Beqaj: Që prej Janarit, Kimioterapia
edhe në spitalin Rajonal të Elbasanit

Beqaj: Që prej Janarit, Kimioterapia<br />edhe në spitalin Rajonal të Elbasanit
Pacientët e Elbasanit të prekur nga sëmundjet tumorale e marrin tashmë shërbimin e kimioterapisë në spitalin rajonal të këtij Qarku.

Investimi i realizuar në këtë spital për ofrimin e shërbimit të njohur si “Day Hospital”, për të gjithë ata qytetarë, të cilët kryejnë seancat e kimioterapisë, garanton edhe përgatitjen e mjekimit me barna pranë Kapave (aparaturave të specializuara), dhe jo më në mënyrë manuale siç kryej disa vite më parë duke ofruar disa protokolle bazë për këta të sëmurë.

Në këtë mënyrë, pacientët e qarkut të Elbasanit nuk do të duhet më të udhëtojnë drejt Tiranës, duke shmangur në këtë mënyrë edhe radhën e pritjes, por mund të marrin një pjesë të shërbimeve pranë spitalit Rajonal të Elbasanit.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i shoqëruar edhe nga deputeti i Partisë Socialiste, z. Taulant Balla, vizituan mjediset e rikonstruktuara ku ofrohet shërbimi i kimioterapisë.

Ministri Beqaj u shpreh se këtë vit po bëhet e mundur që të sëmurët me sëmundje të rënda tumorale, një pjesë të shërbimit ta marrin në spitalet Rajonale dhe të mos jenë detyruar më që ti drejtohen vetëm spitalit në Tiranë në Qendrën Universitare.

“Në spitalin Rajonal të Elbasanit ne bëmë përgatitjet e infrastrukturës së nevojshme që prej një viti, dhe këtë vit kemi 100 milionë lekë në buxhet të programuar për të siguruar barnat Citostatikë për të filluar mjekimin e mjaft pacientëve apo pacienteve nga Elbasani dhe i gjithë qarku i Elbasanit “, tha z. Beqaj.

Kreu i Shëndetësisë theksoi se kjo është një lehtësi e madhe jo vetëm për të sëmurin, por edhe për familjarët e tij.

 “Janë përpjekje që bëjmë për të rritur kujdesin shëndetësor në të gjithë vendin, jo vetëm për të lehtësuar barrën financiare të familjeve por edhe për ta ofruar sa më pranë vendbanimit. Dhe Elbasani është një nga pesë spitalet, përveç QSUT-së, ku ky shërbim ka filluar që nga Janari të jetë funksional”, deklaroi Ministri Beqaj.

Ndërkohë, deputeti Balla falënderoi Ministrin Beqaj për këtë nismë, duke nënvizuar se kjo ka qenë prej vitesh një shqetësim i pacientëve por edhe i familjarëve të tyre.

“Prej vitesh ka qenë një shqetësim i shumë familjarëve të atyre pacientëve, të cilëte fati u ka dhënë të përballen me një sëmundje kaq të vështirë sikurse janë këto sëmundjet tumorale, por një pjesë e tyre, tashmë, ato që janë më shumë bazike po fillojnë të trajtohen në spitalin Rajonal të Elbasanit dhe unë e falënderoj Ministrin e Shëndetësisë, por edhe gjithë stafin e mjekëve dhe drejtuesve të spitalit Rajonal të Elbasanit, që më në fund, ne kemi mundësi që këtyre pacientëve me këtë sëmundje të vështirë betejën për jetën mos ta zhvillojnë më përmes një, edhe të themi sorollatje rruge në Tiranë në mënyrë të përditshme, por këtë shërbim ta marrin këtu në Elbasan”, u shpreh Balla.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike