Ben Blushi: Koalicioni të votojë
në primar për kryeministrin e ri

Ben Blushi: Koalicioni të votojë<br />në primar për kryeministrin e ri
Ndërsa shfaqet i vendosur për ti shkuar garës deri për drejtimin e PS-së në fund Ben Blushi shprehet se nuk do të largohet për asnjë arsye nga Partia Socialiste pavarësisht vendimit qe do marrë kongresi i 19 marsit.
 
Në studion e emisionit 5 pyetje nga Babaramo, në Report Tv Ben Blushi thotë se ka një program konkret për drejtimin e partisë më të madhe në pushtet, të cilin do ta prezantojë për socialistët në kongres.

Ben Blushi flet për propozime konkrete për ndryshimet në statutin e partisë.

E dinte mirë se kur të vendosi ti futej kësaj gare do të kishte kundërshtar nga zyrtare të lartë brenda partisë, por Blushi veçon në këtë rrugë mbështetjen inkurajuese të ish presidentin Rexhep Mejdani.

Përballë gazetarit Ilir Babaramo, deputeti Ben Blushi flet për ata që dolën hapur kundër kandidimit të tij për drejtimin e PS-së. 

blushi ne 5 pyetje

Sipas sistemit “Primar”, partitë votojnë përpara se kush do të jetë kandidati për kryeministër, siç ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në garën për President.

Intervista

Këtë fundjave u ndodhët në Korçë, në takime paraelektorale, të ndarë në dy vende të ndryshme.,A mund të thuhet se ka nisur gara?

Mund të thoni, sigurisht, në kushtet kur gjithmonë do të ketë garë, pasi kjo është dicka që nuk varet nga unë. Kjo është një nga gjërat që kërkoj, që duhet të ketë garë dhe duhet të ketë  mundësi për konkurencë e kandidim brenda PS-së, përmes parimit një anëtar një votë. Në kushtet që nuk kuptohet nëse do ketë apo jo garë, pasi shumica thonë që s’do ketë dhe këtë e thotë edhe Rama ndonëse nuk i takon ta thotë. Unë kam kërkuar të ketë fushatë, por nuk ka. Në gjitha takimet që bëhen, unë nuk ftohen, ndonëse do ishte mirë të isha.

Në Elbasan nuk ishit i ftuar?
Jo, nuk isha, shkova vetë, ato ditë ishin ditë zgjedhjesh, pasi Edi Rama po bën fushatë në gjithë Shqipërinë. I kam kërkuar që të ftohen, të flasë ai dhe të flas edhe unë. I kam thënë se, socialistët duan shpjegime se çfarë dua të bëj dhe përse duhen zgjedhje e nëse do ketë, çfarë do të bëj. Jam detyruar që të bëj takime jashtë partisë, përsa kohë që partia ma ka mohuar këtë mundësi.

Cfarë impresioni patët, pasi vjen kryeministri bën takim e pas tij shkoni edhe ju. Cfarë humori kishte në qytet, si ishte atmosfera??

Këtë takim e kisha planifikuar, kishte dy javë që përgatitjet kishin nisur.  Kisha bërë dhe ftesa për të bërë takim të hapur, më vonë u morr vesh që do vinte edhe Edi Rama në të njëjtën orë me mua, nuk do doja të ishte ajo përplasje, skam asnjë qëllim për përplasje.

Nëse do e quajmë një matje force mes rivalëve, mendoni se u tregua kjo në Korçë??

Jam shumë komod, prisja ato që erdhën, ndonëse pati një klimë frike e tensioni. Administrata e Korcës u morr me listë, duhej të mbushte vendin dhe kjo klimë tensioni ndikoi dhe në takimin tim. Administrata shkoi e dëgjoi atë që i premton se i mban në punë dhe kjo nuk është mënyra e duhur që të mbushësh një sallë me njerëz që i paguan me bordero.

Ato që ishin në sallën tuaj, ishin socialistë a qytetarë?

Ata ishin qytetar dhe socialistë të thjeshtë, pasi unë nuk bëra një takim politik, por një bashkëbisedim, bisedë ku mikrofoni në sallë ka qarkulluar nëpër njerëz. Nëse do e ndanim kohën, 70% të kohës kanë folur qytetarët. Këtë do bëj kudo.

blushi ne 5 pyetje

Ishte barometër për të kuptuar problemet e qytetarëve. Cfarë iu bëri përshtypje?

Aty njeriu merr provat e asaj që dyshon, varfërisë, papunësisë, polarizimit social,mungesës së besimit, vuajtjes dhe padrejtësisë. Kjo është arsyeja që bëj këto takime, për të marrë provat. Ju ftoj të vini në takimet e mia e të kuptoni çfarë thonë njerëzit. Nuk janë mitingje, por bashkëbisedime ku secili tregon sesa cmimet janë të larta, pensionet janë të ulëta, sesa pak besim kanë tek administrata etj. Shkova në Elbasan në ditën e zgjedhjeve dhe disa militantë të PS-së kërkuan punë, shkoi Rama dhe si kërkoi askush punë. Këta bëjnë dy gjëra, ose këta kanë punë e kur shkoj unë bëjnë sikur janë të papunë, ose kur shkon Edi Rama kanë frikë ti thonë se janë papunë, pasi kanë frikë nga ai.

