Franco, simboli i Milanit. Beppe (Giuseppe), dy vjet më i madh, simboli i Interit. Shpesh kundërshtarë në fushë, por kurrë në të njëjtën skuadër, përveç viteve të fëmijërisë te Travagliato dhe në ndeshjen lamtumirëse të Francos.

Rivalë në derbit e Milanos, të ndarë edhe në kombëtaren italiane, por të pandashëm në jetë, Beppe dhe Franco Baresi mbeten një nga shembujt më të bukur të përulësisë, besnikërisë dhe karakterit.

Të lindur në Travagliato, në provincën e Brescias, përkatësisht në vitet 1958 dhe 1960, ata kishin edhe një motër, Lucia, si dhe vëllanë më të madh, Angelo, i cili nuk arriti të bëhej futbollist profesionist.

Fëmijëria e tyre ishte e vështirë, por krenare, mes shkollës dhe kishës së fshatit, të drejtuar nga Don Piero Gabella, njeriu që Franco më vonë do ta quante "ndërtues ëndrrash".

Ishte pikërisht USO (Unione Sportiva Oratorio) skuadra e vetme ku dy vëllezërit luajtën së bashku, përpara se të bëheshin legjenda të Interit dhe Milanit. Përjashtimi i vetëm ndodhi në vitin 1997, në ndeshjen e lamtumirës së Francos, kur Beppe, i tërhequr prej tre vitesh nga futbolli, u rikthye në fushë vetëm për ta përqafuar vëllanë në një moment prekës.

Një jetë pa favore - Lavdia nuk erdhi lehtë për asnjërin prej tyre. Nëna e tyre, Regina, emrin e së cilës Beppe ia vendosi më vonë vajzës së tij futbolliste, ndërroi jetë në vitin 1971 pas një sëmundjeje të rëndë. Pak vite më vonë humbën edhe babanë, Terzo.

Beppe mbeti jetim në moshën 16-vjeçare, ndërsa Franco vetëm 14 vjeç. Në ato momente të vështira, trajneri i tyre te USO, Guido Settembrino, mbajti premtimin që i kishte bërë nënës së tyre dhe i çoi të dy vëllezërit në një provë te Interi, sapo Franco mbushi 14 vjeç.

Ironia e fatit ishte e pabesueshme. Beppe, që ishte tifoz i Milanit dhe ishte rritur duke admiruar Gianni Riverën dhe Gigi Rivën, e kaloi provën falë fizikut më të zhvilluar dhe iu bashkua Interit në vitin 1972.

Ndërsa Franco, tifoz i Interit që në fëmijëri, u refuzua sepse u konsiderua shumë i dobët fizikisht. Pak më vonë, Milani e mori në skuadër dhe pjesa tjetër u kthye në histori.

Dy flamuj besnikërie - Të dy u shndërruan në simbole të klubeve të tyre. Beppe luajti derbin e tij të parë si titullar më 6 nëntor 1973, në një ndeshje të fituar 3-1 nga Milani.

Derbi i parë ku dy vëllezërit u përballën si kundërshtarë u zhvillua më 12 nëntor 1978. Beppe regjistroi afro 600 paraqitje me Interin, klub ku vazhdoi të punojë edhe pas pensionimit, si vëzhgues. Ai u vlerësua gjithmonë për profesionalizmin, qëndrueshmërinë dhe aftësinë për të luajtur në disa role. E nisi si mbrojtës krahu, por shkëlqeu edhe si mbrojtës qendre dhe mesfushor mbrojtës.

Me Interin fitoi dy tituj kampionë, përfshirë atë historik nën drejtimin e Giovanni Trapattonit, dy Kupa të Italisë dhe një Kupë UEFA.

Karriera e tij me Kombëtaren nuk pati të njëjtin shkëlqim. Debutoi në vitin 1979, mori pjesë në Euro 1980, por mbeti jashtë skuadrës që fitoi Kupën e Botës 1982.

Më vonë do ta pranonte me sinqeritet: "Ishte faji im. M'u rrit pak mendja." Një rrëfim që, siç shkruajnë mediat italiane, meriton të mësohet nëpër shkolla. Ai u rikthye në Botërorin e Meksikës 1986, ku pati detyrën e vështirë të markonte Michel Platinin, i cili atë periudhë ishte në formën më të mirë të karrierës.

Franco, mbrojtësi që hyri në përjetësi - Ndërkohë, Franco fitoi gjithçka me Milanin, gjashtë tituj kampionë, tre Liga të Kampionëve, dy Kupa Ndërkontinentale, dy Superkupa të Evropës dhe një Superkupë të Italisë.

Me Italinë u shpall kampion bote në vitin 1982, edhe pse nuk luajti, ndërsa ishte protagonist absolut në Botërorin 1994 në Shtetet e Bashkuara. Fillimisht mahniti botën duke u rikuperuar në kohë rekord pas një operacioni në menisk vetëm për të luajtur finalen kundër Brazilit. Më pas preku zemrat e miliona tifozëve me lotët e tij, pasi humbi penalltinë në finalen e madhe.

Nëse Beppe ishte më i gjithanshëm në fushë, Franco kishte vetëm një rol, udhëheqësin e mbrojtjes. Dhe këtë e bëri aq mirë, sa fitoi pavdekësinë.

Krahu i tij i ngritur për të vendosur kurthin e pozicionit jashtë loje mbetet një nga imazhet më ikonike të historisë së futbollit, po aq sa edhe ndërhyrjet e tij të përsosura. Një njeri i thjeshtë, i heshtur dhe larg protagonizmit, që me shumë gjasa nuk do ta kishte pëlqyer zhurmën e futbollit modern dhe debatet e pafundme rreth VAR-it. /Gazzetta dello Sport


Lajmi kryesor:

Lamtumirë Franco Baresi! Mbrojtësi kampion që bëri histori me Milanin ndahet nga jeta në moshën 66-vjeçare