TIRANE- Qeveria miraton sot planin e ri të frekuencave i cili sipas kryeministrit Berisha i hap rrugë përdorimit të teknologjisë më të avancuar 4-G që i mundëson qytetarit të marrë në celularin e tij internet super të shpejtë deri në 100 mb dhe ofron shërbimet më të shkëlqyera të kësaj fushe

"Shqipëria do të ngjitet në shkallën më të lartë të përdorimit të teknologjisë dhe informacionit "- tha kryeministri Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë.

Kryeministri tha se janë bërë përparime në fushën e telekomunikacionit. ” Kanë qenë të dhimbshme çmimet e komunikimit celular. Unë zgjerova tregun, ula çmimet, opozita më sulmoi. Çmimet e kompanive celulare sot janë 3-5 herë më të ulëta.”- tha Berisha

Në këtë mbledhje që zgjati më pak se një orë lideri i maxhorancës paralajmëroi edhe miratimin e një sërë vendimesh që lidhen me projektin "Shqipëria superfuqi energjitike". Sipas kryeministrit qeveria ka bërë gjithcka që qytetarët të mos kenë rritje të energjisë elektrike.  Ai ironizoi dhe deklaratat e kreut të selisë rozë mbi shifrat e papunësisë.

"Të flasësh për 1 milonë të papunë në një vend që në statistikë ndërkombëtare ka gjithësej 1 milion e 40 mijë vetë forcën punëtore do të thotë që je ftohur në të gjitha anët. T`u thuash qytetarëve se papunësia është 1 milion atëherë mor zotësi jeton në një botë personale” ironizoi Berisha.

Qeveria miraton sot dhe dhënien me koncesion të HEC-et Shën Gjon dhe Kryezi në Pukë.

(sg/shqiptarja.com)