TIRANE, 26 Shkurt/ATSH/- Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, deklaroi të enjten në Kuvend se 1/3 e trupës mjeksore duke përjashtuar infermierët nuk kane marrë kreditet e nevojshme të ciklit 5-vjeçar të edukimit në vazhdim.
"Ne kemi në shëndetësi, aktualisht me burimet njerëzore një situatë që unë do t'a quaja emergjencë kombëtare. Në përfundim të ciklit të parë 5 vjeçar të edukimit në vazhdim rezulton se 36 % e mjekëve , 28 % e farmacistëve dhe 52 % e mjekëve stomatologë nuk kane arritur të marrin kreditet e caktuara për këtë proces dhe normalisht nuk mund t'a ushtrojnë më profesionin e tyre, nëse brenda 6 muajsh nuk do t'i nënshtrohen një procesi riçertifikimi", tha Beqaj.
Sipas tij, jemi përballë alternativës nëse këtë trupë mjekësore duhet t'a lejojmë të ushtrojë profesionin e të japin kujdes shëndetësor, me pasigurinë në njohuritë e tyre, apo mos t'i lejojmë dhe të krijojmë menjëherë një boshllëk me 1/3 e trupës mjekësore. "Ne kemi vendosur të angazhojmë të gjitha institucionet që të merren seriozisht për të bërë maksimumin per te arritur që deri në mesin e muajit prill të shpallim programet e edukimit dhe brenda tetorit të bëhet provimi në mënyrë që të mbarojmë këtë proces me sa më pak kosto", deklaroi ai.
Duke folur për vendimin e Gjykatës Administrative, e cila një ditë më parë pezulloi vendimin e ministrisë së Shëndetësisë për testimin e infermierëve, Beqaj tha se ai testim, në gjykimin tonë është i domosdoshëm.
"Testimi nuk prek tre gjëra, nuk prek marrëdhëniet e punës, që janë nga gjërat më të rëndësishme, nuk prek pagën dhe nuk prek as të drejtën e lejimit të ushtrimit të profesionit", tha Beqaj.
/z.tosku/f.n/








