SHKODËR- Nga kryeqendra e veriut, ish kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje kandidatit të socialistëve, Benet Beci që të dalë në një debat me Bardh Spahisë. Sipas tij kjo është e vetmja mënyrë për të dhënë llogari para qytetarëve.

“Karshi  Bardh Spahisë kandidon përfaqësuesi i Edi Ramës. E meriton këtë që po bëni ju, megjithatë kjo është njëra anë, ana tjetër është ftesa ime; Benet hajde këtu bashkë me Bardh Spahinë, dilni para qytetarëve dhe jepni, jepni llogari për çdo gjë. Përgjigjuni të gjitha pyetjeve të qytetarëve të Shkodrës dhe me këtë ti dëshmon se ke ndjenjën e përgjegjësive, përgjegjësisë ndaj qytetarëve të Shkodrës”, tha Berisha.

Ai nuk i ndali akuzat as në drejtim të kryeministrit Edi Rama.

“Merreni në dorë, flamurin e fitores, flamurin e kësaj fushate, sepse në të vërtetë për nënën, motrën, vajzën, gruan shqiptare, armik më të egër në pushtet se Edi Rama nuk kanë paturndonjëherë.  Ai është një mizogenist i pashoq dhe i pashembullt dhe nuk e quaj të tillë për gosipin që ekziston për dhunën brutale që përdor në familje, etj., etj., se nuk janë punë të mia ato, por e quaj të tillë për vuajtjet, dhimbjet, psherëtimet, brengën që ai u krijoi gjatë këtyre viteve, nënave dhe motrave, vajzave shqiptare, duke i zhytur në varfëri, duke detyruar fëmijët e tyre të largohen nga vendi, vëllezërit, motrat, djemtë e vajzat të marrin dheun se nuk mund ti mbajnë në shtëpitë e tyre”, tha Berisha.

Berisha është i bindur që do të marrë Shkodrën, duke theksuar se provën e ka dhënë edhe në 6 mars.