Asambleja e Unionit të partive të qendrës së djathtë (CDI), punimet e të cilës u zhvilluan në Sao Paulo të Brazilit, miratoi rezolutën e pestë lidhur me situatën politike në Shqipëri, propozuar nga PD. Gjatë fjalës së tij në takim Berisha përsëriti akuzat e njohura ndaj shumicës socialiste në pushtet duke iu ankuar partnerëve të së djathtë se në Europë deklaratat e PD nuk merren në konsideratë. 

Nga partitë e djathta europiane, pjesë e CDI-së, në pushtet janë HDZ-ja kroate, Cdu-ja gjermane dhe Demokracia e Re e kryeministrit grek Mitsotakis, FIDESZ e kryeministrit hungarez Orban dhe aleati i tij KDNP, PSD-ja portugeze, dy parti rumune, pjesë e koalicionit qeverisës si dhe Kristian-demokratët suedezë, që janë pjesë e qeverisë.

Rezoluta vë theksin tek regresi politik në vend, tek përqendrimi i lartë i pushtetit dhe prezenca e krimit të organizuar në institucionet publike. Dokumenti i referohet raportit të OSBE/ODIHR, teksa thuhet se zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit, u karakterizuan nga keqpërdorim masiv i burimeve publike, blerje votash, intimidim dhe drejtësi selektive, duke cenuar garën e lirë dhe të ndershme.

Raporti i CDI flet për një rrezik serioz që sipas tyre i kanoset drejtësisë shqiptare si rezultat i kapjes së shtetit nga krimi, kontrollit masiv të institucioneve të drejtësisë, pengimin nga mazhoranca të ngritjes së komisioneve hetimore, apo dhe ndikimin e krimit në ekonominë e shtetit.

CDI gjithashtu i drejtohet me thirrje dhe Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve me qëllim luftimin e korrupsionit që herën krah për krah me krimin e organizuar në Shqipëri, si dhe mbështetjen për krijimin e një qeverie teknike me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjithashtu u zgjodh si një nga 17 zëvendëspresidentët e CDI-së. 

REZOLUTË

Mbi Situatën në Shqipëri: Integriteti Zgjedhor, Përqendrimi i Pushtetit dhe Ngjitja e Një Narko-Shteti

IDC–CDI:

Duke marrë parasysh Raportin Final të OSBE/ODIHR për Zgjedhjet Parlamentare të 11 Majit 2025 në Shqipëri;

Duke marrë parasysh Indeksin e Sundimit të Ligjit 2025 të Ëorld Justice Project, Raportin e Departamentit të Shtetit të SHBA për Klimën e Biznesit 2025 në Shqipëri;

Duke marrë parasysh Kriteret e Kopenhagës, Dokumentin e Kopenhagës të OSBE-së (1990), Kodin e Komisionit të Venecias për Praktikat e Mira në Çështjet Zgjedhore dhe Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore;

Duke marrë parasysh rezolutat e mëparshme të miratuara nga EPP, CDI dhe IDU lidhur me regresin demokratik dhe korrupsionin në Shqipëri;

Duke shprehur shqetësimin se Shqipëria ka pësuar një regres të thellë demokratik, shkrirjen e partisë me shtetin, drejtësinë selektive dhe depërtimin sistemik të krimit të organizuar në strukturat politike dhe ekonomike, dhe duke theksuar se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian duhet të jatë në bazë merite, e kushtëzuar me progres të matshëm në demokraci, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut,

1. Integriteti Zgjedhor

Konstaton me shqetësim të thellë gjetjet e Raportit Final të OSBE/ODIHR, i cili konfirmon shkrirjen sistemike të pushtetit shtetëror me atë partiak, keqpërdorimin masiv të burimeve publike dhe klimën e intimidimit të drejtësisë selektive që pengoi konkurrencën e barabartë.

Vëren se ODIHR dokumentoi blerje votash, ndërhyrje të krimit në zgjedhje dhe rrjetet e patronazhit që shkëmbenin vendet e punës, përfitimet dhe lejet për vota. Forcat e rendit vepruan në mënyrë selektive, duke forcuar pandëshkueshmërinë.

