Berisha e Basha u ‘dogjën’ nga SHBA e lobimi rus, PD dhe partia e re pa liderë

Berisha e Basha u ‘dogjën’ nga SHBA e lobimi rus, PD dhe partia e re pa liderë

Sali Berisha dhe Ilir Meta

Lulzim Basha gjatë gjithë karrierës së tij politike ka realizuar atë që bën më mirë: Dështimin. Askush s’kishte dyshime për të, përtej deklaratave apo opinioneve mediatike, pro apo kundër tij.

Të gjithë kanë qënë dhe tashmë janë akoma më të bindur se Lulzim Basha nuk ka jo vetëm “stof” prej lideri, por as “stof” prej politikani. Thjeshtë ishte një politikan kalimtar, që “erdhi, pa, mori sa deshi para dhe iku”.

U provua në të gjitha postet e mundshme shtetërore sa kohë PD ishte në pushtet dhe kryeministër ishte Sali Berisha, “babai” i tij politik, dhe në masën 100 përqind dështoi me sukses.

U bë ministër Transportesh që në krye të herës, dhe na la në dorë një faturë më e pakta 230 milionë euro të zhdukura pa nam e nishan nga “Rruga e Kombit”, pa llogaritur faturën e madhe financiare për 66 km rrugë që as autostradë nuk është, prej mbi 1.5 miliardë eurosh, kosto e deritanishme e kësaj rruge. E cila vijon të “gëlltisë” sërish pafund para dhe sot e kësaj dite.

Ndonëse Basha i shpëtoi drejtësisë me procedurë dhe raporte mjekësore, në përceptimin e shqiptarëve ish kreu i PD është ai që përvetësoi paratë e destinuara për ndërtimin e saj dhe se kjo rrugë është një “makinë gëlltitjeje” parash pa fund, duke mos sjellë asnjë përfitim për arkën e shtetit.

E bënë Bashën ministër të Jashtëm dhe nuk qëndroi pa i “këputur” një mëkat, akoma më të madh, cënoi tërësinë territoriale të Shqipërisë, duke i falur sipërfaqe deti fqinjit tonë jugor, Greqisë. Me firmë dhe me vulë, madje duke qeshur vesh më vesh, teksa nënshkruante me ish homologen e tij greke Dora Bakojanis.

Në një vend normal, Basha duhej të ishte para drejtësisë për tradhëti të lartë, pasi provat janë: Marrëveshja e nënshkruar, pamjet filmike e mbi të gjitha vendimi unanim i Gjykatës Kushtetuese që e rrëzoi këtë marrëveshje. Basha ia hodhi paq, pasi Berisha ndonëse prezent, është aq “skile” e vjetër sa të mos lërë asnjë gjurmë zyrtarisht. Si gjithnjë në tërë jetën e tij politike. Ndonëse gjithkush e di se pikërisht Berisha ka dhënë urdhër për këtë marrëveshje, e që Basha nuk kishte guxim ta kundërshtonte. “Patriarkal” Basha, si t’ia prishë “babait” të tij politik që e mori nga hiçi dhe e ngjiti në kupolën më të lartë të drejtimit të PD dhe të shtetit.

Dhe Basha, në vend që të penalizohej për këtë akt anti-kombëtar, gradohet ministër i Brendshëm. Ku dhe këtu la pas krimin e madh, vrasjen e 4 demonstruesve të opozitës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë kryeministrisë, nga Garda e Republikës.

Do të thotë dikush se e ka marrë përsipër Berisha këtë krim, teksa thoshte se do të vriste me snajper dhe Edi Ramën nëse bënte një hap para apo do të vriste 4 mijë protestues nëse guxonin të tentonin të hynin në godinën e kryeministrisë.

Ky është fakt. Por fakti themelor është se Basha ishte ministër i Brendshëm, “maja” e zinxhirit komandues të Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit. Ka përgjegjësi, por tashmë është i zënë me Berishën për t’ia hedhur faturën e këtyre vrasjeve njëri tjetrit.