Do i vazhdoni takimet?

Do përpiqem aty ku është e mundur

Do bëni atë që bëri Rama në 2003, ku në disa qytete i mbylleshin edhe dyert e sallave?

Nuk bëj asnjë gjë që bën Rama, bëj çfarë do atë që mendoj unë, por nëse krahasojmë me 2003, pasi atëherë s’ka ndodhur kjo që po ndodh sot. Gara u hap dhe i thanë se je i lirë të marrësh pjesë. Sot po më mbyllet gara, Rama ka përfituar nga liria që ka pasur PS në vitin 2003, ndërkohë që tashmë e ka ndrydhur partinë dhe e ka mbyllur, duke e kthyer në parti hermetike ku ke frikë të kërkosh punë e ku i nxjerr ministrat në mënyrë të shëmtuar, se kush i nxjerr më shumë njerëz në miting. Është krejtësisht një fushatë.

Ju i kontaktoni këta ministra?

Sigurisht, skam asnjë gjë personale me ta. Më vjen për të qeshur pasi janë qesharakë, ku dalin e thonë gjëra që askush nuk i beson, pasi gjithkush e di që PS po mundohet të ndryshojë statutin për tiu adaptuar paranojës e frikës së Edi Ramës. U ndryshua statuti në vitin 2009, kur Rama humbi zgjedhjet për ti dhënë mundësi që të kandidonte prapë, po ndryshohet në vitin 2016 për të mos bërë zgjedhjet e vitit 2013, pasi këto janë zgjedhje që duhet të ishin bërë në 2013, e gjithë situata është qesharake.

I fundit që iu sulmoi ishte Bashkim Fino dhe çuditërisht thuhet miku im Blushi??

Ky është kompleksi që kanë ata, thonë “miku” në fillim për të justifikuar atë që thonë prapa. Është kompleks.

Jeni konsultuar me Finon për statutin??

Nuk mbaj mend të kem bërë këto konsulta me Finon, por ajo që tha është e paarsyeshme. Publikisht më tha pse nuk shqetësohesh kur statuti zbatohet, për delegatët,  dhe pse shqetësohesh në rastin e zgjedhjes së kryetarit të partisë, kur statuti nuk zbatohet. Delegatët po zgjidhen, organizatat po zgjidhen, kryetarët e rretheve po zgjidhen dhe kryetari nuk po zgjidhet. Kësaj Fino e të tjerët nuk i japin përgjigjie, nuk thotë përse. Unë e di që nuk është mendimi i tij, por është i detyruar që të thotë atë që thotë. Në c’rrethana, atë e di ai.

blushi ne 5 pyetje

Këtë tur që keni ndërmarrë ka akuza nga socialistë të tjerë që thonë se, po përsërisni akuzat e PD-së Edi Ramës??

Ka një cështje themelore brenda PS-së, pyetja është kush e dëmton më shumë këtë grup politik: Ata që nuk bëjnë zgjedhje, ata që shkelin statutin, ata që qeverisin keq, ata që nuk bëjnë reformat e duhura, ata që s’mbajnë premtimet, rrisin çmimet, ata që koncensionojnë ekonominë, s’mbrojnë interesin publik, ata që nuk po arrijnë që të ulin papaunësinë, ti japin shpresë vendit, punësim të rinjve apo ata që po i thonë gjërat si puna ime. Këto janë dy palët brenda PS-së, s’ka palë tjetër. Një palë që ka për detyrë që të mbrojë statutin dhe të qeverisë siç duhet, apo dikush që po e thotë. Kush dëmton më shumë, unë që kërkoj respektim statuti apo ata që nuk bëjnë zgjedhje prej tre vjetësh??

Ju keni thënë se nuk është më PS por një rilindje. Edhe ekspertët e thonë, por a mendoni se kemi të bëjmë me një cikël fiziologjik të kësaj partie, siç bëri Nano në vitin 1991, që Partinë e Punës e ktheu në PS duke e ndryshuar???

Nëqoftëse ju e quani progres për PS dhe shoqërinë që një parti që bënte zgjedhje periodike dhe nuk po e bën këtë, një parti të qendrës majtë që po shkon në ekstremin e djathtë, një parti që në 2005 e la pushtetin me rritje ekonomike 6.5% dhe me borxh publik 53%, sot pas tre vjetësh në qeveri tendenca e kësaj qeverie është ultra e djathtë.

Këtu kemi të bëjmë me dy të djathta, dhe rilindja po shkon djathtas se PD, Rama po e kthen në një parti autokratike, biznes privat.
Ku e bazoni këtë
??

