TIRANË, 8 Janar /ATSH/- Në kuadër të përmbushjes së prioriteteve të Ministrisë së Kulturës, DRKK-Berat njofton se ka përfunduar procesin e kartelizimit të të gjitha monumenteve të kategorisë së parë dhe të dytë (banesa, fortifikime, rrënoja arkeologjike) në këtë qark në vitin që sapo lamë pas.
Kartela e krijuar për çdo monument përmban të dhënat administrative, të dhëna teknike, dokumentacion grafik dhe hartografik, dhe dokumentacion fotografik.
DRKK njofton se i gjithë ky proces konsistoi në diagnostifikimin e detajuar dhe atë fizik të gjendjes së Trashëgimisë Kulturore dhe përditësimin e rregullt të listës së monumenteve në të gjithë territorin e qarkut Berat.
Ndërkohë që Drejtoria Rajonale Kombëtare Kulturore(DRKK) e qarkut të Beratit, së fundmi gjatë muajit Janar, ka filluar punimet për restaurimin e çatisë së portës dhe strehës me dy palë bishta në banesën e Vangjel Bushit në lagjen Goricë, i cilësuar si monument kulture i kategorisë së dytë.
Punimet konsistojnë në restaurimin e çatisë së portës dhe strehës, duke përdorur të njëjtën konfiguracion dhe teknikë si më parë, theksohet në këtë informacion.
/k.m//m.m/











