Berisha akuza Agron Kapllanajt: More milionat nga PS për ndërtimet te 5 maji! Demokrati: Ish-kryeministrit non-grata si del inati që Fieri është me Bashën! PD: Sulmet nga njerëz të tillë, të padëmshme

Berisha akuza Agron Kapllanajt: More milionat nga PS për ndërtimet te 5 maji! Demokrati: Ish-kryeministrit non-grata si del inati që Fieri është me Bashën! PD: Sulmet nga njerëz të tillë, të padëmshme

Sali Berisha dhe Agron Kapllanaj

Kreu i komanduar i degës së PD në Fier, Agron Kapllanaj ka qenë në shënjestër të sulmeve të Sali Berishës, pse ky i fundit vendosi që në sherrin brenda PD të mbajë anë e Lulzim Bashës. Teksa e sulmon atë për milionat që ka marrë gjatë qeverisjes së PS përmes tenderave dhe ndërtimeve, Berisha thotë se ai nuk e ka vendin në PD dhe duhet të përjashtohet. Madje duke iu referuar si "pallat Kapllanaj" Berisha shkruan se ai rri në krahun e Bashës se mos ka përfituar ndonjë pallat në projektin e kullave në selinë e PD-së.

"Ti je me Lul bravën e parkut të 4 hajdutëve që ka shitur selinë për të ndërtuar pallate bashkë me Ramën dhe Veliajn dhe për këtë arsye mbyll dyert dhe nuk lejon demokratët në shtëpinë e tyre. Me cilin je ti me "Pallat Kapllanin" që fiton gjatë qeverisjes socialiste dhjetëra milionë euro dhe vjen e prishë shtëpitë e fukarenjve për të ndërtuar pallatin e milionave së bashku me Lulzim Bashën. Këto janë gjakpirës, çdo pasuri dhe euro e kanë vendosur mbi gjakun tuaj, janë hajdutër. "Pallat Kapllanaj" si i fitove ti 32 mln euro gjatë qeverisjes socialistë, sa pagove? Dhe tani na hiqesh si demokrat, je një turp që duhet të largohesh menjëherë nga PD, bëhesh vegël e Lul bravës, sigurisht ti ka rrezik që "Pallat Kapllanaj" të ketë marrë edhe ndonjë pallat te parku i 4 hajdutëve", tha Berisha nga Patosi.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Agron Kapllanajt, i cili duke e cilësuan Berishën si politikan të korruptuar dhe ordiner, shton se nuk e pranon dot faktin që demokratët e Fierit janë me Bashën dhe për këtë shpik gënjeshtra.

"Pasi dështoi me turp sepse demokratët e braktisën, Berisha tani sillet vërdallë si ish-politikani i korruptuar, si ish-kryeministri i parë non-grata për korrupsion në historinë e Shqipërisë dhe vetëm vjell vrer sepse nuk i del inati që Fieri është me të ardhmen dhe mbështet Lulzim  Bashën. Çdo ditë ai nxjerr gënjeshtra dhe shpifje të reja si një shpifës ordiner", shkruan ndër të tjera Kapllanaj

Këtyre akuzave i është përgjigjur PD, ku sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi tha se sulmet kundër demokratëve janë të padenja, por të padëmshme kur vijnë nga një politikan që e ka mbyllur karrierën e tij me turp.

"Sulmet e Sali Berishës kundër demokratëve janë të padenja, por fatmirësisht, të padëmshme. Ato mbeten mashtrime të një politikani me karrierë të mbaruar dhe të mbyllur me turp! Agron Kapllanaj është një nga demokratët më të votuar dhe më të respektuar në zonën e Fierit. Agron Kapllanaj ka zgjedhur PD dhe demokratët, prandaj sulmohet paturpësisht nga Sali Berisha. Asnjë mashtrim i Sali Berishës nuk e ndryshon dot faktin se demorkatët kanë zgjedhur të ardhmen, jo hallin e tij personal. Demokratët po e braktisin dita ditës. Se me kë po i ndërton pallatet Edi Rama dhe Erion Veliaj tek 5 Maji, Sali Berisha duhet të pyesë familjarët e tij. Kush është miku trafikant droge në Spanjë që në kundërshtim me ligjin ka fituar tenderin e rindërtimit nga Erjon Veliaj? Pse e fsheh Sali Berisha me mashtrime? E vërteta që do të dal shumë shpejtë është aq e dukshme, sa shpifjet e Sali Berishës nuk e mbulojnë dot", shkruan Bardhi.

