I nderuar kryeministër, zoti Edi Rama,
Zonja Manastirliu,
Profesore e profesorë të respektuar,
Mjeke e mjekë,
Infermiere e Infermierë,
Profesioniste e profesionistë të shëndetësisë,
“Sekreti i suksesit është këmbëngulja për arritjen e qëllimit,” do të thoshte Sir Benxhamin Dizraeli, kryeministri reformator britanik i fundshekullit të nëntëmbëdhjetë, njeriu që ndryshoi rrënjësisht sistemin politik në demokracinë më të vjetër të botës.
Jam i bindur, se vetëm në këtë mënyrë, me vizion të qartë, vendosmëri dhe ndjenjë të lartë përgjegjshmërie, qeveria e Kryeministrit Edi Rama do ta shndërrojë edhe projektin madhor për rimëkëmbjen e sistemit tonë të kujdesit shëndetësor në një histori suksesi.
Ashtu siç e kemi sjellë në vëmendjen tuaj edhe më herët gjatë paraqitjes së programit tonë qeverisës, shërbimi shëndetësor është shërbimi më i keq midis shërbimeve publike që marrin shqiptarët.
Do të mund të vazhdoja pafundësisht, duke cituar edhe më tej të dhëna e tregues dëshpërues për gjendjen e mjerueshme të sistemit shëndetësor në vend, por dua ta shfrytëzoj kohën e vyer të këtij takimi për të folur rreth modelit të ri që ne duam të ndërtojmë dhe jo për të diagnostikuar mangësitë e sistemit ekzsitues, që gjithësesi, ka nevojë për një analizë dhe rivlerësim tërësor.
E kemi bërë të qartë se synimi ynë parësor është zgjatja e viteve të shëndetshme të jetës së popullatës dhe parandalimi i fataliteteve të parakohshme duke rivendosur, ruajtur e përmirësuar shëndetin.
Por, mungesat dhe pamjaftueshmëritë e shërbimit të kujdesit shëndetësor, janë tashmë sistemike, prandaj, besojmë se ka nevojë urgjente për një reformë tërësore e të shumëanshme që sistemi ynë shëndetësor të rimëkëmbet.
Dhe, le ta nisim këtë reformë, me QSUT-në; duke e kthyer këtë institucion, në modelin e shërbimit publik që kanë nevojë dhe duhet të meritojnë shqiptarët!
Jam tërësisht i bindur se, të gjithë së bashku, mund dhe do t’ia dalim!
Premtova qysh në takimin tim të parë në QSUT, menjëherë pas marrjes së detyrës, se do të çlironim territorin nga gjithëfarëlloj aktivitetesh jo-mjekësore dhe do t’ia kthenim hapësirat publike qytetarëve dhe personelit shëndetësor, brenda 100 ditëve të para të qeverisjes.
Kemi arritur, që në harkun kohor të shumë më pak ditëve, të largojmë secilin prej këtyre aktiviteteve dhe ta pastrojmë tërësisht hapësirën e përbashkët të QSUT-së.
Jam i gëzuar sot që vij para jush me një premtim të mbajtur dhe jam po aq i inkurajuar që gjeta mbështetjen tuaj qysh në ditën e parë të punës!
Përgëzimet e mija të veçanta shkojnë për Gertën, që me përkushtim e profesionalizëm ka drejtuar përpjekjet e këtyre ditëve.
Falenderim edhe për forcat e armatosura për mbështetjen logjistike, edhe për forcat rendit të komisariatit 4, si dhe për Inspektoriatin e Ndërtimit.
Ky është një shembull i qartë se si mund të punojmë së bashku për t’ia kthyer dinjitetin QSUT-së dhe për t’ua kthyer atë përfundimisht njerëzve dhe punonjësve të shëndetësisë.
Në këtë këndvështrim, jemi këtu për të vendosur së bashku një urë të përhershme komunikimi dhe konsultimi të vazhdueshëm, e cila, besoj se do të ndihmojë në mbarëvajtjen e përpjekjeve të dyanshme për përmirësimin e sistemit të kujdesit shëndetësor shqiptar.
Së bashku, mund të krijojmë një model të ri të rolit, por edhe të sistemit të menaxhimit të QSUT-së, si shërbimi spitalor universitar me rol parësor edhe në udhëheqjen profesionale të shërbimeve spitalore në të gjithë vendin, pa harruar edhe misionin e rëndësishëm të përgatitjes së brezave të rinj të mjekeve dhe mjekëve.
Mund të mos merremi vesh për gjithçka, dhe me shumë gjasë, nuk do të ndodhë të merremi vesh për çdo gjë.
Reformat e vërteta krijojnë pakënaqësi, përplasje e vështirësi.
Të enjten e kaluar, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, midis të tjerash, kryeministri Toni Blair evidentoi se nëse do të ketë vetëm të kënaqur nga ajo çfarë po bëjmë, atëhere kjo do të thotë se nuk po bëjmë asgjë.
Përvoja e re që do të sjellim me planifikimin dhe mirëmenaxhimin, si dhe nismat që do të ndërmarrim për optimizimin e burimeve që kemi në dispozicion, besoj se do ta shërojnë njëherë e përgjithmonë plagën e kahershme të mungesës së furnizimit me barna dhe materiale mjekësore.
Nuk mund të pranohet më të ndodhë si psh në vitin 2012, ku janë përjashtuar nga mundësia e përdorimit prej kalimit të datës së skadencës, barna me vlerë rreth 430 mijë dollarë.
Falë këmbënguljes së drejtoreshës dhe disponibilitetit të një specialist të huaj aparati i kobaltoterapisë u rivu në punë të enjten e kaluar. Por një dorë e padukshme duket se endet nëpër QSUT, sepse të nesërmen, të premten, u prish skaneri.
Janë 6 milionë dollarë pajisje mjekësore të kushtueshme që aktualisht janë jashtë funksionit. Ose janë të prishura, ose prej disa vitesh nuk janë vënë kurrë në punë. Këtë dorë të padukshme do ta ndalim shumë shpejt.
Ndonëse korrupsioni i përhapur e i shumëpërfolur dhe interesat e drejtpërdrejta të aktorëve të përfshirë në të ashtuquajturin sektor "gri" të shëndetësisë, duket se janë shkaku kryesor i problemeve dhe keqmenaxhimit të tyre, ne besojmë se ato janë, pikësëpari, pasojë e
mungesës apo keqmenaxhimit të shërbimit të kujdesit shëndetësor. Gjithashtu, edhe pasojë e mungesës së theksuar të transparencës dhe gjithëpërfshirjes së të gjithë aktorëve kyç të kujdesit shëndetësor.
Prandaj, jam këtu, për t’ju siguruar se në çdo hap të punës sonë do të jemi pranë jush, me gatishmërinë maksimale për t’ju ndihmuar e dëgjuar, ku secili do të ketë hapësirën e domosdoshme e të nevojshme për të shprehur mendimin e vet.
“Ndryshimi ndërmjet asaj që bëjmë dhe asaj që jemi në gjëndje të bëjmë, do të mjaftonte për të zgjidhur shumicën e problemeve të botës,” ka thënë Gandi.
Le t’i hapim rrugën këtij ndryshimi së bashku!
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)