Bën art me gjithçka… kështu
po e ngre biznesin e saj Stela

Bën art me gjithçka… kështu<br />po e ngre biznesin e saj Stela
Tek çdo gur a dru, ajo sheh anën e bukur. Fantazia e saj mund të shndërrojë edhe objektin më të rëndomtë në një vepër arti, ku sundon një shije e veçantë estetike.
 
Stela Toska është 36 vjeç, ka përfunduar dy universitete, por në qytetin ku jeton, në Shkodër, asnjëri prej tyre nuk i siguroi një punë të qëndrueshme.
 
Sidoqoftë Stela është e vetëdijshme se shkollimi ka një peshë të veçantë në formimin e një profesionisti dhe se në çdo rrethanë të ndihmon e të frymëzon për të gjetur mundësi të reja.
 
Ajo ka studiuar për Bio-Kimi dhe më pas për Ekonomi-Financë. Ka punuar një periudhë kohe si sekretare në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve në Shkodër, dhe pasi e pushuan nga ajo punë, vendosi të merret me diçka që varej tërësisht prej pasionit, dhuntive dhe këmbënguljes së saj.
 
Ajo tashmë bën art me çdo objekt që e rrethon dhe veprat e saj tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e klientëve të shumtë.   
Kështu, nga viti 2014 Stela mendoi të  çajë vetë në botën e biznesit.
 
Fillimisht hapi një fanpage me titullin "Creativity zone by Stela", ku prezantonte punimet e saj vërtet të bukura e të veçanta, por ku edhe nisi të marrë porositë e para për produktet e saj, të cilat po bëheshin vërtet fitimprurëse.
 
Para pak kohësh Stela u bë pjesë e programit televiziv “Do you have an idea?”, ku prezantoi sipërmarrjen e saj të vogël dhe ku kërkoi ndihmë për ta zgjeruar atë.
 
Tashmë ajo ka kuptuar se një marketing më i mirë, pjesëmarrja nëpër panaire, apo kontaktet e hapura e direkte me klientë të rinj janë mundësi e mirë për të forcuar sipërmarrjen e saj.
 
Kur ne vendosëm ta intervistonim, Stela ndodhej në Prishtinë në një panair, ku prezantoi një gamë të gjerë produktesh të krijuara prej saj. Pas kthimit prej andej, ajo pranoi tu përgjigjet pyetjeve tona dhe të prezantojë për lexuesit e “Drejt Punës” sekretet e saj të vogla që i kanë siguruar sukses në sipërmarrje. 
 
Stela, si ju lindi fillimisht ideja për “Creativity zone”?
Ideja që të merrem intensivisht me promovimin e punimeve të mia në faqen "Creativity zonë by Stela" dhe shitjen e tyre online erdhi mbasi u pushova nga puna në vitin 2014.
 
Në çfarë pune ishit deri atëherë?
Punoja si sekretare e drejtorit rajonal të tatimeve në Shkodër.
 
Pra, pasi u pushuat nga puna, ju menduat t’ia dilnit vetë, të vetëpunësoheshit. Çfarë produktesh ju ofron klientëve dhe në ç'treg operon?
Punimet e mia mund të them me plot gojën që janë në infinit, që do të thotë se nëse ju keni parë diçka ose keni një ide që ju pëlqen ndoshta edhe ta personalizoni, mjafton të ma sillni mua dhe unë mund t’ua realizoj këtë punim duke e bërë të mundur këtë në disa raste edhe me bashkëpunimin e një marangozi, kovaçi, tornitori, etj..
 
Sa e vështirë është për një femër artiste të çajë e vetme në botën e biznesit?

Vështirësitë kanë ardhur duke u rritur gradualisht me shtimin e punës. Këto vështirësi unë i quaj sfida për tu kapërcyer. Por ndjej kënaqësi sa herë i kaloj.
 
Çfarë vështirësish konkretisht?
Për shembull kur merrja pjesë në panair dhe kur punimet mbaronin, në shumicën e rasteve unë qëndroja gjithë natën duke punuar të tjera dhe në mëngjes dilja me punime të tjera ose me porosi të përfunduara. Unë e kam filluar këtë sipërmarrje  me zero buxhet. Në fillim merrja tjegullat e vjetra qe ndodheshin tek baçja e komshiut, i pastroja mirë e mirë me tel, i pikturoja dhe i nxirrja ne shitje. Marangozi më falte copëza druri që nuk I nevojiteshin më. Me to unë ndërtoja ose bëja punime të ndryshme.
 