Kush është ndryshimi mes një grupi vullnetarësh me një grup personash që mund të votojnë për administratorin dhe një ndërmarrje që kanë një pronar e një numër punëtorësh. Punëtorët nuk e kanë këtë mundësi, kurse në një shoqëri aksionere, aksionerët votojnë për administratorin e tyre. Pronari nuk zgjidhet, Administratori zgjidhet. Ne kishim një parti ku administratori zgjidhej dhe tani kemi një parti ku pronari thotë unë nuk zgjidhem.

Prej gati dy vitesh jeni kritik ndaj Ramës dhe qeverisë, Rama nuk komentonte dikur, por tani ai e ka shmangur fjalinë se nuk komenton analistët, por flet ashpër dhe tha që qentë të lehin e karvani ecën përpara. Si e shikoni këtë qëndrim të tij???

Është e papranueshme mënyra sesi po sillet, ai është modeli i një politike të tejkaluar, është politikan i shekullit të kaluar, nuk ka asnjë politikan në Evropë që bën këtë që bën ai, që të thotë s’ka zgjidhje, të gjithë të votohen përveç meje, nuk mbledh forume, fut në parti këtë të dojë,heq kë të dojë, e mbush me banditë e biznesmenë, shkaktoi një proces dekriminalizimi brenda partisë, siç nuk ka ndodhur në asnjë parti, i pari dhe i fundit në Evropën Juglindore. Këto janë nuanca politike që vijnë nga shekulli i kaluar. Mënyra sesi bën nuk më shqetëson, edhe kur citon Enver Hoxhën, pasi kur thotë se “Qentë le të lehin, karvani ecën përpara” ka cituar Enver Hoxhën, dhe ai nuk citohet kur vjen puna për një luftë brenda llojit, pasi ai këtë luftë e zgjidhte me armë.

Mbështetësit e Ramës thonë se përse jeni kujtuar tani jo në 2013??

Në 2013 nuk dija kë do fuste në listë, atë që njihja ishte lista e Elbasanit që nuk ka as banditë e as biznesmenë. Për atë listë jam konsultuar, nuk dija gjë tjetër për listat e tjera, nuk kërkoj përgjegjësi për atë që nuk flet, por për atë që nuk bën. Nëse unë duhet të mbaj përgjegjësi për atë cfarë skam folur,  kjo nuk është e vërtetë. Unë kam folur dhe nëse skam folur, Rama ka përfituar.

Në Kuvend ka një foto të deputetëve të 1920, ju si njeri i letrave nuk iu bëri përshtypje që 100 vite më vonë, në partinë tuaj, këto emra u zëvendësuan me ata emra që po lënë mandatin. Nuk iu bëri përshtypje??

Sigurisht që më kanë bërë përshtypje, pasi jam i mërzitur  dhe sigurisht që ka ditë që jam pesimistë pasi kur shoh se çfarë po ndodh, e kam të pamundur që të besoj se një 16 vjeçar mund të gjejë një frymëzim që mund të frymëzojë në këtë klasë politike. Kjo më bën pesimist se çfarë modeli  i jep kuvendi një fëmije, që ka ambicie për të mësuar. Cfarë i thotë atij kjo klasë politike? I thotë se po mësove nuk shkon më lart, i zgjidh problemet me muskuj, ke shoqëri me njerëz që shesin drogë, përfiton gjëra në kundërshtim me ligjin, kjo është mënyra më e mirë për të ardhur në parlament. Kjo është aryeja pse flas, në kushte të tjera, pse të flisja. 100 vjet përpara e kishim parlamentin me njerëz të ndritur e 100 vjet më pas e kemi të mbushur parlamentin me banditë. Sot në parlament janë ata që kanë armë.

Nëse heqim një paralele me këtë parlament me atë të vitit 1992-1996 që është më i miri pas komunizmit, ata që PD i përdorte për të vjedhur votat, Rama bëri pakt me ta???

Ramës nuk i njoh asnjë alibi në këtë rast, pasi nuk mund të bëhesh me ata që kanë shkelur ligjin, për të vendosur ligjin, nuk mund të bëhesh me ata që vijnë nga padrejtësia për të bërë drejtësi. Sot po paguajmë kosto në imazh, model, kushtëzim, marrëdhënie me ndërkombëtarët. Edhe Kerry foli për dekriminalizim. Kjo është një damkë që i mbeti Ramës.

Kerry tha se jeni në rrugën e duhur???

Po, Shqipëria po shkon në rrugën e duhur, pasi është anëtare në Nato, po shkon drejt BE-së, por s’besoj se i tha se ke bërë mirë që ikën njerëzit nga vendi, s’ka barazi sociale, por polarizim social, ke fut kriminelë në parlament, Shqipëria është e polarizuar, 7 në 10 fëmijë që mbarojnë shkollën janë papunë, 31.5% e shqiptarëve jetojnë me më pak se 5 dollar në vit që tregon nivelin e lartë të varfërisë.

Keni akuzuar Ramën se ka blerë heshtjen e mbështetjen e disa deputetëve, kur do bëni publik emrat??

