Me një krizë energjetike që po merr formë për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, Bashkimi Evropian po përpiqet të lërë mënjanë disa rregulla për të përballuar emergjencën, me synimin për të shmangur rritjen e menjëhershme të çmimeve, si ajo që u pa në verën e vitit 2022.
Në këtë kuadër mund të interpretohet edhe thirrja e fundit e Komisioni Evropian drejtuar shteteve anëtare: në vend që rezervat e gazit të mbushen në nivelin 90% për dimrin e ardhshëm — siç kërkohet zakonisht — propozohet që ky nivel të ulet në 80%, për të “siguruar stabilitet dhe për të qetësuar operatorët e tregut”. Fjala kyçe është “fleksibiliteti”, për t’iu përgjigjur kërkesës së familjeve dhe industrisë “në një moment kur oferta është e kufizuar”.
Kjo thirrje, e paraprirë nga Financial Times, vjen në një moment kyç: pikërisht kur temperaturat fillojnë të rriten, vendet rifillojnë të grumbullojnë rezerva gazi — të cilat ndërkohë janë ulur — në prag të sezonit të ardhshëm dimëror.
“Duhet të jemi gati — deklaroi dy ditë më parë ministri italian i Mjedisit dhe Sigurisë Energjetike, Gilberto Pichetto Fratin — të rindërtojmë rezervat deri në fund të vitit. Italia nis nga një pozitë më e favorshme krahasuar me pjesën tjetër të Evropës, falë burimeve të shumta alternative të furnizimit.”
Në gusht të vitit 2022, vit i shënuar nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, gara e shteteve për të siguruar furnizime ndikoi ndjeshëm në rritjen e çmimit të gazit mbi 300 euro për megavat/orë (krahasuar me rreth 59 euro aktualisht, pavarësisht rritjeve të fundit).
“Është e vërtetë, në gusht ne e shkatërruam tregun e gazit, por misioni ynë ishte të mbushnim rezervat”, pranoi në janar 2023 ish-zëvendëskancelari gjerman, Robert Habeck.
Sot, BE-ja synon të shmangë përsëritjen e këtij skenari. Për këtë arsye, thirrja është formalizuar në një letër të firmosur nga komisioneri evropian për Energjinë, Dan Jorgensen. Në këtë letër theksohet se “furnizimi energjetik i BE-së mbetet relativisht i mbrojtur”, por njëkohësisht pranohet se situata aktuale kërkon një “përgjigje kolektive”, pasi “zhvillimet e fundit tregojnë se mund të duhet më shumë kohë që prodhimi i gazit të lëngshëm (GPL) të rikthehet në nivelet para krizës”.
Ndërkohë, Komisioni kishte kërkuar që të mërkurën nga shtetet anëtare më shumë fleksibilitet edhe në zbatimin e rregullave që parashikojnë heqjen graduale të energjisë ruse.
Në zhvillime të tjera, furnizimet me gaz iranian drejt Irakut janë rifilluar me një ritëm prej 5 milionë metrash kub në ditë. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia shtetërore e lajmeve, duke cituar Ministrinë e Energjisë Elektrike të Irakut.
Flukset ishin ndërprerë pasi Izraeli goditi fushën kryesore të gazit të Iranit, South Pars, të mërkurën./ La Repubblica
Komente