Agron Kapllanaj është komanduar nga Lulzim Basha si kreu i degës së PD në Fier, pasi largoi Luan Baçin i cili u rreshtua në krahë të Sali Berishës. Këto akuza mes demokratëve erdhën pas përçarjes që pësoi PD, ku pas shpalljes 'non grata' nga SHBA, Sali Berisha nuk e pranoi dot faktin që Basha ta përjashtonte fillimisht nga grupi i PD dhe me pas nga vete partia, pas protestës së dhunshme që organizoi për marrjen e selisë blu.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:47
Komisioni i Rithemelimit sulmon Kapllanajn: Je pjesë e pazareve Rama-Basha, u pasurove mbi gërmadhat e fukarenjve të 5 majit

Komisioni i Rithemelimit ka sulmuar sërish Agron Kapllanajn, duke e cilësuar si pjesë të pazareve Rama-Basha. Komisioni i Rithemelimit akuzon Kapllanajn se është pasuruar përmes lejeve të ndërtimit që vëllai i tij ka marrë tek 5 maji.

“Tani meqë çdo ditë sjell largime të reja demokratësh nga anija e mbytur e Lulzim Bravës, gaztorit të tij nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse të bëjë shpifje për të mbrojtur dhe për të thurur lavde për banditët që vazhdojnë ta rrethojnë.

I tillë është rasti i Agron Kapllanaj që ndonëse i dënuar për vjedhje në Itali, sot përfaqëson Lul Bravën në Fier! Në pamundësi për të hedhur poshtë këtë fakt tashmë të bërë publik, gaztori i Bravës kërkon të na bindë se vjedhja është nder dhe lavdi! Jo më larg se këto ditë banorët e 5 Majit panë se si pengu i Edi Ramës e shiti kauzën e tyre për hir të kontratave miliona Euroshe që vëllai i Agron Kapllanaj ka marrë nga Rama mbi gërmadhat e banesave të tyre. Qytetarët e panë vetë se si fraksioni i Bravës i braktisi dhe nuk shkoi të rreshtohej në krah të tyre.

Partia Demokratike distancohet me neveri nga pazaret Rama-Brava dhe nga banditët rreth tyre. Qëllimi i tyre është pikërisht transformimi i PD nga parti e lirisë në parti të spekulantëve që mbeten peng i Edi Ramës për sa kohë ushqehen me paratë e tij. Ata i tmerron fakti që PD po rikthehet tek vlerat e saj. Koha kur ishin dhe ministra të Ramës dhe gjoja opozitare ka mbaruar! Aleanca jonë është me qytetarët dhe demokratët për t’u ofruar atyre një opozitë të vërtetë që ka për qëllim rrëzimin e Edi Ramës dhe jo pazaret me të”, njofton Komisioni i Rithemelimit.

Ora 19:19
Kapllanaj i përgjigjet Berishës: Ish-kryeministri i parë non-grata në histori, si del inati që Fieri është me Bashën

Akuzat e bëra nga Sali Berisha se kishte fituar milionat gjatë qeverisjes së PS, nuk janë kapërcyer nga demokrati Agron Kapllanaj. Ai tha se Berisha nuk e pranon dot faktin që demokratët e Fierit janë me Bashën dhe shpik gënjeshtra e shpif si ordiner.

"Pasi dështoi me turp sepse demokratët e braktisën, Berisha tani sillet vërdallë si ish-politikani i korruptuar, si ish-kryeministri i parë non-grata për korrupsion në historinë e Shqipërisë dhe vetëm vjell vrer sepse nuk i del inati që Fieri është me të ardhmen dhe mbështet Lulzim  Bashën. Çdo ditë ai nxjerr gënjeshtra dhe shpifje të reja si një shpifës ordiner.  Por Berisha nuk e mban më dot peng as të ardhmen e PD-së dhe as të Shqipërisë. Ai është vetëm e shkuara e keqe e saj! Ne do punojmë fort derisa të sjellim një të ardhme më të mirë për demokratët dhe gjithë shqiptarët", shkruan Kapllanaj

/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë