Në qytetin e Beratit janë evidentuar 30 raste të reja me kancer gjiri vetëm gjatë periudhës janar–tetor 2025, një rritje e ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve 2023 dhe 2024. Mes të prekurave ka edhe raste me prognozë të rëndë, ndërsa mjekët flasin për një tendencë në rritje të kësaj sëmundjeje.
“Kemi pasur edhe raste me prognozë të rëndë”, tha onkologia Eriselda Tahiraj.
Pavarësisht fushatave të zhvilluara gjatë muajit tetor, në kuadër të “Tetorit Rozë”, rastet e diagnostikuara me kancer gjiri po shtohen çdo ditë. Të gjitha pacientet po marrin trajtim me kimioterapi në Spitalin Rajonal të Beratit.
“Kimioterapia ka filluar të aplikohet në Spitalin Rajonal Berat që nga viti 2023. Zhvillohet një herë në javë dhe rastet janë shtuar. Reparti funksionon me kapacitet të plotë, me 3 mjekë dhe 3 infermierë, në përputhje me standardet bashkëkohore. Kështu shmangen sorollatjet e panevojshme drejt Tiranës”, shprehet me tej.
Moshat më të prekura variojnë nga 25 deri në mbi 65 vjeç, por grupmosha më e shpeshtë është 45–55 vjeç.
“Komplikacionet varen nga stadi në të cilin kapet sëmundja dhe nga faktorët hormonalë që përcaktohen përmes ekzaminimeve histo–patologjike”, thekson mjekja.
Kanceri i gjirit mbetet një sëmundje ku fokusi kryesor është parandalimi dhe depistimi në kohë, ndaj fushatat sensibilizuese dhe mamografitë janë shumë të domosdoshme. Edhe pse shkaku konkret nuk është përcaktuar ende, kanceri i gjirit mbetet një sëmundje multifaktoriale, ku ndikojnë faktorët gjenetikë, mjedisorë, ushqimorë dhe stresi. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, Berati renditet ndër qytetet me incidencë të lartë të rasteve me kancer.
Komente










