SHKODER- Reshjet e dendura të shiut të cilat u regjistruan gjatë gjithë ditës së djeshme por dhe mëngjesin e sotëm shkaktojnë panik tek banorët e komunës Bërdicë të Sipërme në Shkodër. Dy shtëpi dhe 5 lokale rrezikojnë shembjen, ndërsa kreu i komunës Besnik Brahimi bën apel për ndihmë urgjente pasi rrezikohen dhe shumë banesa të tjera.

Një nga shkaqet kryesore është dhe fakti se me ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës është ndryshuar rrjedha e lumit Drin, duke bërë që ai të shkojë afër shtëpive dhe dyqaneve në këtë komunë. Rritja e prurjeve të lumit në këto ditë me shi të rrëmbyer e bën gjithnjë e më të pranishëm rrezikun e një përmbytjeje duke risjellë në kujtesë dhe frikën e përmbytjeve të fillim janarit të 2011.

Apeli i kryetarit të komunës Berdicë, Besnik Brahimi për të ndërhyrë sa më shpejt me vendosjen e argjinaturave mbrojtëse nuk është i pari por i disati pasi vitet e fundit gerryerja e tokave bujqësore është bërë më problematike, kjo për shkak edhe të punimeve që po kryhen për HEC-in e Ashtës

RREZIK PERMBYTJEJE DHE NE KOMUNA TE TJERA
Rreziku i përmbytjeve dje ka qenë i pranishëm dhe në disa komuna dhe fshatra të rrethit verior. Në fshatin Gjoricë, në komunën Ana e Malit mbi tokat bujqësore vecanërisht gjatë orëve të pasdites së djeshme është vënë re prezencë më e madhe e ujit. Ky vend ku bashkohet Drini më Bunën sipas banorëve është gjithmonë i rrezikuar nga rreshjet. Kjo si për shkak të nivelit të ulët të zonës, ashtu dhe për bllokimin e kanaleve kulluese.
(sg/shqiptarja.com)