Unë skam akuzuar asnjë njeri që ka blerë heshtjen, por kam thënë se heshtja e shumë kolegëve është aprovuese dhe kam përmendur vetëm një rast që në dijeninë time të një kolege deputete që më ka thënë se nuk të mbështes, pasi më heqin vajzën nga puna.

Peza iu sfidoi që Blushi ta bëjë publike dhe nëse është e vërtetë jap dorëheqjen nga PS. Aludoi se s’keni thënë të vërtetën?

Unë jam munduar shumë që Peza të jetë deputet dhe s’dua që ai të mos jetë, nuk e bëj publike pasi Fredi e mban fjalën. Mund ti kthehet gazetarisë, por nëse ikën as gazetaria nuk fiton dhe parlamenti humb një deputet.

Ka qenë korrekt me mbajtjen e fjalës me ju??

Me mua gjithmonë, shpresoj që të jetë me opinionin publik. Atij ia ka bërë këtë premtim, jo mua.

Disa zyrtar të PS-së, si Mejdani apo Ndre Legisi i janë drejtuar Komisionit të Garancive Statutore, e prisnit një kërkesë të tillë??

Ky ka qenë një organizim i disa kolegëve, në përgjithësi njerëz që kanë pasur mandate përfaqësimi që e konsumuan këtë rrugë. Komisioni është një lloj gjykate prej 10 vitesh në PS. Kur një anëtar i PS ka një ankesë a pretendim se statuti është shkelur, ku mund ta kërkojë të drejtën ndaj dhe u krijua ky komision që bën interpretim mbi statutin dhe ky grup kolegësh e konsumuan këtë të drejtë dhe po presin që ky komision t’iu kthejë përgjigje se ku është shkelur statuti.

Ky grup prej 12 socialistësh, ëhstë me ju vetëm në këtë rast apo është një mbështetje në gjithë sfidën tuaj për të kandiduar??

Gjithë këta kolegë, këta kanë kërkuar mbrojtjen e një parimi e drejta e zgjedhjes brenda PS, kolegjialiteti, respektimi i statutit. Këto janë pikat ku jemi bashkuar. Një pjesë e madhe e kolegëvë besojnë se PS po rreshket djathtas, parti që po e humb thelbin e vet, pasi shumica e politikave që po ndërmerren skano lidhje me të.

A takoheni???

Po, shumë shpesh, sepse gjithë ky debat nuk është i shurdhët, ai tingëllon dhe ka shumë njerëz që më inkurajojnë.

Deri ku shkon mbështetja e ish presidentit Meidani. Ju s’keni pasur shumë marrëdhënie të mira me Meidanin??

Skam pasur marrëdhënie personale me ish presidentin Meidani. Nuk besoj se Presidenti Meidani më mbështet mua, por parimin për një parti që respekton rregullat, garanton zgjedhje të lirë, mbrojtjen e disa parimeve për të cilat kjo parti ekziston. Duke nisur nga shtresat në nevojë, të pamundurit, çka kjo parti nuk po e bën. Ndaj jemi bashkë, për të ditur se për çfarë qëndron sot PS, e vetmja gjë që po e mban është qëllimi për të ndenjur në pushtet për çdo kusht, pasi dyshoj se nuk po mbron interesin publik, mbrojtur shtresat në nevojë. Nuk ul çmimet, por i rrit ato. Është aleate me shtresën e lartë të biznesit.

Meidani do jetë në kongres dhe a do iu mbështesë?

Këto s’janë pyetje për mua dhe nuk kam folur për këtë me Meidanin. Sot jemi 4 javë nga Kongresi dhe deri atë ditë nëse do ketë garë unë do respektoj kriteret e një gare, të kem platformë dhe njerëz që shohin votat që aty mund të hidhen pro apo kundër meje. Akoma jemi në kushtet kur nuk ka garë. Kjo është ajo që duhet të shqetësojë këdo, pasi partia më e madhe në pushtet, mbas 25 vitesh pluralizëm politik, thotë nuk ka zgjedhje dhe kjo nuk është çështje e PS, por e gjithë shoqërisë shqiptare. Shoqëria nuk emancipohet e demokratizohet, nëse partitë hermetizohen në këtë mënyrë dhe përjashtojnë konkurencën e lirë nga anëtarësia.
 

A ndjeni se kur në 2013-ën, Rama ju kandidoi, ju futi në kurth duke iu shkëputur nga pjesa tjetër e LMN-së?
 
Jo, s’e kam menduar ndonjëherë ketë dhe as nuk kam arsye pse ta mendoj. Unë nuk kandidova për deputet se me vuri Edi Rama në listë. Unë jam deputet përpara se Edi Rama të vinte në Partinë Socialiste. Sado që është ndërtuar një paranojë dhe natyrisht me të drejtë, sikur Edi Rama ka ardhur aty me gërshërë në dorë dhe u pret karrierën njerëzve. Këtë nuk mund ta bënte në rastin tim. Ajo që bëri Edi Rama padrejtësisht, ishte që disa kolegë si Arben Malajn, Marko Bellon, Andis Harasanin dhe shumë të tjerë ua ndërpreu karrierën për t’i zëvendësuar me banditë apo biznesmenë në mënyrë krejtësisht të njëanshme dhe pa u konsultuar me askënd. Dhe këtë po vuan Partia Socialiste, këtë ndotje imazhi prej 3-4 vitesh dhe kjo ka vetëm një shkaktar, nuk askush tjetër prej nesh, përveç atij. Dhe ai duhet të mbajë përgjegjësi.
 