Kush dhe çfarë ju ka ndihmuar në rrugën tuaj të sipërmarrjes?
Normalisht familjarët janë gjithmonë të parët që më mbështesin me aq sa munden, por nuk mund të lë pa përmendur edhe mediat që i kanë bërë jehonë punës sime. 
Vështirësitë ishin në mbledhjen e materialeve në terren: degëza, gurë, të shkoja tek tjegullat për të marrë furnizim, për të marrë trungje që pastaj i prisja dhe i pikturoja. Këto kërkonin një automjet më e pakta, që unë nuk e kisha dhe këtë ma mbulonin më së shumti prindërit dhe motra ime.
Të dalësh në panair me punimet e mia shumë të rënda e të thyeshme, mua  më duhej një automjet që prapë ma mundësonin prindërit. Mbaj mend që për panairin e vitit të ri ua kam mbajtur unë 15 ditë makinën prindërve sepse aq ditë ishte panairi dhe kisha punë çdo ditë me të.
 
Stela, si është një ditë për ty, nga mëngjesi në mbrëmje?
Unë zgjohem që në orën 07.00 çdo ditë, kështu ndodh gjithmonë, edhe pse ka vite që nuk kam orare për të dalë në punë. Djali im, tashmë është 14 vjeç dhe nuk është se më duhet ta  ndihmoj të vishet apo të behet gati për shkollë. Dita ime është pothuajse e gjitha e imja, sepse ne shtëpi jemi 3 persona të rritur, ku gjithsecili di detyrat e veta. Kohët e fundit nga fluksi i madh i shitjeve më takon të qëndroj edhe gjithë ditën tek këndi im i punës, por e bukura është se unë jam në shtëpi dhe mund të çohem 5 minuta të sistemoj shtëpinë sa për të çlodhur edhe sytë ose ndërkohë që unë pikturoj dreka ose darka po zihet apo piqet edhe pse nganjëherë ngjitet ose skuqet më shumë seç duhet sepse jam e përhumbur në pune. (qesh) 
 
Sa lidhet shkollimi juaj me këtë që po bëni aktualisht?
Shkollimi im, universiteti i parë bio-kimi dhe universiteti i dytë ekonomi-financë lidhet, ndërthuret apo gërshetohet këndshëm. P.sh. në punimet e mia unë përdor degëza, drurë dhe lëndë të ndryshme e për këtë më hyn në punë universiteti i parë, ndërsa ekonomiku gjithashtu më ndihmon shumë sepse po flasim për një biznes.
 
Sipas jush a është i domosdoshëm një orientim i saktë në shkollim për të pasur sukses në sipërmarrje?

Unë mendoj që shkollimi duhet por eksperiencat në jetë janë ato që të mësojnë që të dish t’i bësh ballë situatave të ndryshme. Pasioni, dëshira, nevoja për punë ndërkohë që je edhe i shkolluar është një gërshetim i pazgjidhshëm për të arritur suksesin.
 
Si e kanë pritur në familjen tënde idenë e kësaj sipërmarrjeje? Sa besim kishin ata në fillim dhe si po e përjetojnë tani suksesin tuaj?
 Për familjaret e mi nuk ka qenë ndonjë gjë e re sepse unë kam vite që ndërtoj apo pikturoj objekte të ndryshme. Suksesi im në fakt i ka surprizuar sepse nuk mendonin që e gjithë kjo do merrte përmasa të tilla.
 
Si ka qenë fëmijëria juaj?  Çfarë edukimi për punën mendon se u duhet dhënë fëmijëve nga prindërit?
Fëmijëria ime ka qenë perfekte! E rritur me dashurinë e të gjithëve në një shtëpi private shumë të madhe, me të cilën jam e dashuruar, sepse mami e ka mbajtur gjithmonë të bukur si në arredim të brendshëm ashtu edhe të jashtëm. Adoleshenca ime e viteve pas ’90-ës, një periudhë tranzicioni por që prindërit kanë qenë gjithmonë frymëzim për punën sepse edhe ato janë marrë me punë të ndryshme, ku pjesë e ndihmës kam qenë edhe unë, ose më mirë të them kemi qenë edhe ne, sepse unë kam një motër më të madhe dhe një vëlla më të vogël, i cili edhe ai tani është një biznesmen shumë i njohur dhe i respektuar në Shqipëri dhe më gjerë.
 
Çfarë të ardhmeje parashikon për sipërmarrjen tënde?

Patjetër që duhet të kem një punishte apo një dyqan, ku edhe të mund të punoj edhe t’i ekspozoj dhe shes punimet e mia. Unë kam studentë të Arteve të Bukura, të punësuar që punojnë part time në shtëpitë e tyre, por do të doja t’i kisha nën mbikëqyrje dhe si ndihmese, pasi unë merrem me ndërtimin e gjërave të ndryshme dhe në këtë mënyrë kam procese të ndryshme, që mund të më bëheshin ndihmë, por edhe të mësonin rëndësinë e të fituarit vetë. Ëndërr kam të hap një show room shumë të madh në qendër të qytetit, ku mendoj të fus punimet e çdo artizani të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Ky do të ishte unik dhe do ishte si pikë referimi për çdo ide dhurate apo për turistët që duan të marrin një souvenir nga Shqipëria.

[gallery]21935[/gallery]

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)