Duhet të bëjmë kujdes që të mos u japim rrethana lehtësuese apo justifikime atyre që shkatërruan Milanon: nuk i meritojnë. Mund të kërkojmë shpjegime te shoqëria, familjet apo shkolla. Por justifikime, jo. Kush shkatërron, vjedh dhe tallet me Milanon duhet të ndalohet, të dënohet dhe të ndëshkohet. Sociologjia, përballë plagëve të një qyteti, duhet të presë.
Për protagonistët e fundjavës së fundit të turpshme nuk kemi gjetur ende një emër të përshtatshëm. T'i quash rrugaçë është pak. Kriminelë nuk është fjala e duhur. Vandalë është një term historik, tashmë i konsumuar. Për të dhunshmit e futbollit kishim marrë një fjalë nga anglishtja, “hooligan”. Edhe ata shkatërronin dhe rrihnin për kënaqësinë e adrenalinës. Por nuk vidhnin dhe nuk kishin rrjete sociale: motorin dhe vitrinën e asaj që ndodhi ditët e fundit në Milano.
Plaçkitësit me fytyra të mbuluara janë shumë të rinj. Katër në pesë prej të ndaluarve janë të mitur. Por fyerja ndaj qytetit ishte e tmerrshme dhe poshtërimi kolektiv, i pamëshirshëm. T'i falim sepse nuk e dinë çfarë bëjnë? Ndoshta më vonë. Por fillimisht duhet t'i bëjmë të kuptojnë se çfarë kanë bërë.
Ata shkatërruan, plaçkitën dhe plagosën njëqind policë, në kërkim të emocioneve të forta, një palë atleteve dhe një postimi në Instagram.
A duhet të dorëzohemi? Sigurisht që jo. Milano ka dobësitë e saj, por dorëzimi nuk është një prej tyre. Përkundrazi, duke qenë se shumë ndryshime në Itali kanë nisur pikërisht nga ky qytet, mund të ndodhë që edhe përgjigjja ndaj kësaj marrëzie bashkëkohore, shkatërrimit si mënyrë për të kaluar kohën, të nisë nga këtu.
Do të ishte një arsye për krenari dhe një mënyrë për të qenë të dobishëm. Një përgjigje tipike milaneze, nëse ka një të tillë.
E mbani mend çfarë ndodhi më 1 maj 2015? Ishte e premte. Atë ditë hapej Expo, suksesi i së cilës nuk ishte aspak i sigurt. Kishte pasur vonesa dhe polemika, ndërsa njerëzit dukeshin të painteresuar. Pastaj ndodhi diçka, për të cituar titullin e një tregimi të Dino Buzzatit.
Grupe personash të veshur me të zeza dhe me fytyra të mbuluara, italianë dhe të huaj së bashku, shkatërruan lagje të tëra të qytetit. E quanin veten “Black Bloc”. Udhëtonin nëpër Europë në kërkim të një preteksti dhe atë ditë radha i kishte ardhur Milanos.
Mbaj mend që të nesërmen në mëngjes shkrova në Corriere: “Kisha disa dyshime për Expo-n, tani nuk kam më. Aktiviteti do të ketë sukses dhe Milano do të përjetojë vite emocionuese. Sepse ka disa gjëra që ky qytet nuk i duron: ata që imponohen me forcë, këtu do të humbasin gjithmonë”.
Jam i kënaqur që, për një herë, parashikimi im doli i saktë. Expo 2015 ndryshoi gjendjen shpirtërore të Milanos, duke i dhënë qytetit një vetëdije të re. Pesë vitet që pasuan, deri në vitin 2020 dhe pandeminë, lanë gjurmë që duken edhe sot.
Mund të ndodhë përsëri. Milano është tepër e rëndësishme dhe mjaftueshëm inteligjente për ta kuptuar se duhet të reagojë. Reagimi i parë, më i thjeshti dhe më i shëndetshmi, është të veprojë e bashkuar: pa sofizma, pa dredhi dhe pa lojëra fjalësh.
Duke u nisur nga një parim i panegociueshëm: asnjë vështirësi sociale nuk e justifikon atë që pamë. Në këtë rast, vështirësitë sociale përdoren si alibi, madje as origjinale. Dhe le ta themi më në fund: pothuajse të gjitha periferitë e mëdha të botës janë në gjendje më të keqe se periferia e Milanos.
Do të ishte e rëndë nëse politika, në prag të zgjedhjes së kryebashkiakut të ri, do të përçahej për këtë çështje duke kërkuar përfitime elektorale.
Prej dekadash, forca qytetare e Milanos ka qenë pikërisht kjo: fituesit dhe humbësit, pasi mbyllen kutitë e votimit, bashkëpunojnë. Këtë herë duhet ta bëjnë menjëherë.
Kanë mbetur edhe disa muaj deri në zgjedhjen e kryebashkiakut që do të zëvendësojë Beppe Salën, por ajo që ndodhi është tepër e rëndë për të pritur dhe për t'u grindur ndërkohë.
E përsëris: të mos kërkojmë justifikime. Le të kërkojmë, nëse është e nevojshme, shpjegime.
Sa e madhe duhet të jetë zbrazëtia në mendjet e atyre të rinjve, që përçartjet e ndonjë këngëtari trap të kthehen në ungjill për ta? Ku janë familjet? Çfarë bën shkolla? Dhe si duhen ndëshkuar sjellje të tilla?
Burgu për të miturit nuk shërben. Dëmshpërblimi për dëmet e shkaktuara dhe puna e detyrueshme në shërbim të komunitetit janë më të efektshme.
Nëse Milano do të tregonte një zgjidhje, dhe këtë duhet ta bëjë shpejt, sepse demografia nuk pret, do të dëshmonte edhe një herë se reputacionin e saj e ka të merituar.
Vetëm një qytet që nuk gjen qetësi dhe që është bujar mund të ketë forcën dhe guximin e pamenduar për të qetësuar ankthin kolektiv, për të ndërthurur të vjetrën me të renë dhe për të projektuar bashkëjetesën e viteve 2030.
Vetëm Milano mund ta provojë./CorrieredellaSera










Komente
Komento