TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar intervistën e dhënë nga ish-zv.kryeministri në arrati, Arben Ahmetaj, në televizionin e familjes Berisha. Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se Ahmetaj dëshmoi se Rama është arkitekti i kanabizimit të Shqipërisë. Sipas Berishës, Ahmetaj dëshmoi se vjedhjet e kryeministrit dhe Ballukut i kalojnë dy herë dëmet e tërmetit të 2019-ës.
“Për vërtetësinë, ose faktimin e vërtetësisë të akuzave të opozitës ndaj Edi Ramës, dhe vërtetësisë së madhe me dokumente, faktimin nga ish-bashkëpunëtori më i ngushtë, numri dy për vite të tëra i qeverisë shqiptare, tashmë i përndjekur, azilant në Zvicër, Arben Ahmetaj. Arben Ahmetaj iu faktoi shqiptarëve edhe njëherë se Edi Rama nuk është kryeministër, por është bosi, padrinoja, kryetari i një organizate të mirëfilltë kriminale.
Dhe kudo që shkon, ai shkon dhe udhëton jo si kryeministri i Shqipërisë, por si kreu i një organizate kriminale, më e rrezikshmja në historinë e këtij vendit, të rajonit dhe Europës. Arben Ahmetaj, edhe njëherë zhveshi dje lakuriq Edi Ramën si arkitekti i krimit më të madh që mund të ketë ndodhur në historinë e vendit, kanabizimit të Shqipërisë.
Dhe se në mbledhjen e qeverisë, kjo strategji u kundërshtua nga ai dhe 4 kolegë ministra. Mirëpo Edi Rama ishte i pandalshëm, erdhi nga krimi dhe vetëm krim mund të mbillte në këtë vend”, tha Berisha.
Në akuza u ndal edhe për zv.kryeministren Belinda Balluku. Referuar deklaratave të Ahmetajt, Berisha thotë se Rama e Balluku morën 50 mln euro nga Tuneli i Llogarasë, duke i diktuar kompanisë turke se çfarë oferte do paraqiste.
“Në mënyrë të përsëritur kemi denoncuar para jush vjedhjen e tmerrshme me tunelin e Llogarasë. Arben Ahmetaj ishte dëshmitar i pazarit në të cilin Rama-Balluku morën 50 milionë euro, duke i diktuar kompanisë turke se çfarë oferte do paraqiste dhe duke i thënë po aty, se ky këtu, ishte fjala për Gjokën, do ta japësh për 130 milionë euro. 50 milionë euro më lirë se sa ç’paguajnë taksapaguesit.
Ky është një rast super flagrant vjedhje e 5B, sepse Arben Ahmetaj futi një terminologji tjetër, 5B. Jo më kot e kam quajtur unë Lubi Balluku se ajo përbën një hajdute të pandalshme me një etje të pashuar për të vjedhur në çdo gjë. Nuk harroj kurrë kur si drejtore e Albkontrolit shpenzoi 220 mijë euro për zyrën e vet. Një simbol i urryer i asaj që një grua nuk duhet të jetë kurrë. Kurrë”, tha Ahmetaj.
Teksa PD duhet të nisë procesin e primareve dhe shumë prej figurave të saj kanë nisur fushatën me qytetarët e diasporën, Berisha thirri një protestë më 8 shkurt ora 17:00 në Tiranë, në kuadër të mosbindjes civile. Ai tha se kjo do të jetë protestë kombëtare ndërsa akuzoi kryeministrin Rama se e ka kthyer shtetin në organizatë kriminale.
“Ndaj ftoj qytetarët shqiptarë, ditën e shtunë me 8 shkurt, e gjithë Shqipëria në Tiranë, e gjithë Tirana në sheshe dhe rrugë, kundër këtij regjimi, i cili i ka bërë shqiptarëve dhe Shqipërisë dëmet më të mëdha në historinë e tyre”, tha Berisha.