Rikujton se ODIHR dokumentoi mbi 4,500 aktivitete të financuara nga shteti, të shndërruara në aktivitete elektorale, ndërsa KQZ sanksionoi vetëm 18 prej tyre, duke ekspozuar dështim të plotë të rregullatorit. Partia Socialiste përdori zyrat publike, infrastrukturën dhe komunikimin shtetëror për përfitime zgjedhore, në shkelje të Kodit Zgjedhor, kritereve të Kopenhagës, angazhimet ndaj OSBE-së.

Dënon ndjekjet penale dhe arrestimet me motiv politik të drejtuesve të opozitës në vitin elektoral, përfshirë Sali Berishën, Ilir Metën, deputetin Ervin Salianji dhe Fatmir Mediun, të cilat ODIHR i vlerësoi si faktorë që kontribuan në një klimë përplasjesh, mosbesimi dhe drejtësie selektive, duke penguar pjesëmarrjen e lirë dhe të barabartë të opozitës në procesin politik.

Shpreh shqetësim se ditën e votimit janë regjistruar raste intimidimi, aktivistë të paautorizuar në qendra votimi dhe shkelje të fshehtësisë së votës, ndërsa mbi 90% e mediave ishin nën kontroll qeveritar.

ODIHR konkludon se zgjedhjet nuk ishin as të lira dhe as të ndershme, të dominuara nga kontrolli partia-shtet, shantazhi dhe ndikimi i krimit, në shkelje të Dokumentit të Kopenhagës të OSBE-së, standardeve të Komisionit të Venecias dhe Nenit 25 të PNDCP (ICCPR).

Shpreh keqardhjen që, pavarësisht rekomandimeve të përsëritura të BE-së dhe organizatave ndërkombëtare, Shqipëria ka dështuar të zbatojë rekomandimet kryesore të ODIHR-it që prej vitit 2013, duke e vijuar klimën e pandëshkueshmërisë për krimet zgjedhore, dhe se qeveria shqiptare nuk ka adresuar asnjë prej thirrjeve ndërkombëtare të shprehura në pesë rezolutat e mëparshme të CDI, EPP dhe IDU.

2. Përqendrimi i Pushtetit dhe Eleminimi i Kontrollit dhe Balancave

Vëren se Kryeministri dhe Partia Socialiste ushtrojnë kontroll pothuajse total mbi institucionet e shtetit, përfshirë shërbimin civil, gjyqësorin, prokurorinë, institucionet rregullatore dhe mediat publike, duke eliminuar mekanizmat efektivë të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies.

Dënon pengimin sistematik të mbikëqyrjes kushtetuese dhe parlamentare, përfshirë rrëzimin e mocioneve të opozitës, interpelancave urgjente dhe bllokimin e komisioneve hetimore parlamentare, veçanërisht atyre që hetojnë korrupsionin e gjerë ku përfshihet Kryeministri, apo farsën zgjedhore, etj.

Dënon shtypjen e mbikëqyrjes parlamentare, bllokimin e komisioneve hetimore dhe moszbatimin nga ana e ekzekutivit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Vëren se Indeksi Ëorld Justice Project 2025 e rendit Shqipërinë në vendin e 87-të në rang global, me rezultate veçanërisht të ulëta në «kufizimin e pushtetit qeveritar» dhe «luftën ndaj korrupsionit», duke konfirmuar erozionin e pavarësisë së drejtësisë dhe llogaridhënies.

Shpreh keqardhje që Reforma në Drejtësi është shndërruar në një mekanizëm kontrolli politik dhe ndjekjesh selektive, duke paralizuar gjyqësorin dhe minuar besimin publik në sundimin e ligjit.

Vëren se janë mbi 200,000 çështje të pashqyrtuara dhe vonesat e gjata në gjyqësor (deri në 1,230 ditë për zbardhjen e vendimeve) përbëjnë mohimin e drejtësisë.

