TIRANË, 21 Korrik /ATSH- I. Vata/-Ministri i Shëndetësisë prezantoi sot programin e riçertifikimit për bluzat e bardha për vitet 2010-2014, nga ku ministri Ilir  Beqaj paralajmëroi se "nuk do të lejojmë që të vazhdojnë të punojnë si mjek, asnjë nga ata të cilët do të shpërfillin kërkesat dhe në fund të vitit, do të jenë me zero kredite".
Në fjalën e tij, gjatë aktivitetit për "Takimin Informues mbi Programin e Riçertifikimit, 2010-2014" me drejtuesit e institucioneve shëndetësore, lidhur me kriteret dhe sanksionet që zbatohen në programet e riçertifikimit, rolin e institucioneve në planifikimin, organizimin dhe mbështetjen e edukimit në vazhdim për profesionistët e kujdesit shëndetësor, si dhe do të prezantohen udhëzime të tjera praktike për plotësimin e kërkesave të programit të ricertifikimit, Beqaj deklaroi se për këtë kategori do të këtë masa të menjëhershme.
"Nisur nga situatat ku jemi, Bordi i Proçesit të Çertifikimit, gjatë mbledhjes së pak ditëve më parë, mori parasysh kriteret e riçertifikimit dhe sanksionet e parashikuara dhe ka dalë me disa përfundime. Paraprakisht, do t'u hiqet liçensa të gjithë profesionistëve dhe e rifitojnë atë vetëm pas dhënies së provimit të shtetit", deklaroi Ministri i Shëndetësisë.
Ai shtoi më tej se "edhe ata profesionistë që kanë kredite, por jo sa niveli i mjaftueshëm, brenda gjashtë muajsh, pas mbarimit të afatit pesëvjeçar do të duhet të rihyjnë në provimin e shtetit. Për ata që nuk kanë pranuar të hynë në provimin e shtetit, vendi i tyre del vakant dhe u pezullohet liçensa".
Gjithashtu, ministri Beqaj, vlerësoi faktin se ky proçes që të mund të funksionojë siç duhet është e domosdoshme që secili nga të gjithë aktorët kryesor, duhet të marri rolin e tyre.
Ministri sqaroi se dikasteri që ai drejton do të t'u ofrojë konsulencë të vazhdueshme pë shqetësimet apo paqartësitë që do të kenzë mjekët në hartimin e programit të punës./a.g/