Jeni shprehur se kërkoni të zëvendësoni Ramën, të bëheni kryetar i PS, një lloj lideri. Dhe liderni nuk është përgjegjës vetëm për veten e tij, por edhe për mbështetësish e tij. Ata kur thonë për një lloj paranoje, kujtjojnë rastin e Metës në vitin 2003 apo 2004, kur Nano largoi nga PS pasuesit e Metës, Meta bashkë me ta u largua dhe krijoi një pol. A nuk është kjo një lëvizje e munguar e juaja?
 
Këtu nuk ka krahasim sepse Ilir Meta u largua nga PS me disa miq apo shokë të vetë dhe formuan një parti tjetër. Ky nuk është rasti. Nëse doni që unë të mbaj përgjegjësi se isha bashkë me disa shokë dhe Edi Rama këta i “vrau” politikisht, sigurisht mund të mbajë përgjegjësi që nuk i mbrojtja sa duhej, por nuk jam unë asgjësuesi i tyre politik. Nuk jam unë. Nuk kam çfarë përgjegjësi të mbaj për një akt që s’e kam bërë vetë.
 
Kjo thuhet në kontekstin që a jeni ju të besueshëm që njerëzit t’ju ndjekin?
 
Është një spekulim i madh për këtë gjë. Sesa mbështetje kam unë brenda PS, ka vetëm një mënyrë për ta provuar. Nuk provohet dot se kush jep më shumë intervista, apo kush ka më shumë duartrokitje në sallë, apo kush ka më shumë ministra që kthehen në zëdhënës personalë, apo kush merr më shumë bodyguard dhe i klasifikon si mbështetës. Ka vetëm një mënyrë, kush merr votat e Partisë Socialiste dhe kjo është ajo kërkoj unë. Të shkojmë në votim dhe secili të marrë votat e veta dhe  secili të shohë sa i mbështetur është për pikëpamjet e veta. Këtë po kërkoj në thelb. Të gjitha të tjerat janë stërhollime të cilat nuk kanë asnjë vlerë, sepse vlerë ka vetëm diçka, që të ketë zgjedhje të lira brenda Partisë Socialiste me parimin “një anëtar, një votë”, kaq. Pyetja është pse s’duhet të ketë? Dhe çfarë pasojash ka kjo?
 
Pak a shumë ju keni qenë ai që bashkë me Nanon keni sjellë Ramën në PS. Jeni ju ai që i keni thënë Nanos largohu në 2005-ën dhe të kandidojmë për kryeministër Edi Ramën. Ia keni thënë këto më pas gjatë këtij rrugëtimi?
Unë e kam zakon nga natyra të mos përmend ndere. Nuk e bëj personalisht. Kujt t’ia përmend? Unë me Ramën nuk po zihemi se kush i ka bërë më shumë ndere njerëri-tjetrit. Grindja jonë politike është për pikëpamjet, pra, për mënyrën sesi drejtohet PS, për mënyrën si drejtohet qeveria, për një program relativisht më të majtë sesa ai që po zbatohet.
 
A ka pasur një marrëveshje të tipit Gordon Broën- Tony Blair mes ju të dyve?
 
Jam pyetur dhe kam thënë jo në çdo moment. Unë nuk kam preferuar të bëj kësi lloj bisedash, përfshirë edhe me Edi Ramën. Nuk kam folur me asnjë njeri për të më deleguar një pushtet kur nuk e ka.
 
Në 2009-ën e goditët polikisht që të njihte rezultatin e zgjedhjeve, të largohej nga PS, pra, përpara se të krijonit LMN, a keni pasur një bisedë sy më sy me Ramën?
 
Jua thash që jo. Kam pasur biseda të çdo lloj natyre me Edi Ramën, përjashto biseda sipas të cilave, ai më le mua pushtetin që atij iu la. Nuk kam bërë këto biseda, se nuk kam menduar kurrë që ditën që do të doja të kisha të bëja një karrierë brenda PS këtë do ta merrja nga Edi Rama. Kam patur shumë besim te vetja ime dhe koha më ka dhënë të drejtë. S’kam pse të bëjë të tilla “deal-e”. S’janë në natyrën time.
 
Gjatë kësaj periudhe, Edi Rama duket se është tentuar që këtë pakënaqësinë tuaj ta sfumojë, është folur për një darkë  mes miqsh në Pezë. Dhe është shkruar në shtyp. çfarë është thënë në këto bisedime?
 
Nuk kanë qenë bisedime, por një darkë mes miqsh, para dy vitesh në mos gaboj, ku dikush kishte një gjysmë sebepi dhe na ftoi rreth 8-9 vetë. Kjo nuk është një bisedë politike, por një darkë miqsh, ku më shumë bëhet shaka sesa flitet për politikë.
 