3. Shqipëria si Narko-Shtet dhe Kërcënim për Sigurinë Rajonale

Shpreh shqetësimin e thellë se Shqipëria është kthyer në një nyje kryesore për trafikun e drogës dhe pastrimin e parave, duke shërbyer si korridor logjistik për kokainën nga Amerika Latine drejt porteve evropiane.

Vëren me alarm infiltrimin e krimit në institucionet e shtetit, përfshirjen e trafikantëve të njohur dhe rrjeteve kriminale në kontrata publike, zhvillim turistik dhe procese zgjedhore.

Rikujton provat për takime midis zyrtarëve të lartë qeveritarë dhe individëve të lidhur me Kartelin Sinaloa dhe grupet mafioze shqiptare.

Vëren se Eurostat dhe studime të pavarura konfirmojnë pastrim masiv parash në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, në rreth 4 miliardë euro investime të pajustifikuara në sistemin formal bankar.

I referohet Raportit të Klimës së Biznesit 2025 të SHBA, i cili identifikon korrupsionin endemik, flukset e paligjshme të kapitalit, përdorimin e PPP-ve dhe prokurimit publik për patronazhim politik.

Paralajmëron se konsolidimi e një narko-ekonomie paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për stabilitetin rajonal, cënon besueshmërinë e procesit të zgjerimit të BE-së dhe kërcënon sigurinë evropiane.

III. Thirrje dhe Rekomandime

Bën thirrje që Bashkimi Evropian, Shtetet Anëtare dhe partnerët demokratikë të sigurojnë që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë të mbetet rreptësisht i bazuar në meritë, i lidhur me progres të verifikueshëm në sundimin e ligjit, integritetin zgjedhor dhe luftën kundër korrupsionit.

Bën thirrje për krijimin e një mekanizmi të pavarur monitorimi për sundimin e ligjit, lirinë e medias dhe zgjedhjet në Shqipëri.

Kërkon vendosjen e sanksioneve të përcaktuara nga BE dhe SHBA ndaj individëve dhe entiteteve të përfshira në trafik droge, krim të organizuar dhe grupe terroriste, pastrim parash dhe manipulim zgjedhor.

Bën thirrje për ndihmë ndërkombëtare për të:

• Luftuar pastrimin e parave dhe çmontuar rrjetet kriminale;

• Mbështetur një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore dhe depolitizimin e administratës publike;

• Forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe mediave;

• Rikthyer funksionimin e parlamentit dhe mbrojtjen e opozitës;

• Siguruar zbatimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Mbështet krijimin e një qeverie teknike që të monitorojë zgjedhjet e ardhshme dhe të garantojë besueshmërinë e tyre.

Shpreh solidaritet me qytetarët shqiptarë dhe forcat demokratike që punojnë për rikthimin e pluralizmit, llogaridhënies dhe vlerave evropiane.

IV. Konkluzione

Rikonfirmon se konsolidimi i një regjimi narko–autoritar në Shqipëri përbën jo vetëm një tragjedi të brendshme, por edhe një sfidë strategjike për sigurinë demokratike të Evropës.

Thekson se, pa veprim të menjëhershëm përmirësues, Shqipëria rrezikon të kthehet në një strehë të përhershme për krimin e organizuar, kapitalin e paligjshëm dhe qeverisjen autoritare brenda kufijve të Evropës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:41
Punimet e CDI në Brazil, eurodeputetja e PPE: Rikthim në standardet e shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së sistemit mediatik e gjyqësor

Pasi Asambleja e Unionit të partive të qendrës së djathtë CDI punimet e të cilës u zhvilluan në Sao Paulo të Brazilit, miratoi rezolutën e pestë lidhur me situatën politike në Shqipëri, propozuar nga PD, Partia Popullore Evropiane (PPE) ka publikuar një video zyrtare nga punimet e Asamblesë së Unionit Demokratik Ndërkombëtar.

Në deklarimin e saj, eurodeputetja dhe Sekretarja e Përgjithshme e PPE-së, Dolors Montserrat, prezantoi katër përfundimet kryesore të përbashkëta të punimeve.

