Ben Blushi fiton “Çmimin
Europian për Letërsi” për Shqipërinë

Ben Blushi fiton “Çmimin<br />Europian për Letërsi” për Shqipërinë
TIRANE - Deputeti i Partisë Socialiste dhe shkrimtari Ben Blushi është nderuar me “Çmimin Europian për Letërsi” për Shqipërinë me librin “Otello, Arapi i Vlorës”. Pas kësaj trofeje, sipas rregullave të vendosura, ai fiton automatikisht përkthimin e veprës së tij në 3-4 gjuhë të BE-së. “Otello, Arapi i Vlorës” e zhvillon subjektin rreth viteve 1300-1400 në Venezia dhe në Vlorë. Bëhet fjalë për adaptimin e karaktereve të njërit prej personazheve më të famshëm të Shekspirit, Otellon, por që ky personazh në rastin e autorit Blushi, Otello Arapi i Vlorës, ka ekzistuar rreth 100 vjet përpara lindjes së Shekspirit. Kryesisht ky libër është shkruar si një novelë dashurie, por që kumton se kjo histori arrin të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve, shpeshherë për shoqëri të tëra.

Çmimi për Letërsinë iu atribua Ben Blushit bashkë me 12 autorë të tjerë, që u vlerësuan si autorët më të mirë të rinj në fillimet e karrierës së tyre në Evropë. Fituesit e këtij viti janë: Ben Blushi (Shqipëri), Milen Ruskov (Bullgari), Jan Němec (Republika Çeke); Makis Tsitas (Greqi); Oddný Eir (Islandë); Janis Jonevs (Letoni); Armin Öhri (Lihtenshtejn); Pierre J. Mejlak (Maltë); Ognjen Spahić (Mali i Zi); Marente de Moor (Holandë); Uglješa Šajtinac (Serbi); Birgül Oğuz (Turqi) dhe Evie Wyld (Mbretëria e Bashkuar). Fituesit u shpallën në panairin e librit “Frankfurt Book Fair”, në Frankurt. Ceremonia zyrtare do të bëhet në Bruksel, më 18 nëntor dhe çmimet do të ndahen nga Komisionerja e BE –së për Kulturën. Që nga muaji shkurt, Shqipëria është përfshirë zyrtarisht në listën e “Çmimit Europian për Letërsi”, pjesë e “Politikave Europiane për Kulturën”.

Vetë ish Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi, ka shpallur tetë muaj më parë, më 12 shkurt 2014, pjesëmarrjen zyrtare të Shqipërisë për të parën herë në “Çmimin Europian për Letërsi”. Ben Blushi, për të përfaqësuar Shqipërinë është zgjedhur nga juri e përbërë nga Petrit Ymeri(kryetar), Diana Çuli, Marjana Misha, Moikom Zeqo dhe Bujar Hudhri. Autori shqiptar ka marrë pjesë në garën e 12 vendeve të tjera evropiane, që janë përfshirë në programin “Europa Krijuese”. Për anëtaren e jurisë, Diana Çuli, çmimi i marrë nga një autor shqiptar “është një shans i mirë që Shqipëria të mos mbetet në periferi të kontinentit, por hyn në garë si e barabartë me të barabartët. “Me këtë program mbështetës të ngritur për letërsinë e gjithë vendeve evropiane, BE dëshmon edhe njëherë strategjinë e saj të patundur për bashkëjetesën e kulturave të ndryshme në një unitet evropian.. ”, është shprehur Diana Çuli në një intervistë për “Shqiptarja.com”, kur u zyrtarizua pjesëmarrja.

“Çmimit Europian për Letërsi” iu jepet autorëve më të mirë të rinj në Europë. “U jap urimet e mia më të përzemërta fituesve të Çmimit Evropian për Letërsinë”, tha Androulla Vassiliou, Komisionere Evropiane për Arsimin, Kulturën, Shumëgjuhësinë dhe Rininë. “Çmimi u kushtohet autorëve më të mirë të rinj dhe në fillimet e karrierës së tyre në Evropë, pavarësisht nga vendi i tyre i origjinës apo gjuha. Qëllimi është të prezantohet letërsia më e mirë bashkëkohore e Evropës, të inkurajohen shitjet përtej kufijve dhe t’u jepet shtysë përkthimit, publikimit dhe leximit të letërsisë nga vendet e tjera. Programi i ri i BE-së Creative Europe ofron grante për përkthimin, duke i ndihmuar autorët të tërheqin lexues përtej kufijve kombëtarë dhe gjuhësorë”. Për herë të parë, ky çmim është dhënë në vitin 2009.

Që prej fillesave të Çmimit në vitin 2009, BE-ja ka siguruar financime për përkthimin e librave të 56 fituesve (nga 59 të tillë) të EUPL, në 20 gjuhë të ndryshme evropiane, duke mbuluar një total prej 203 përkthimesh, mesatarisht 3-4 përkthime për libër. Fituesit përfitojnë gjithashtu nga prezantimi i veçantë në panairet kryesore të librit në Evropë, përfshirë atë të Frankfurtit, Londrës, Goteborgut dhe Passaporta Festival në Bruksel. Në faqen zyrtare të European Union Prize of Literature, në internet, dhënia e çmimit shoqërohet edhe me një biografi të autorit shqiptar, Ben Blushi. Theksohet fakti se me librin “Otello, Arapi i Vlorës, Blushi u shpall Autori i Vitit, në Panairin e Librit në Tiranë, në vitin 2009.
 
Kush është Ben Blushi
 
Ben Blushi lindi më 1969 në Tiranë. Ai ndoqi studimet në Universitetin e Tiranës, për Gjuhë Shqipe dhe Letërsi. Ka qënë kryeredaktor i gazetës  “Koha Jonë”, dhe në 1999 nisi një karrierë politike në kabinetin e kryeministrit të Shqipërisë. Për disa muaj, ai mbajti postin e Zëvendësministrit të Punëve të Jashtme dhe në 2011 u emërua Ministër i Arsimit. Aktualisht, Blushi është deputet i PS-së në Parlamentin e Shqipërisë. Romani i parë i Blushit,  “Të jetosh në ishull”, u botua në Prill  2008 dhe u shndërrua në një sukses fenomenal. Brenda disa muajsh,  libri u shit në mbi 30,000 kopje, duke vendosur një rekord në tregun shqiptar.

Romani i tij i dytë, “Otello, Arapi i Vlorës” doli një vit më vonë, për t’u  pasuar në 2011 nga romani i tretë “Shqipëria” . Per romanin  “Otello, Arapi i Vlorës”, Blushit iu akordua çmimi “Autor i Vitit” në Panairin e Librit në 2009. Kritika i vështron të tre romanet e tij si një triptik të letërsisë së re dhe cilësore të Shqipërisë. Në Prill,  2014, Blushi botoi një libër me ese të titulluar “Hëna e Shqipërisë”.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Qëlloi të riun në Thumanë, pezullohet nga detyra drejtori i Rrugores Altin Qato

Qëlloi të riun në Thumanë, pezullohet nga detyra drejtori i Rrugores Altin Qato