Asnjëherë nuk jeni takuar vetëm për vetëm?
 
Jo, nuk besoj. Mesa mbaj mend, jo.
 
Ju ka çuar ndërmjetës?
 
Ju e kishit këtu Edi Ramën para një jave në mos gaboj, pse nuk e pyetët. Unë flas për veprimet e mia. Unë jam në një garë politike brenda PS dhe pikëpamjet e mia për këtë garë janë publike se çfarë dua të bëj, pse duhet të ketë garë dhe nëse ka garë më jep mua më shumë vota se atij. Pse duhet ta ngatërrojmë me darka miqsh, e miq që ftohen për darkë.
 
Po ju pyes për kongresin, do të paraqisni platformë?
 
Nëse do të ketë garë, patjetër. Statuti ka një klauzolë të cilës unë nuk mund t’i shpëtoj, sepse nëse unë i iki do ma kujtojnë të gjithë këta që shkelin statutin sot. Statuti thotë se Kongresi administron kandidaturat për kryetar të PS dhe cakton datën e zgjedhjeve sipas parimit një anëtar, një votë. Vetëm kaq. Përsa kohë kongresi administraton kandidaturat dhe unë do të jem një kandidaturë, sigurisht që unë do të kem një platformë. Pra, ti administrohesh si kandidaturë, regjistrohesh më saktë dhe e lexon apo shpall pikëpamjen që ke për drejtimin e partisë.
 
Kongresi nuk mblidhet vetëm për të zgjedhur kryetarin...
 
Është Kongres zgjedhor dhe jo elektoral. Nuk është Kongres që përcakton apo aprovon listën e kandidatëve për deputetë, apo një Kongres që thërritet për të miratuar programin e partisë, aprovuar një aleancë strategjike. Ky është Kongres i pastër zgjedhor që do të thotë se delegatët janë zgjedhur nga fillimi, Kongresi zgjedh Asamblenë e re, Asambleja zgjedh Kryesinë e re, Kryesia e re bashkë me Asamblenë zgjedhin Sekretariatin e Partisë Socialiste dhe Kongresi, duke qenë zgjedhor, cakton datën për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarin e partisë. Përveç kësaj gjëje, do të miratojë edhe ndryshimet në statut. Pra, është Kongres zgjedhor  dhe për asgjë tjerët.
 
Për ndryshimet në statut, ju keni një projekt alternativ?
 
Kam disa pikëpamje që do t’i paraqes shpejt.
 
Ku konsistojnë?
 
Janë disa parime që do kërkoj të adoptohen nëse PS do ta gjykojë të arsyeshme. Duhet të adaptojë një standard primarësh brenda partisë, pra të ketë zgjedhje në disa nivele brenda partisë, për kryetar bashkie, për kryetarin e partisë. Të ketë primare, zgjedhje me parimin një anëtar, një votë, siç bën e majta italiane, franceze etj. Shumica e partive moderne në Europë, funksionojnë sot në bazë primare. Unë po kërkoj primaren, që kandidatët të dalin dhe të japin platformat e tyre. E dyta, duhet të fus një garanci më të madhe në statut sa i takon transparencës financiare. Ka shumë dyshime për mënyrën si financohen partitë politike dhe për shkak të këtyre kanë ndodhur edhe anomalitë e viteve të fundit që kanë ardhur persona me precedentë penal. Nëse këta do të kishin qenë të varfër, nuk do ishin bërë deputetë. Kanë pasur një buxhet të cilin e kanë përdorur nëpër fushata dhe me këtë buxhet janë futur e janë bërë pjesë e PS. Një kriminel i varfër nuk bëhet dot deputet, e kundërta po.
 
Çfarë klauzole mund ta frenojë këtë?
 
Do të kërkoj, e para, që PS të refuzojë me statut çdo financim anonim. Financimi anonim është ai financim i padeklaruar dhe nëse nuk deklarohet donatori, ky financim refuzohet. Do kërkoj që të ketë një kufizim për financimet private deri në një përqindje të caktuar e cila nuk kthehet në konflikt interesi, ose një borxh që duhet ta kthesh duke bërë një politikë të favorshme për dikë. Nëse një kompani financon fushatën, në një masë të konsiderueshme, ti nesër mund të  bësh politika që e favorizojnë atë kompani. Dua ta kufizoj këtë gjë.
 
Pse? Përvoja botërore tregon, le të marrim demokracinë më të zhvilluar në botë, SHBA, aty funksionon me dy bursa, NASDAQ dhe Down Johns, financon rregullisht republikanët e para, dhe e dyta, financon demokratët dhe pas zgjedhjeve prioritetet i vendos njëra ose tjetra...
 
Nuk është tamam kështu. Janë legjenda që i kemi krijuar ne. Fushatat në SHBA sa vijnë e janë gjithnjë e më të shtrenjta, pavarësisht se rasti i Presidentit Obama ishte klasik, mblodhi më shumë para, mbi 1 miliard për fushatë nga donacione amerikanësh të thjeshtë. Por, nuk funksionon kështu.  
 
