
Foto: Sali Berisha
Prej mbrëmjes së të mërkurës, pasi u pyet për disa orë në SPAK për 21 janarin, Sali Berisha ka udhëtuar drejt Brazilit për të marrë pjesë në Asamblenë e Unionit të Partive të Qendrës së Djathtë.
Prej aty po ndjek zhvillimet në Tiranë, por edhe po sjell lajme të reja.
I pari që ndau ishte ai për zgjedhjen e tij si një prej 17 zv Presidentët i Unionit të partive të qendrës së djathtë, që nga selia blu u përcoll me entuziazëm.
Këtë të diel, përmes zyrës së shtypit në PD, njoftoi miratimin e një rezolute tjetër që ngre shqetësimin për situatën politike në Shqipëri.
PD në njoftimin që bën për mediat shkruan se në rezolutë është ngritur shqetësimi për zgjedhjet e 11 majit, kapjen e shtetit, kontrollin mbi institucionet e drejtësisë si dhe pengimi i ngritjes së komisioneve hetimore parlamentare si dhe i bën thirrje BE-së të kushtëzojë integrimin e Shqipërisë me progres të matshëm.
Megjithatë, Sali Berisha pranoi para anëtarëve të Asamblesë së CDI, se shpesh akuzat e tij për gjendjen e Shqipërisë, kanë rënë në vesh të shurdhët.
"Në Europë, askush nuk do të na dëgjojë të flasim për narko-shtetin. Ky është një problem i madh. E kundërta, ndonjëherë na sulmojnë pse ne flasim për narko-shtetin. Kushdo që lexon dhe shikon, Shqipëria i plotëson të gjitha kriteret për të qenë një narko-shtet", tha Berisha.
Ndërsa u shpreh i kënaqur për miratimin e rezolutës, Berisha shpreson se një ditë edhe Evropa do e dëgjojë.
“Ju siguroj se ne do të luftojmë kundër kësaj situate të tmerrshme në vendin tim me shpresën se një ditë institucionet europoane, partnerët europianë do ta kuptojnë se droga është një kërcënim i madh për sigurinë e kombeve të tyre”, shtoi ai.
Akuzat e përsëritura të kreut të PD vijnë pasi vetëm 2 ditë më parë, nga Tirana Marta Kos i quajti të lira zgjedhjet e 11 majit, deklaratë që u pasua nga një valë sulmesh të përfaqësuesve më të lartë të opozitës në drejtim të komisioneres për zgjerimin në BE.
Nga partitë e djathta europiane, pjesë e CDI-së, në pushtet janë HDZ-ja kroate, Cdu-ja gjermane dhe Demokracia e Re e kryeministrit grek Mitsotakis, FIDESZ e kryeministrit hungarez Orban dhe aleati i tij KDNP, PSD-ja portugeze, dy parti rumune, pjesë e koalicionit qeverisës si dhe Kristian-demokratët suedezë, që janë pjesë e qeverisë.
Lajmi kryesor:
Punimet e CDI në Brazil, Berisha: Në Europë nuk ia vënë veshin akuzave tona! Të djathtët miratojnë rezolutën e kërkuar nga PD











