BERAT - Një fëmijë i moshës 4-vjeçare ka humbur sot jetën në fshatin Lapardha 2 të Beratit për shkak të shembjes së godinës ku po luante me një kushëririn e tij të së njëjtës moshë, njoftuan burime policore.

Në momentin e shëmbjes aty pranë ndodhej edhe daja i dy fëmijëve, Haxhi Gjeli, 35 vjeç, i cili ka arritur të shpëtojë vetëm njërin prej nipërve. Tjetri, Franko Bejdo, ka mbetur nën gërmadha dhe ka gjetur vdekjen, sqaruan të njëjtat burime.

Godina e shëmbur është një ish-depo e reparteve ushtarake dhe rezervave të shtetit. Sipas Policisë së Beratit ajo gjendjej në gjendje shumë të keqe për shkak të vjetërsisë si dhe të hekurit të vjedhur nga strukturat mbajtëse me qëllim shitjen e tij për skrap. Po në atë zonë, në të njëjtën gjendje të rrezikshme gjenden edhe disa godina të tjera.

Policia njoftoi se daja i dy fëmijëve është shoqëruar në spitalin rajonal të Beratit për të marrë mjekimet e duhura pasi rezulton i lënduar gjatë tentativës për të shpëtuar nipërit. Gjendja e tij shëndetësore nuk përbën rrezik për jetën.

(im/shqiptarja.com)