Berat Gjimshiti mund ta shohë veten te Napoli që në merkaton e janarit. Gazetari Luca Cerchione në "Tutti al VAR" bën me dije nga Italia se kapiteni i Kombëtares kuqezi mund të jetë pjesë e një shkëmbimi me mbrojtësin e Napolit, Leo Ostigard.
Norvegjezi nuk ka marrë minuta te kampionët në fuqi të Italisë, ndërsa edhe me bekimin e Mazzarrit pritet një shkëmbim me Beratin. Gjimshiti mund ta shohë veten të formojë dyshen e mbrojtjes me Rrahmanin, duke ndërruar fanellë, por jo kampionat.
"CalcioNapoli" ka dhënë edhe disa variante të tjera nëse Atalanta nuk do bindet për këtë shkëmbim dhe të lërë Gjimshitin të largohet në këtë formë. Gjimshiti, kapiteni i Kombëtares vlen 10 milionë euro, aq sa Ostigard dhe nga pikëpamja financiare asgjë nuk do ndryshonte.
Pyetja e madhe qëndron nëse Gasperini do privohej nga shtylla e prapavijës dhe nga lojtari që i peshon fjala në dhomat e zhveshjes të Atalantës kaq lehtë.