Një skemë e dyshuar kontrabande me mallra të blera në Itali përmes sistemit “tax free” është zbuluar nga një hetim i përbashkët i Doganave shqiptare dhe autoriteteve italiane. Mallrat bliheshin në Itali duke u deklaruar për përdorim personal, merrej rimbursimi i TVSH-së dhe dyshohet se më pas një pjesë e tyre futej në Shqipëri pa u deklaruar në doganë, për t’u tregtuar.

Hetimi përfshin dy raste të ndara me mbi 1 mijë fatura dhe një vlerë totale rreth 2 milionë euro. Në rastin e parë janë verifikuar blerje për rreth 988.684 euro, ndërsa në rastin e dytë vlera arrin në 1.033.338 euro.

Transaksionet janë kryer gjatë periudhës janar 2022-korrik 2025 dhe kanë tërhequr vëmendjen edhe për shkak të shpeshtësisë së tyre. Për secilin prej dy rasteve rezultojnë mesatarisht rreth 13 fatura në muaj, ndërsa në ditë të caktuara janë regjistruar nga 9 deri në 11 fatura brenda një dite të vetme.

Nga verifikimet janë konstatuar gjithashtu mungesë e burimeve të ligjshme të të ardhurave që të justifikonin blerjet, si dhe mospërputhje në destinacionin e mallrave.

Hetimi është zhvilluar përmes shkëmbimit të informacionit mes Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe administratës doganore italiane, pas evidentimit të një volumi të lartë kërkesash për rimbursim të TVSH-së dhe transaksionesh “tax free”.

Njoftimi i plotë i Doganave 

"Goditen rastet e shmangies së detyrimeve doganore nëpërmjet sistemit "tax free"

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në kuadër të rritjes së efikasitetit të bashkëpunimit përmes shkëmbimit të informacionit dhe zbatimit të ligjit, ka ndërmarrë një proces verifikimi me administratën doganore italiane (ADM – Direzione Antifrode e Controlli), si dhe me institucionet e tjera ligjzbatuese brenda vendit.

Ky proces hetimor vjen në kuadër të intensifikimit të bashkëpunimit me autoritetet italiane në lidhje me shkëmbimin e informacionit mbi transaksionet e dyshimta, që pas analizës së riskut kanë përcjellë për verifikim një volum të lartë kërkesash për rimbursim të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe transaksionesh të kryera përmes skemave "tax free" (rimbursimit të TVSH-së) gjatë periudhës janar 2022 – korrik 2025.

Nga analiza e detajuar e të dhënave është evidentuar një shpeshtësi e lartë e transaksioneve, mungesë e burimeve të ligjshme të të ardhurave që të justifikojnë blerjet, si dhe mospërputhje në destinacionin e mallrave. Volumi i lartë i faturave (mesatarisht rreth 13 në muaj për secilin rast, me grupime deri në 9–11 fatura brenda një dite të vetme) i bën këto transaksione të dyshimta për përdorim personal.

Konkretisht, në qendër të këtij hetimi janë mbi 1,000 faturime individuale të ndara në dy raste, me një vlerë totale rreth dy milionë euro (respektivisht rreth 988,684 euro për rastin e parë dhe 1,033,338 euro për rastin e dytë).

Skema e dyshuar (modus operandi) konsiston në blerjen e mallrave në territorin italian, duke i deklaruar ato për përdorim personal dhe përfitimin e rimbursimit të TVSH-së përmes sistemeve "tax free". Me anë të këtij mekanizmi, dyshohet se një pjesë e këtyre mallrave janë futur në territorin e Republikës së Shqipërisë si kontrabandë për qëllime tregtare, pa kryer procedurat e detyrueshme të deklarimit të importit.

Materialet paraprake dhe gjetjet e këtyre hetimeve i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave rikonfirmon vendosmërinë e saj për të bashkëpunuar ngushtë me autoritetet homologe ndërkombëtare dhe institucionet ligjzbatuese, me qëllim mbrojtjen e interesave financiare dhe goditjen e çdo forme të evazionit apo paligjshmërisë"