Por punë e tyre. Bashën e bënë kryetar bashkie të Tiranës, madje ia morën fitoren Ramës në tavolinë, dhe përpos ca leje ndërtimi të “vogla” tek ish kompleksi “Partizani” dhe legalizimit të shtesës së pallatit të tij, asgjë nuk bëri.

E bëri Berisha kryetar të PD dhe për 9 vite mori zero fitore në zgjedhjet vendore e parlamentare përballë Ramës, duke shënuar një dështim në përmasat e plota, 100 përqind. Si askush tjetër në këtë vend.

Por ka bërë dhe ndonjë vepër të mirë. Madje të vetmen kryevepër që ka bërë Lulzim Basha, këtë meritë duhet t’ia njohim të gjithë, kundërshtarë apo mbështetës të tij, ishte se ai nxori nga politika Sali Berishën. Si askush tjetër në këto 32 vite post-komunizëm. E katandisi në një “kufomë” politike, që tashmë si i ngritur nga varri lëviz nëpër Shqipëri dhe në ekrane.

Dhe kjo erdhi pas shpalljes nga ana e SHBA “non grata” familjarisht, teksa Basha e përjashtoi dhe nga grupi parlamentar Sali Berishën. E kjo nuk është pak. Basha theu mitin e paprekshmërisë së Berishës dhe bëri atë që asnjë politikan i PD apo kundërshtar nuk ia kishte bërë Berishës.

Pavarësisht mënyrës se si e bëri, me vendim strukture apo vendim personal, Basha do të mbetet në histori si njeriu që nxori Berishën zyrtarisht nga politika. Megjithëse e bëri me shumë kosto politike për veten, pasi praktikisht është jashtë politikës, megjithëse ka një mandat deputeti në xhep.

Basha “korri” atë që “mbolli” për 9 vite në krye të PD: Qëndroi nën hijen e Berishës, bëri politikë me udhëzimet dhe urdhërin e tij verbal, duke e katandisur PD në këtë situatë tepër të vështirë dhe tepër të rëndë në të cilën gjendet sot. Ku vendi është pa opozitë.

Praktikisht PD është e ndarë në dy pjesë, njëra është marrë “peng” në mënyrë të dhunshme nga Sali Berisha, bashkë dhe me selinë e demokratëve buzë Lanës, e “lumpeni” ka dalë në sipërfaqe dhe lëvrin rrotull drejtuesit të këtij grupimi.

Ndërsa tjetri drejtohet nga Enkelejd Alibeaj, me komandim më saktë, ka shumicën e grupit parlamentar të PD, ka dhe vulën e partisë, zgjidhja për të cilat është në dorën e Gjykatës së Apelit, e cila njëherë do të vendosë sado ta zvarrisë çështjen nga frika e Berishës, se kush do të gëzojë privilegjin të drejtojë zyrtarisht këtë parti, të ketë në zotërim vulën, logon dhe të flasë dhe regjistrohet në zgjedhje në emër të PD.

Ajo që thuhet jo-zyrtarisht për grupimin kundërshtar të Berishës, është se pas tij qëndron Lulzim Basha, ish kryetari demokrat i dëbuar nga Berisha për aktin që kreu, pra përjashtimin nga grupi parlamentar dhe nga partia të liderit historik.

Zyrtarisht dhe sot Berisha nuk është anëtar i grupit parlamentar të kësaj partie. Ndonëse drejton shumicën e PD. Nuk po flasim për grupin e tretë, atë në “hije”, pra grupin e të lëkundurve, pasi në një formë apo tjetër ata do të shkojnë me fituesin. Çështje karakteri kjo.

Gjithë situata e zgjidhjes zyrtare të krizës në PD, pra e krizës së lidershipit varet nga vendimi i Apelit. Nëse kjo gjykatë vendos që Alibeaj ka të drejtë, atëherë Berisha zyrtarisht nuk është më kryetar i PD e për pasojë në zgjedhjet e pranverës së ardhshme nuk ka të drejtë të përdorë vulën dhe logon e PD për t’u regjistruar si formacion politik në zgjedhje. Kjo i takon grupimit të Alibeajt, pas të cilit qëndron Lulzim Basha, sipas të gjitha gjasave.

