Një mjek dhe një teknik imazherie të cilët punonin në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, janë arrestuar nga policia e Tiranës.

Mësohet se Nazmi Metaliu, mjek dhe Astrit Mansaku, teknik imazherie, u merrnin para pacientëve për të shmangur procedurën standarte spitalore për bërjen e skanerit.

Ndaj tyre rëndon akuza e korrupsionit. Ndërsa hetimet proaktive drejtuar nga prokurori, Bledar Valikaj kishin nisur prej javësh dhe janë dokumentuar disa raste të korrupsionit.

Nga hetimet rezulton se Nazmi Metali 63 vjeç dhe Astrit Mansaku, 51 vjeç, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë ushtrimit të detyrës u mundësonin qytetarëve të ndryshëm, bërjen e skanerit kundrejt shumave monetare në kundërshtim me rregulloren e spitalit për kryerjen e kësaj procedure.

Sipas procedurës, skanerat bëhen vetëm në raste urgjence dhe me rekomandim të mjekut duke pasur një planifikim të mëparshëm. Në rastin konkret, mjeku dhe tekniku i imazherisë në këmbim të shumave materiale kanë futur në skaner persona të cilët nuk kanë pasur urgjencë dhe as rekomandim nga një mjek i caktuar.

Report TV mëson se hetimet vijojnë për rastin e zbuluar për të parë nëse ka edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë korruptive.

Një prej të arrestuarëve, Nazmi Metaliu