Çfarë do të kërkoni të ndryshoni tjetër?
 
Duhet të sanksionohet në statut se çfarë partie jemi ne. Po të lexoni statusin e PD nuk e kuptoni, aq më tepër si po qeveris. Për çfarë po qëndrojmë ne, është më shumë me tregun apo me shtetin? A është për ndërhyrjen e shtetit për të rregulluar tregun e mirëqenies? Unë them që po. Mbron më shumë shoqërinë apo individin? Për çfarë sistemi të shpërndarjes së të mirave publike dhe pasurisë është? Për atë që është i djathtë klasik, që thotë se mjafton konkurrenca dhe se më i forti fiton mbi të dobëtin? Unë s’kam qenë për këtë, PS s’është për këtë. Prandaj, dua të sanksionohet në statut kjo.  Statusi i PS sot në këtë drejtim është shumë i varfër.
 
LSI ka futur një ligj për koncesionet që të kalojnë nga Parlamenti. Do ta mbështesni?
 
Nuk e kam lexuar. Mesa di, është një ide, por nuk ka ardhur në parlament. Në parim, unë jam për më pak koncesione. Besoj se disa gjëra që i bën privati në Shqipëri, po aq mirë mund t’i bëjë edhe shteti dhe sigurisht unë nuk mendoj se shteti mund të bëjë bukën, apo të shesë bukën, nuk mendoj se shteti duhet të shesë stilolapsin, apo të jetë pronar i arave me domate e patate. Por, kur vjen puna për shërbimin bazë, arsim e shëndetësi, mbledhje taksash, polici, ushtri, shteti duhet t’i ruajë këto monopole, në mënyrë që tu japë mundësi e të mbështesë ata që nuk i marrin dot këto shërbime për shkak të varfërisë.
 
Në programin ekonomik të PS, çfarë duhet të ndryshojë? Rama e hoqi taksën e sheshtë...
 
Rama e hoqi taksën e sheshtë vetëm për punën, por jo për kapitalin dhe ajo që ne kishim premtuar nuk ishte kjo. Rama vendosi një taksë relativisht progresive e cila është shumë e zhbalancuar dhe presupozon që taksa fillon e rritet në mënyrë progresive, në bazë të të ardhurave. Pavarësisht se kjo skemë është progresive  e dëmton shtresën e mesme me rroga mbi 1000 euro, taksohen më shumë se pronarët e tyre. E di këtë? Nëse një drejtor Banke në një Bankë që xhiron e ka 50 milionë euro në vit, pronari i Bankës tatohet me divident mbi fitimin 15%, ndërsa drejtori i Bankës apo disa nëpunës deri në 23%. Kjo është e drejtë? Unë them se është e padrejtë. Po nuk po merrem me këtë gjë shumë. Taksa progresive i është nënshtruar progresivitetit vetëm mbi pagat, por jo mbi kapitalin. Saliu kishte taksë të sheshtë  për fitimin 10%, ne e kemi prapë të sheshtë, por është 15%.
 
Pse mendoni se kapitali, ai që hap vendet e punës duhet të ngarkohet më shumë? Të vijnë njëherë pastaj t’i tatojmë...
 
Sepse ai fiton më shumë. Në çdo rast fiton më shumë. Unë isha dakord që taksat të uleshin për biznesin, nëse do të bindesha që ndërmarrjet e huaja nuk po vijnë në Shqipëri për shkak të shkallës së taksave. Nuk është kjo ankesa që kanë. Ankohen për klimën e biznesit në shkallën e të cilës ne kemi rënë. Është e 12-a në botë Maqedonia dhe ne kemi rënë në vendin 60 e ca. Është klimë biznesi dhe klima e biznesit nuk do të thotë detyrimisht barrë taksash. Mali i Zi e ka 9% taksën e sheshtë. Ka edhe një raport të drejtë mes pronarit dhe tokës atje. Në Malin e Zi dhe Maqedoni nuk ndodhin këto  hatara që ndodhin këtu. Këtu investon në një tokë dhe nesër del që toka është e dikujt tjetër dhe gjithë investimi jot merr fund. Askund në rajon, nuk paguhet një punëtor sa në Shqipëri, paga minimale këtu është 130 euro në muaj, është një pagë skllavëruese. Ndërsa Maqedonia e ka pagën minimale më të lartë se ne dhe merr më shumë investime të huaja. Po shkojnë atje edhe pse e dinë se do tatohen më shumë mbi pagën minimale. E gjithë kjo klimë biznesi ndikon, korrupsioni ndikon, paparashikueshmëria e sistemit fiskal, të gjitha këto janë arsye sepse sot kemi një klimë biznesi të pafavorshme e cila nuk ka sjellë investime të huaja, nuk ka hapur vende të reja pune, nuk ka shtuar rritjen ekonomike, por ka shtuar borxhin dhe papunësinë. Borxhi sot është 73.9%, është rritur me 8-9 për 3 vjet, 1.3 miliardë euro për 3 vjet. Ua kam bërë këtë pyetje ministrave, edhe kryeministrit.
 
Për të paguar faturat e qeverisë së mëparshme...
 
Faturat e papaguara të qeverisë së mëparshme nuk kanë qenë 1.3 miliardë. Është gjysma, 700 milionë dollarë, po gjysma tjetër ku ka shkuar?  
 
Si i komentoni ndryshimet e fundit në qeveri?
 
Janë një arsye për këto që unë po flas. Besoj se Kryeministri pati një shkëndijë realizimi besoj dhe e kuptoi se ministri i Financave nuk po funksiononte. S’kam si ta lexoj ndryshe. Këtë përshtypje dha Kryeministri.
 
Vonesat e dekreteve nga Presidenti, mendoni se mund të shkaktojnë një krizë institucionale?
 
Unë mendoj që jo, por ajo që po bën Presidenti është shumë e padrejtë, është e paarsyeshme dhe nuk i përgjigjet asnjë lloj precedenti që ai ka vendosur vetë, apo atë që gjithë Presidentët para tij kanë vendosur. Presidenti nuk ka të drejtë të bllokojë dekretet me arsyetimin se duhet të japë pëlqim me ministrat, pra Presidenti po kërkon një kompetencë që nuk e ka, po kërkon të pyetet nga kryeministri për  ministrat që do të emërohen. Kjo po krijon një precedent të gabuar dhe po e ve qeverinë në vështirësi.
 
A ka rrezik për krizë parlamentare?
 
Nuk shoh krizë parlamentare, por mundësia për ta zgjidhur shpejt do ishte që  Gjykata Kushtetuese t’i thërrasë arsyes dhe shpejtësisë së vet të mblidhet në mënyrë të pazakontë dhe të japë një përgjigje për të zhbllokuar situatën.
 
Keni votuar ndonjëherë kundër qeverisë?
 
Kam votuar në fund të vitit të kaluar për ligjin e pronave.
 
Dhe do votoni sa herë nuk jeni i bindur?
 
Ne kemi një parim në PS, kur grupi mblidhet ke mundësi të arsyetosh atë. Në këtë rast nuk ka qenë kështu. Për ligjin e pronave kam votuar me bindje. Unë nuk kam asnjë pronë, s’jam as trashëgimtarë, por ajo që kam refuzuar të votoj është se ligji, sipas meje, nuk e kthente pronën, por kishte një kompensim financiar shumë të diskutueshëm. E kuptoj se çështja e kthimit është e vështirë, se s’ka fond toke dhe fondi financiar kushton 2 miliardë euro, gjë që s’e bëjmë dot, por ajo që them unë është që pavarësisht kësaj pamundësie financiare, ligji duhet të ishte në radhë të parë, ligj kthimi. Pra, tu kthehej pronarëve fondi i kthimit të pronës, më pas të bëhej kompensimi financiar.
 
Të kthehemi dhe njëherë te Kongresi, pavarësisht asaj që do të ndodhë, ju e shikoni veten gjithnjë pjesë të PS?
 
S’kam asnjë arsye ta mendoj veten jashtë PS-së sot. Nuk kam arsye, sepse do e kisha vënë këtë gjë në diskutim nëse do kërkoja diçka që nuk më takon. Çfarë po kërkoj unë? Zbatimin e rregullave të PS, që të ketë garë. E di si është kjo, njësoj sikur të mblidhet parlamenti i Shqipërisë dhe të vendosë se në vitin 2017 nuk do të ketë zgjedhje. Çfarë do të bënin qytetarët? Kushtetuta thotë se mandati i Parlamentit është katër vjet. Çfarë do të bëni ju në rastin kur parlamenti mblidhet dhe shtyn mandatin nga katër vjet në 6 vjet se tani jemi duke bërë ca reforma. Çfarë do të bënin qytetarët në këtë rast? Pra, nëse Kongresi merr përsipër të votojë se në PS nuk do të ketë zgjedhje, për mua është e papranueshme, por nuk besoj se kjo do të ishte një arsye që unë të mos jem pjesë e PS. Duhet të jem.
 
S’keni ide për të krijuar parti të re?
 
Nuk e kam këtë ide, sepse nuk mendoj se PS do të çmendet deri në këtë pikë.
 
Besoni se Rama mund të bëjë të njëjtën gjë si me Malajn? Të mos ju përfshijë në lista në 2017-ën?
 
Nëse do të kisha këtë frikë dhe këtë paranojë, mbase s’do kisha folur deri tani. Nëse do t’i shkoja kësaj paranoje, mund të heshtja si të gjithë dhe madje të kryqëzoja ata që do të kërkonin respektimin e statutit. Nuk e kam këtë frikë fare.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mbi 9 mijë gjoba për një javë, Rrugorja bën bilancin: 22 shoferë të arrestuar

Mbi 9 mijë gjoba për një javë, Rrugorja bën bilancin: 22 shoferë të arrestuar