TIRANË - Në seancën plenare të Kuvendit te ditës së enjte, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, tha se "ne arritëm të furnizojmë me vlerë 1.2 milion dollarë  më shumë me barna dhe materiale minimale mjeksore, pajisje të rëndësishme bio-mjekësore, të vëna në shërbim në spitalin e traumës Tiranë, spitalin Rajonal të Durrësit, Spitalin Rajonal të Korçës, për të vendosur bazat e një funksionimi normal.
Beqaj foli per gjëndjen financiare të lënë nga qeveria e kaluar, duke përmenduar edhe programet buxhetore, të cilat, sipas tij, duhet të përmbushnin nevojat minimale jetike të qytetarëve shqiptarë. "Situata në shëndetësi ishte problematike. Spitalet në muajin shtator 2013 ishin të pafurnizuara me barna, një pjesë e mirë e pajisjeve ekzaminuese nuk funksiononin. Ndërkaq, ishte akumuluar prej vitesh një borxh detyrimesh të pashlyera për furnizime me barna, materiale mjekësore apo sherbime të tjera bazike për shërbimin shëndetësor parësor", tha ministri Beqaj.
Gjithashtu, ai përmedi faktin se në fund të muajit gusht 2013, drejtuesit e qeverisë së kaluar, nëpërmjet veprimeve administrative të realizuara nga ana e tyre, penguan funksionimin normal te shërbimit shëndetësor. Beqaj shtoi se "praktikisht, në muajin gusht nuk është respektuar kontrata e mirëmbajtjes së pajisjeve të rëndësishme ekzaminuese në QSUT. Ndaj ishte e domosdoshme të krijonim një stabilitet minimal, një funksionim normal të spitaleve tona". /ATSH/