TIRANE- Projekti prej 7 milion eurosh për ndërtimin e Spitalit Rajonal të Tiranës duket se vetëm tani është venë në zbatim. Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka bërë publike detaje nga ky projekt i cili duket se do të nisë të funksionojë gjysmën e dytë të këtij viti. Sipas tij, një pjesë e godinës së spitalit të mushkërive, të njohur ndryshe si Sanatoriumi, të vendoset shërbimi i kardiologjisë, reanimacioni, si dhe urgjenca.

“Në mes të vitit do të mund të hapim këtu dhe shërbimin e koronarografisë, por do të duhet të vëmë në punë në radhë të parë reanimacionin. Të garantojmë me materiale mjekësore të nevojshme për këto ekzaminime, sigurisht që është e nevojshme një pjesë e angazhimit për ta shndërruar këtë spital në një Spital Rajonal që të mund të marrë përsipër një pjesë të urgjencës. Por edhe kjo do të duhet jo vetëm përpjekja jonë, ardhja këtu për urgjencë nuk është aq e lehtë sipas rrugës dhe trafikut që është”, tha ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Sipas tij, hapja e spitalit rajonal do të sjellë një sërë lehtësirash për kryeqytetasit të cilët aktualisht nuk e kanë një spital ashtu sikurse ndodh në të gjitha qytetet e vendit. Ndërkohë sa i përket QSUT ai do të shërbejë vetëm për trajtimin e rasteve të rënda si nga Tirana ashtu edhe nga të gjitha rrethet. Por edhe senatoriumi do të vazhdojë të ketë të njëjtin funksion ashtu sikurse edhe sot, trajtimin e pacienteve me probleme të theksuara të mushkërive.

Deklaratat e Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj janë bërë gjatë vizitës në spitalin e Sanatoriumit ku u dhuruan 8 spirometra, aparaturë diagnostikuese e mushkërive. Sipas ekspertëve falë kësaj aparature do të kapen në kohë dëmtimet patologjike, që mund të kenë pasoja të rënda për shëndetin e të sëmurëve. Të dhënat tregojnë se 12.4 për qind e popullatës vuajnë nga sëmundje të mushkërive, ndërkohë që edhe niveli i vdekshmërisë nga patologjitë që prekin këto organe është i lartë. Mjekët thonë se çdo ditë përballen me një fluks pacientësh nga të gjitha rrethet e vendit. Në vit diagnostikohen mbi 3000 persona që vuajnë nga sëmundjet polmunare.

“Në Shqipëri sëmundjet polmunare obstrotive ka një prevalencë shumë të lartë rreth 12.4% e popullatës mbi 40-vjeç vuan nga kjo sëmundje e cila ka dëmshmëri shumë të lartë dhe është shkak i invalidetit ”tha Hasan Hafizi, shef i shërbimit të Pneumologjisë. Të ndodhur përballë kësaj situatë të sëmundshmërisë, Ministria e Shëndetësisë ka parashikuar vendosjen e 60 aparaturave të spirometrave në të gjitha spitalet e vendit në mënyrë që pacientëve të mos u duhet të udhëtojnë deri në Tiranë për të kryer diagnostikimin.

“Këto pajisje mjekësore përmirësojnë cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve, sepse me këtë numër aparaturash, për herë të parë në këtë spital, kemi mundësinë t'i shërbejnë njëkohësisht si pacientit të hospitalizuar, edhe atij që vjen në ambulator, ashtu edhe urgjencave. Shpeshherë, ky ekzaminim është përcaktues për vendosjen e diagnozës për të sëmurët me patologji të mushkërive” ka theksuar Beqaj. Sipas ekspertëve, falë kësaj aparature e cila do të jetë e disponueshme edhe brenda në dhomat e shtrimit të të sëmurëve do iu diagnostikohen në kohë sëmundjet e duhanit dhe astmës bronkiale.

Shkrimi u publikua sot (19.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)