Plotë pesë vite është sorollatur një grua e moshuar në Berat për legalizimin e një shtese prej vetëm 18 metra katror në katin e parë të një pallati pesë katësh.

E lodhur nga premtimet, pa shpresë për zgjidhjen e problemit Hëna Caka, vendosi që të ankohet tek Edi Rama në dëgjesën publike që zhvilloi në Berat mbrëmjen e së hënës, ndërkohë që mesditën e së martës ka marrë në dorë legalizimin aq shumë të dëshiruar.

E gëzuar që më në fund mund ti trashëgoj familjarëve me dokumente të rregullta shtesën e banesës, gruaja nuk do të donte kurrsesi që puna të shkonte deri këtu dhe lajmi për shkarkimin e drejtorit të ALUIZNIT, Përparim Sino e ka trishtuar, por që sipas saj nuk donte që të ndodhte e gjitha kjo.

Në një intervistë  ajo rrëfen vitet e gjata të sorollatjeve sa tek Zyra e Legalizimeve, letra e Avokatit të Popullit e deri tek ankesa e Edi Ramës, që i mundësoi legalizimin.

Intervista per Report Tv

Zonja Hëna Caka, prej sa vitesh kishit bërë kërkesën për legalizimin dhe për çfarë objekti bëhej fjalë?
Problemi im me legalizimin, pasi për mua u bë një problem dhe pse nuk ishte i tillë nisi që në vitin 1994. Si shumë shqiptarë të tjerë dhe ne vendosëm që të bëjmë një shtesë të vogël në shtëpinë tonë.

Banesa ime që është në lagjen ’30 Vjetori’ është në katin e parë dhe kjo më jepte mundësi që të shtoja një dhomë të vogël që e përdorim dhe sot e kësaj dite për gatim.

As që e mendonim atëherë që kjo shtesë e vogël do të bëhej objekt sorollatjesh për familjen dhe aq më shumë që puna të shkonte deri tek kryeministri i vendit.

Përse u ankuat deri tek Edi Rama në lidhje me legalizimin?
Po sepse nuk kisha asnjë rrugë zgjidhje tjetër. Në vitin 2012 pasi jemi kthyer nga Turqia ku jetuan pas vitit 1997 bëjmë kërkesën për legalizimin, pasi bëmë dokumentet e tjera për ndërtimin në fjalë.

Shtesa ime e vogël nuk i prishte punë askujt dhe pasi kishim dokumentet e tjera që duheshin u bëmë gati që ta legalizojmë sepse unë doja që t’ja lija djalit dokumentet në rregull. 

Dhe kështu bëmë në vitin 2012 dorëzuam dokumentet për legalizimin dhe ishim në pritje të certifikatës së pronësisë. Por, pesë vite jo vetëm që nuk e mora legalizimin, por jam endur nëpër zyra.

Çfarë ka ndodhur gjatë këtyre pesë viteve?
Gjatë këtyre pesë viteve kam shkuar gati çdo javë tek Zyra e Legalizimeve në Berat. 

Kërkoja takim me drejtorin, me specialistë dhe askush nuk më jepte një shpjegim se përse nuk po bëhej legalizimi im. Nën pretendimin se komshiu që jeton në katin sipër meje ankohej për ndërtimin gjë që s’ka se si të jetë e vërtetë, pasi shtesa është në katin e parë dhe nuk prek askënd, është vetëm një objekt prej 18 metrash, nuk ma bënin legalizimin.

Më kanë lodhur aq shumë sa pak muaj më parë ju drejtova me letër drejtorit të përgjithshëm të legalizimeve, që më ktheu përgjigje se do ta shikonte problemin. Një vit më parë i jam drejtuar Avokatit të Popullit dhe ai më premtoi se do ma zgjidhte këtë çështje.

Si vendosët që ti drejtoheshit tek kryeministri i vendit Edi Rama në lidhje me këtë çështje?
Pasi pash që nuk kisha më shpresë. Të hënën në mëngjes dëgjoj në lajme që dëgjesa e radhës e kryeministrit Edi Rama do të ishte në Berat dhe nuk u vendova dy herë, por vendosa që do të shkoj ti them. Dhe ashtu bëra.

Në mbrëmje isha tek dëgjesa dhe pasi dëgjova Ramën, mora mikrofonin dhe ngrita shqetësimin tim. Ai menjëherë thirri drejtorin e ALUIZNIT që ishte në takim dhe ndodhi ajo që patë të gjithë i dha ultimatum, nesër nëna të marr legalizimin ose ti ik nga puna vetë.

Unë në këto çaste u qetësova menjëherë, pasi u binda që do ta merrja legalizimin.

Çfarë ndodhi më pas?
Sot në mesditë më merr në telefon vetë drejtori i ALUIZNIT në Berat, Përparim Sino, të cilin unë e kam takuam me 100 herë, nuk e mbaj mend se sa herë dhe më priti në zyrën e tij, i dhashë fotokopjon e pagesës që kisha bërë në bankë dhe mora legalizimin që shihni ju.

Dëgjuat sot për shkarkimin e drejtorit, si u ndihet?
Në fakt më tha djali dhe nusja në shtëpi që drejtori është shkarkuar dhe me erdhi keq sepse nuk doja që gjithë kjo të ndodhte për shkakun tim, por unë nuk kam asnjë faj.

Unë kërkoja të drejtën time dhe e mora, si kam faj as drejtorit, askujt tjetër. Nëse do ta kisha marrë legalizimin nuk kisha përse të ankohesha dhe e gjithë kjo nuk ndodhi për fajin tim, por për shkak të sorollatjeve pa fund.

e moshuara berat
Hëna Caka

e moshuara berat
Shtëpia e të moshuarës Hëna Caka

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com