Thotë se me sulmet ajrore është “shkatërruar aftësia e ajatollahëve për të prodhuar raketa balistike dhe për të pasuruar uranium”. Kjo ishte një nga objektivat kryesore që kishte vendosur Benjamin Netanyahu për operacionin “Ulërima e Luanit”.
Megjithatë, kryeministri izraelit nuk heq dorë nga ideja për ndryshim regjimi në Teheran, edhe pse e pranon vetë se për këtë “duhen trupa në terren”. Nuk e bën të qartë për cilën ushtri e ka fjalën dhe as nëse po i referohet qytetarëve iranianë, të cilët që në fillim i ka nxitur të ngrihen kundër regjimit.
Nga ana tjetër, një mesazh diplomatik i Izraelit drejtuar amerikanëve, i zbuluar nga Washington Post, paralajmëron se “protestuesit do të masakroheshin në rrugë”. Por as kjo nuk e ndalon Netanyahun të vazhdojë me thirrjet për revoltë.
Që nga 2009, kur u rikthye në pushtet dhe vazhdon ende sot, Netanyahu premton se do ta mbyllë historinë e bombës iraniane. E sheh si mision jetik, si për veten, ashtu edhe për vendin që drejton.
12 ditët e bombardimeve në qershorin e kaluar, një urdhër që e priste prej 16 vitesh ta jepte, sipas tij duhej ta kishin shkatërruar programin bërthamor të regjimit.
Kështu e kishte thënë edhe bashkë me Donald Trump. Por në realitet, të dy po luftojnë prej tre javësh që të thonë se kërcënimi ka mbaruar.
Irani
Netanyahu u kërkon izraelitëve “të shtrëngojnë dhëmbët, kështu është lufta”. Që nga fillimi i konfliktit, Pasdaranët kanë lëshuar 350 raketa drejt Izraelit, duke detyruar njerëzit të kalojnë orë të tëra në strehimore dhe duke prishur çdo ndjesi normaliteti.
Kryeministri ecën përpara pa i marrë parasysh pakënaqësitë, por hapja e frontit me Libanin ka detyruar ushtrinë të mobilizojë 450 mijë rezervistë. Shumë prej tyre kanë kaluar dy vitet e fundit në luftën në Gaza kundër Hamasit.
Sa i përket Hezbollahut, gjeneralët e pranojnë: grupi i mbështetur nga Irani do të vazhdojë të ketë armë, “por jo në jug të lumit Litani”. Ndërkohë, veteranët e 18 viteve në ato zona të Libanit, që disa e quajnë “Vietnami i Izraelit”, kanë frikë se plani është të merren dhe të mbahen territore të tjera në kufi.
Që pas armëpushimit të 2024-ës, Netanyahu kishte premtuar se banorët e fshatrave në veri, në zonën e Galilesë, do të ishin të sigurt. Por ende nuk janë.
Kur mbaron lufta
Fronti me Iranin dhe ai me Libanin lidhen vetëm deri diku. Netanyahu e di që ora e përplasjes me Teheranin është në dorën e presidentit amerikan.
Prandaj përpiqet të lëvizë më shpejt: ndërsa Trump thotë se do të “ulë intensitetin e operacioneve”, nga Jerusalemi një burim i nivelit të lartë, që zakonisht i referohet vetë Netanyahut, i thotë Yedioth Ahronoth se kundër regjimit islamik “duhen edhe dy javë”.
Megjithatë, vetë kryeministri ka thënë se nuk e sheh luftën pa fund dhe se ka objektiva konkrete: “Mund të mbarojë më shpejt nga sa mendojnë njerëzit”.
Uraniumi i pasuruar
Premtimi i vitit 2009 mbetet i njëjtë: të mos lejohet Irani të prodhojë armë bërthamore.
Në galeritë nëntokësore të impiantit në Isfahan dhe pjesërisht në Natanz, të bombarduara në qershor, besohet se ruhen rreth 450 kilogramë uranium i pasuruar në 60%.
Sipas Wall Street Journal, për ta marrë këtë material do të duhej një operacion i madh me mijëra ushtarë, kryesisht amerikanë.
Pikërisht për këtë arsye, Netanyahu flet për “çarje” në regjimin iranian dhe bën thirrje për një kryengritje kundër ajatollahëve. Ai kërkon që në pushtet të vijë dikush që të negociojë me Trump dorëzimin e materialit bërthamor dhe druhet se përndryshe problemi do të mbetet i 'varrosur' në Isfahan, jo edhe për shumë gjatë./CorrieredellaSera
Komente












