TIRANË- Kur mbështetësit e Sali Berishës do të shkojnë në seli në 8 janar, Lulzim Basha ka deklaruar se do jetë në zyrën e tij për të vijuar axhendën e ditës. Kryedemokrati e ka cilësuar protestën e thirrur të 8 janarit, si një tjetër shfaqje e shëmtuar e Sali Berishës.
" Do jem në zyrën time në 8 janar në orën 12:00. Në seli do të vazhdohet puna, do të ishte hipokrizi që të thonim se këto 4 muaj, lëvizja për të shkatërruar PD dhe për ta marrë si një plaçkë nuk na ka dëmtuar në axhendën tonë si opozitar", tha Basha në emisionin 'Open'.
Lulzim Basha nuk ka përjashtuar mundësinë se në 8 janar mund të ketë skenare dhune, por thekson se PD-ja është e përgatitur për të gjitha. Në çfarë forme, zgjodhi që të mos ta zbulonte.
"Nuk besoj se ka demokrat që nuk e ka kuptuar tashmë se ajo që nisi për kauzë për demokratizimin e PD, komisari ka gënjyer demokratët, nuk përjashtoj që element kriminal mund të bëjnë gjithçka, në veçanti ato që i bashkon Non Grata, por PD është e përgatitur për çdo situatë. Ato nuk janë gjë tjetër veç që përgjegjësia që demokratët të mos përdoren për mish për top nga demokratët apo elementët kriminal, Ndërsa çdo kush tjetër çdo akt që do të ndërrmarin do i marrin përgjegjësitë që i takojnë në ligj", tha kryedemokrati përballë Eni Vasilit.
Ai ka zbuluar edhe temat për të cilat ka diskutuar me zëvendës ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë Demian Smith, i cili i shkoi sot në seli. Në këtë takim, në fokus ka qenë edhe protesta e 8 janarit, por edhe zhvillimet e tjera në arenën politike.
"Biseda ka qenë më e gjerë se 8 janari, po realiteti shqiptar më i madh është se gjalot, 8 janari ishte pjesë e bisedës, kemi folur për një hap të rëndësishëm që qendrën e posaçme pararojë e operacioneve speciale të NATO dhe ato amerikane. Edhe Rama e propagandon si arritje të qeverisë së tij, është një moment i rëndësishëm për shqiptarët dhe lajm i mirë për të gjithë ata që mbajnë mend se si Shqipëria U bunkerizua nga regjimi i Enver Hoxhës që të ikim nga ky bunkerizim por që të kemi një qendër të NATOs, për të cilën mund të them që do na kenë zili vendet e reja të NATOS, folëm për zhvillimet në rajon, folëm për Dodik, folëm për skandalin e qeverisë atë të pagave, se si po bllokohet puna e Komisioneve hetimore", bëri me dije Basha.
Ndërkohë lidhur me akuzat për ekzistencën e disa fotove të personazheve të botës së krimit me të, Basha u justifikua që për shkak të profesionit atij i rastit që të pozojë me shumë njerëz, por thekson se ai ka refuzuar të përdor kriminelë dhe ky është ndryshimi sipas kryedemokrati, mes tij dhe Berishës.
"Tani e di edhe akuzën që disa prej këtyre paskan foto me mua. Me një politikan mund të pozojnë shumë njerëz. Çdokush e mban mend pritën që i bënë një politikani të së majtës në Durrës, një tjetër figurë e njohur e botës së nëndheshme. Diferenca është se kush politikan i përdor kriminelet. Këta kanë qenë njerëz të Sali Berishës. I ka përdorur Sali Berisha”, përfundoi Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se për referendumin e Berishës që u mbajt më 18 dhjetor kanë votuar vetëm 10% e anëtarëve të PD-së. Ai tha se PD disponon prova dhe fakte për çdo qendër të partisë se si Sali Berisha ka mashtruar për votën e demokratëve.
Pyetje: Është votuar për shkarkimin tuaj, për referendumin për shkarkimin tuaj. Keni ju të tjera duke qenë se edhe zoti Bardhi deklaroi që posedojnë video të tjera si ajo e publikuar sot? Dhe kur do t’i publikoni, pse nuk i keni publikuar më parë?
- Përgjigjen shkurt. Përgjigjja është po. Pse nuk po i publikojmë? Pamjet që u dhanë nuk janë thjesht pamje, janë prova filmike të një kamere ngjitur me një qendër ku numërohen ata që kanë votuar dhe që janë 10% e asaj që ka deklaruar Berisha dhe është ajo që është mburrur Berisha më shumë. Është ajo qendër. Tani, që te kuptosh që një fuçi vere është e prishur, mjafton një gotë. Kur kjo ishte qendra që u mburr më shumë Sali Berisha mendoni si është në të gjithë Shqipërinë. I kemi të gjitha faktet, i kemi provat, edhe filmike por nuk na jep kënaqësi, përkundrazi. Është një turp që Sali Berisha dhe një grusht njerëzish përdhosin dinjitetin e një partie duke u sjellë në këtë mënyrë, duke mashtruar haptazi. Është diçka dhe bëhet fjalë për diçka më shumë sesa, se këtu po flasim ngushtë për një qendër të të ashtuquajturit referendum por po ta shikosh në një këndvështrim më të gjerë këtë kanë bërë gjithë kohën. Kanë gënjyer gjithë kohën. Kanë mashtruar gjithë kohën. Kanë shpifur gjithë kohën. Kanë manipuluar faktet gjithë kohën. Dhe këto kanë filluar të dalin siç doli ky filmim, siç doli ky filmim ka edhe shumë të tjerë dhe ata e dinë sepse ata e dinë se çfarë kanë bërë ndaj kanë filluar gjuhën e urrejtjes, kanë filluar gjuhën e sulmeve, gjuhën e shpifjeve, të dhunës, të nxitjes së dhunës, të një gjuhë shtazarake që përdorin një grusht njerëzish janë, mund të kenë 10, 20, 30 identitete nga këto qendrat ku punojnë po një gjuhë shtazarake që sulmojnë zonjat, sulmojnë fëmijët, fëmijët e demokratëve. Këta nuk kanë të bëjnë me Partinë Demokratike, s’kanë të bëjnë as me ata njerëz që deri dje shkonin pas Sali Berishës të zhgënjyer dhe të zemëruar nga masakra zgjedhore dhe nga regjimi i Edi Ramës. Janë një grusht njerëzish dhe kriminelësh e trafikantësh që kanë një qëllim; të zaptojnë Partinë Demokratike, ta përdorin si mburojë kundër non gratës, siç e kam thënë më përpara, është bërë një grup që shtrihet edhe përtej këtyre, shtrihet edhe në partitë e tjera, shtrihet edhe tek selia e Edi Ramës, edhe në ndonjë seli tjetër. Grupi “na bashkoi non grata amerikana”, që ka një qëllim, si fillim të asgjësojë Partinë Demokratike, si i vetmi institucion opozitar i qëndresës kundër regjimit, kundër masakrës zgjedhore dhe pa diskutim, si një parti properëndimore, pro ShBA, pro BE.