Dimal- Shpërndanin drogë në klubin e natës, 4 persona arrestohen me kërkesë të Prokurorisë Berat për ‘prodhim e shitje të narkotikëve’.
Mes të arrestuarve janë pronari i “Pub Star” në Dimal dhe truproja e subjektit, që u kapën me 28 doza kokaine.
Hetimet kishin nisur prej vitit 2023 sipas organit të akuzës, në bashkëpunim edhe me Forcën Operacionale, pas informatave operative se në “Pub Star” në Dimal shitej lëndë narkotike.

“Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.319, të vitit 2023, nën drejtimin dhe kontrollin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Sektorin e Agjentëve në Mbulim dhe Njësinë nr 1, në qytetin e Dimalit (ish-Ura Vajgurore), në ambientin e ‘Pub Star’ u bë i mundur finalizimi i operacionit të koduar ‘STAR’, ku dhe u arrestuan shtetasit: K.I.; K. D; R. Z. dhe E. V.”, njoftoi prokuroria vendore sot (22 shkurt).
Në cilësinë e provës materiale u bë e mundur sekuestrimi 28 dozave të dyshuara kokainë të mbeshtjellë me qese të tejdukeshme.
Pesë doza të dyshuara kokainë dhe një peshore elektronike u sekuestruan në banesën e shtetasit E.V., 45 vjeç, pronari i ‘Pub Star’. Ndërsa në automjetin e shtetasit K.D., truproja e lokalit, në xhepin e derës, u gjetën të futura në një vezë si ato e kinderave me ngjyrë të verdhë, 23 doza të dyshuara kokainë.
Edhe Policia e Beratit bëri njoftim për këtë goditje të aktivitetit të paligjshëm, duke nënvizuar se e ka koduar operacionin "Investigations", ndryshe nga emri "Star" që i kishte vendosur Prokuroria.
Po kështu shpjegohet se janë sekuestruar dhjetëra doza kokaine, 1 peshore elektronike, 4 aparate celularë, pajisje elektronike, 3 automjete dhe shuma monetare, të cilat dyshohet se ishin përfituar nga kjo veprimtari e kundërligjshme.
Njoftimi i Policisë Berat:
“Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Berat dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, operacioni policor antidrogë i koduar “INVESTIGATIONS”.
Kishte përshtatur lokalin për shpërndarje dhe përdorim të lëndëve narkotike, vihet në pranga 45-vjeçari. Në pranga edhe tre shtetas të tjerë që bashkëpunonin me 45-vjeçarin për të shpërndarë lëndën narkotike. Sekuestrohen dhjetëra doza kokaine, 1 peshore elektronike, 4 aparate celularë, pajisje elektronike, 3 automjete dhe shuma monetare, të cilat dyshohet se ishin përfituar nga kjo veprimtari e kundërligjshme.
Në kuadër të procedimit penal të nisur për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta, pas një hetimi me metoda proaktive, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “INVESTIGATIONS”.
Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasi E. V., 45 vjeç, banues në Kuçovë, pronari i lokalit ku shitej dhe përdorej drogë, si dhe shtetasit K. D., 27 vjeç, banues në Fier, K. I., 30 vjeç, banues në Përmet, dhe R. Z., 22 vjeç, banues në Kuçovë, që dyshohen se shpërndanin lëndën narkotike.
Shërbimet e Policisë, gjatë operacionit, ushtruan kontroll në lokalin e dyshuar në Dimal, në pronësi të shtetasit E. V., si dhe në banesat e shtetasve të arrestuar, ku gjetën dhe sekuestruan dhjetëra doza lëndë narkotike kokaine, 1 peshore elektronike, 4 aparate celularë, pajisje elektronike, 3 automjete dhe shuma monetare, të cilat dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari e kundërligjshme.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, pasi siguronin lëndë narkotike, ua shisnin shtetasve të tjerë në ambientet e lokalit. Lënda narkotike, së bashku me peshoren elektronike, celularët dhe automjetet që këta shtetas përdornin, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Vijon intensivisht puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme".
A.Q/Shqiptarja.comKomente