Një ndër katër pikat kryesore të prezantuara nga PPE lidhej posaçërisht me Shqipërinë. Montserrat theksoi se procesi i integrimit europian të vendit duhet të mbetet i kushtëzuar nga respektimi i standardeve demokratike dhe garantimi i pavarësisë institucionale.

“Ne insistojmë që anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian të kushtëzohet me ndalimin e rrëshqitjes demokratike dhe kapjes së mediave dhe drejtësisë, të kryera nga një lidership i lidhur me trafikun e drogës, krimin e organizuar dhe pastrimin e parave.”

Qëndrimi i PPE-së përbën një sinjal të qartë politik në drejtim të institucioneve europiane dhe autoriteteve shqiptare, duke nënvizuar rëndësinë e rikthimit në standardet e shtetit të së drejtës, transparencës dhe pavarësisë së sistemit mediatik e gjyqësor.

Ora 15:03
Berisha ankohet në Brazil: Në Europë nuk ia vënë veshin akuzave tona

Foto: Sali Berisha

Prej mbrëmjes së të mërkurës, pasi u pyet për disa orë në SPAK për 21 janarin, Sali Berisha ka udhëtuar drejt Brazilit për të marrë pjesë në Asamblenë e Unionit të Partive të Qendrës së Djathtë.

Prej aty po ndjek zhvillimet në Tiranë, por edhe po sjell lajme të reja.

I pari që ndau ishte ai për zgjedhjen e tij si një prej 17 zv Presidentët i Unionit të partive të qendrës së djathtë, që nga selia blu u përcoll me entuziazëm.

Këtë të diel, përmes zyrës së shtypit në PD, njoftoi miratimin e një rezolute tjetër që ngre shqetësimin për situatën politike në Shqipëri.

PD në njoftimin që bën për mediat shkruan se në rezolutë është ngritur shqetësimi për zgjedhjet e 11 majit, kapjen e shtetit, kontrollin mbi institucionet e drejtësisë si dhe pengimi i ngritjes së komisioneve hetimore parlamentare si dhe i bën thirrje BE-së të kushtëzojë integrimin e Shqipërisë me progres të matshëm.

Megjithatë, Sali Berisha pranoi para anëtarëve të Asamblesë së CDI, se shpesh akuzat e tij për gjendjen e Shqipërisë, kanë rënë në vesh të shurdhët.

"Në Europë, askush nuk do të na dëgjojë të flasim për narko-shtetin. Ky është një problem i madh. E kundërta, ndonjëherë na sulmojnë pse ne flasim për narko-shtetin. Kushdo që lexon dhe shikon, Shqipëria i plotëson të gjitha kriteret për të qenë një narko-shtet", tha Berisha.

Ndërsa u shpreh i kënaqur për miratimin e rezolutës, Berisha shpreson se një ditë edhe Evropa do e dëgjojë.

“Ju siguroj se ne do të luftojmë kundër kësaj situate të tmerrshme në vendin tim me shpresën se një ditë institucionet europoane, partnerët europianë do ta kuptojnë se droga është një kërcënim i madh për sigurinë e kombeve të tyre”, shtoi ai.

Akuzat e përsëritura të kreut të PD vijnë pasi vetëm 2 ditë më parë, nga Tirana Marta Kos i quajti të lira zgjedhjet e 11 majit, deklaratë që u pasua nga një valë sulmesh të përfaqësuesve më të lartë të opozitës në drejtim të komisioneres për zgjerimin në BE.

Nga partitë e djathta europiane, pjesë e CDI-së, në pushtet janë HDZ-ja kroate, Cdu-ja gjermane dhe Demokracia e Re e kryeministrit grek Mitsotakis, FIDESZ e kryeministrit hungarez Orban dhe aleati i tij KDNP, PSD-ja portugeze, dy parti rumune, pjesë e koalicionit qeverisës si dhe Kristian-demokratët suedezë, që janë pjesë e qeverisë.