Mbi 276 mln lekë do të investohen për ngritjen e një sistemi të integruar të transportit publik elektrik dhe inteligjent në qytetin e Beratit. Tenderi është hapur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ndërsa projekti parashikon jo vetëm blerjen e autobusëve elektrikë, por edhe ngritjen e infrastrukturës së karikimit, stacioneve inteligjente dhe sistemeve dixhitale për menaxhimin e transportit publik.

Sipas specifikimeve teknike, pjesë e projektit janë autobusë dhe minibusë 100% elektrikë. Autobusët urbanë, me gjatësi rreth 12 metra, duhet të kenë një kapacitet prej të paktën 80 pasagjerësh dhe autonomi minimale prej 250 km me një karikim. Ndërkohë që, minibusët elektrikë, të përshtatshëm edhe për rrugët urbane më të ngushta, duhet të sigurojnë të paktën 150 km autonomi.

Investimi shkon përtej elektrifikimit të flotës. Dokumentet parashikojnë ngritjen e një rrjeti stacionesh inteligjente, ku pasagjerët do të mund të marrin informacion në kohë reale mbi mbërritjen e autobusëve. Sistemi parashikohet të shpërndajë informacion në 65 stacione inteligjente, në ekranet brenda autobusëve, në aplikacionin celular dhe përmes një portali online.

Po ashtu do të ndërtohet infrastruktura për furnizimin e flotës me energji. Projekti përfshin 5 pika karikimi me fuqi 50 kW për karikimin gjatë natës, si dhe 2 karikues të shpejtë me fuqi 150 kW, që parashikohet të vendosen në dy pika strategjike, në Terminal dhe pranë Spitalit. Sistemi do të menaxhojë automatikisht oraret dhe fuqinë e karikimit të autobusëve.

Një tjetër komponent është dixhitalizimi i shërbimit. Autobusët do të pajisen me sistem elektronik biletimi, me mundësi përdorimi të kartave contactless, biletave elektronike me QR Code dhe aplikacioneve mobile./Scan