BERAT - Në njoftimet e përditshme zyrtare që policitë e qarqeve në vend nisin në redaksitë e mediave, thuajse nuk mungojnë asnjëherë rastet e dhunës në familje dhe të lëshimit të urdhrave të mbrojtjes, kryesisht për gratë. Por fenomeni shqetësues që bie në sy, është se veç dhunës së burrave ndaj grave apo ish-bashkëshorteve të tyre, tashmë janë edhe fëmijët që ngrejë dorën ndaj prindërve. Në raportimet e këtyre rasteve nga policia, dukshëm bie në sy se mbizotëron dhuna e djemve të rinj ndaj baballarëve të moshuar, ndërsa më rrallë - edhe ndaj nënave.
 
Por në fshatin Samaticë të Beratit ka surprizuar një vajzë! 30-vjeçarja me inicialet M.B është arrestuar nga policia pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së saj, 58-vjeçares me incialet H.B.

Në mbyllje të 8 marsit, ditës simbol të gruas dhe të drejtave të saj, nëna e dhunuar ka shkuar në polici për të kërkuar mbrojtje nga vajza e saj. Rreth orës 01:20 të 9 marsit, efektivët e policisë plotësuan kërkesë-padinë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për të dhunuarën.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)