ukrainasit po luftojnë për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit të tyre, por ata janë gjithashtu në vijën e parë të mbrojtjes së sigurisë evropiane”, deklaroi Macron.

Ai nënvizoi se lufta në Ukrainë përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për Evropën dhe paralajmëroi se braktisja e Kievit do të kishte pasoja serioze për sigurinë e kontinentit.

“Mjafton të shohësh hartën dhe të marrësh parasysh historinë për ta kuptuar këtë. Po, kjo luftë është ekzistenciale për sigurinë evropiane. Braktisja e Ukrainës do të rrezikonte sigurinë tonë në afat të shkurtër dhe të mesëm”, u shpreh presidenti francez.

Macron kritikoi gjithashtu aktivitetet hibride të Rusisë në vendet evropiane, duke theksuar se Bashkimi Evropian duhet të veprojë me përgjegjësi dhe pa iluzione përballë këtyre kërcënimeve.

“Nuk ka vend për naivitet. Ne po e ndihmojmë Ukrainën nga ndjenja e përgjegjësisë dhe sepse kjo është në interesin tonë”, përfundoi Macron.


Lajmi kryesor:

Trump dhe Rutte i bëjnë thirrje Rusisë të mos zgjerojë luftën në Ukrainë, presidenti amerikan: I kërkova Putinit të ndalë agresionin ushtarak në Evropë