TIRANE- Kryeministri Berisha akuzon ish Presidentin e Republikës se ka shfrytëzuar postin si kryetari i KLD-së për të ushtruar presion mbi gjyqtarin për lirimin e Ilir Xhakes, autorit të vrasjes së kryekomisarit Adem Tahiraj. Sipas Berishës, Xhakja i duhej Topit për të kërcënuar kushërinjtë për t’ia bllokuar pronat sepse nuk i merrte dot ndryshe.

“Ilir Xhakja u lirua me kërkesë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Topit e faqeziut të tij. I duhej për të kërcënuar kushërinjt e tij për t’ia bllokuar pronat e tyre sepse nuk i mirrte dot pasurinë që s’i takonte. I duhej për ta mbajtur bandit. Ndaj dhe thirrën gjykatësin për ta mbajtur nën presion për të liruar një njeri që kishte bërë krim.

Gjykatësi tjetër liroi një njeri që kishte bërë vrasjen e dy vëllezërve dhe u shpërblye si inspektor në KLD. Bëj thirrje që raste të tilla të mos përbaltin sistemin e drejtësisë. Prokurori ka qëndruar, pavarësisht nga kërcënimet që mund të ketë marrë nga krimineli. Nuk ka kërkuar eskortë, ka patur mburojë ligjin, por hanxharët e KLD-së kishiun urdhëruar mos zbardhjen e vendimit. Nuk ka rast më të shëmtuar. Janë 3 fëmijë që humbën babanë e tyre, efektivat e policisë humbën një nga kryekomisarët më të vendosur, sepse balozët e krimit me pushtet duhej të rekrutonin vrasësin”- tha Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë.

BURG PËR JETË ATENTATORË TË POLICËVE

Kryeministri Berisha propozoi dhe dërgimin në parlament të ligjit që do të përcaktojë dënim përjetë ndaj cdo ekzekutori që vret një efektiv të policisë. Vendimi i kryeministrit u mor pak ditë nga vrasja e shefit të komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj.

“Propozoj dërgimin në parlament të ligjit që do të përcaktojë dënim përjetë ndaj cdo antetantori të efektivave të policisë. Ky ndryshim është i domosdoshëm. Shpresoj që opozita ta votojë këtë ligj. Të ngresh dorë kundër njër njeriu që po bën detyrën, meriton ndëshkimin maksimal. Ne nuk kemi dënim kapital por kemi ndëshkim përjetë. Ndaj zoti ministër mendoj se ky nen të dërgohet sa më parë në parlament.”

BERISHA: SHKALLA E ZBULIMIT TË KRIMIT

Sipas kryeministrit “Shkalla e zbulimit të krimit është në nivelet më të larta, të vendeve më të konsoliduara. Unë nuk them se është 100 % por e niveleve më të larta.” Ai shprehu vlerësimin për Gjykatnë e krimeve të rënda dhe të prokurorisë së krimeve të rënda pa të cilën nuk do të bëhej “shpartallimi i 260 bandave në një hark kohor të shkurtër”

NDESHKIM MAKSIMAL GJAKMARRJES

Kryeministri u ndal dhe te gjakmarrja. “Vrasja për hakmarrje duhet të marrë ndëshkim maksimal. Nuk shkohet përpara me trashëgimni thellësisht negative. Ata të cilët vrasin për hakmarrje dëshmojnë se udhëhiqen nga demonë të urrejtjes e egërsisë njerëzore.”- tha Berisha.
Sipas tij shteti po zbaton ligjin dhe mbipopullimi i burgjeve vërteton që shteti po zbaton ligjet për të ndaluar krimet.

(sg/shqiptarja.com)