Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 të së martës në fshatin Donofrosë të ish/komunës Kutalli në bashkinë e Urës-Vjagurore.
Personat e maskuar dhe të aramtosur kanë shfrytëzuar mungesën e dritave në fshat për të hyrë në banesën e Baxhiajve, ku ndodheshin vetëm 2 bashkëshortët. Sapo kanë hyrë në banesën e çiftit personat kanë kërkuar njërin nga djemtë e tyre,që sapo ishte kthyer nga Anglia.
“Ku e keni djalin?”—kjo ka qenë fjalia e thënë disa herë nga personat e maskuar në momentin e mësymjes në këtë banesë.
Pasi kanë kërkuar në çdo dhomë e kanë parë se djali nuk ishte, ata janë konfliktuar me çiftin dhe kanë qëlluar me qytën e armës në kokë 57-vjeçarin Osmën Baxhia dhe më pas edhe bashkëshorten e tij Drita Baxhia,55-vjeçe që ishte futur në mes për të mbrojtur të shoqin.
Edhe pse në banesë ka pasur lekë “kesh” personat e maskuar nuk kanë prekur asgjë, kanë marrë vetëm 2 celularët e çiftit dhe janë larguar nga banesa.
Ngjarja ka tronditur mjaft jo vetëm familjen Baxhia por edhe banorët e fshatit,të cilët shprehen të frikësuar pas asaj që mësuan se kishte ndodhur në këtë familje.
“Sot në mëngjes e mora vesh, unë kamë frikë për vete tani. Dritat fikur kanë qenë gjatë të gjithë ditës edhe paradite edhe pasdite. Në mëngjes e mora vesh, frikë është. Ata burrë e grua jetojnë vetëm, djalin e kanë në Angli”, thonë banorët.
Pas njoftimit të marrë,në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie,të cilët janë duke krehur zonën që prej natës së djeshme si dhe kanë ngritur pika kontrolli në akset kryesore nacionale dhe rurale. Policia deklaron se,po punohet për të zbardhur ngjarjen dhe për të identifikuar e kapur autorët.
Njoftimi i plotë i policisë:
Rreth orës 21:15, në Sallën Operative ka mbërritur një telefonatë se në fshatin Donofrosë, Ura Vajgurore, disa persona të maskuar kanë hyrë në banesën e shtetasit O.B. Menjëherë shërbimet e policisë kanë shkuar në vendngjarje ku kanë konstatuar se :
Shtetasi O.B, 57 vjeç dhe bashkëshortja e tij shtetasja D.B , 55 vjeçe, kishin dëmtime të lehta në pjesën e kokës jashtë rrezikut për jetën. Nga deklarimet paraprake të bashkëshortëve rezulton se disa persona të maskuar dyshohet të armatosur kanë hyrë në banesën e tyre,.
Pasi kanë hyrë në banesë janë konfliktuar me çiftin, duke e goditur shtetasin O.B në kokë me qytë të armës. Bashkëshortja e tij ka ndërhyrë ku dhe kjo ka pësuar dëmtime të lehta. Shtetasit ende të pa identifikuar kanë kontrolluar banesën ku kanë marrë dy aparate celular janë larguar menjëherë.
Forca të shumta policie po krehin zonën. Gjithashtu janë ngritur pika kontrolli në akset kryesore rurale e nacionale. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Redaksia Online
a.dr/shqiptarja.com

VIDEO