Sali Berisha do të detyrohet që për këtë kohë të shkurtër t’i vendosë një emër grupimit politik të tij për t’u regjistruar në zgjedhje dhe marrë pjesë me kandidatët e tij për kryetar bashkie. Në të kundërt, nëse përdor sërish “shtëpinë” e Ilir Metës, atë të “Lirisë”, atëherë jemi të bindur se Ilir Meta, me oreksin për pushtet që ka, do t’ia heqë “skalpin” Berishës duke i kërkuar dhe marrë gjithçka, dhe duke e “shtypur” këtë grupim që lideri historik i demokratëve kryeson.

Nëse Apeli vendos në favor të Berishës, atëherë “Foltorja” e tij përfundimisht do të përfaqësojë dhe zyrtarisht PD-në dhe do të operohet sikurse Berisha e ka në mendje, për një opozitarizëm radikal, por që nuk prodhon vota për të mundur Edi Ramën dhe PS dhe për të ardhur në pushtet.

Ndërkohë, siç është dhe paralajmëruar, grupimi i PD që aktualisht drejtohet me komandim nga Alibeaj, do të shndërrohet në parti politike, që do të ketë grupin e saj parlamentar me më shumë se 30 deputetë deri në zgjedhjet e vitit 2025 e që gjasat janë që në krye të saj të zgjidhet Lulzim Basha. Të paktën kështu mendohej deri dje. Por nga kjo ditë gjithçka është komplikuar dhe për vetë Lulzim Bashën, njeriun që nxori jashtë loje Berishën.

Në një artikull të botuar nga “Zëri i Amerikës” nënvizohet se, “Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende, që nga viti 2014 dhe Presidenti Putin është angazhuar në financim të fshehtë politik në mbarë botën, sipas një zyrtari të lartë amerikan.

Sipas zyrtarit që foli me median, ky është përfundimi në të cilin arrin një raport i komunitetit amerikan të zbulimit i cili ka analizuar financimet e Rusisë “në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit në një përpjekje për të manipuluar demokracitë nga brenda”.

Sipas një burimi me njohuri mbi raportin amerikan të zbulimit, Shqipëria është një nga këto vende. “Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”, tha burimi i qeverisë amerikane.

Burimi nuk dha hollësi të mëtejshme për rastin e Shqipërisë. Por viti 2017, emri i PD dhe shifra e përmendur prej 500 mijë dollarësh përkojnë me hetimet që janë hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ ka raportuar se ka marrë nga PD-ja”.

Kjo është në esencë ajo që thotë VOA, dhe kryetar i PD në atë kohë ka qënë Lulzim Basha. Të paktën zyrtarisht, megjithëse nuk duhet të tregohemi të ngurtë dhe të themi kollajsisht, se meqë Berisha luante fijet e drejtimit të PD në prapaskenë, është dhe i fajshëm dhe për këtë kontratë të dyshimtë të nënshkruar nga Basha, e cila përfshin financimin e rusëve për të lobuar në SHBA. Kur ka punë lekësh, këtu Basha s’të fal, e ka syrin “pishë” dhe këtë e ka treguar gjatë 9 viteve në opozitë se këtë punën e lekut e ka pak qejf. Eshtë bërë trefish i pasur në opozitë dhe këtë e thonë zërat brenda dhe jashtë PD.

E pamoralshme dhe brenda amoralitetit politik është sjellja e Berishës dhe e mbështetësve të tij sot, të cilët tani e akuzojnë Bashën se ka futur PD-në në një lidhje dhe rreth mafioz, ndërkohë që vetëm një vit e gjysmë më parë vetë Berisha e shumë nga “lektorët” e tanishëm të ndershmërisë politike, e mbrojtën fort Bashën, duke akuzuar Ramën se ishin trillime të tij.

E vërteta e kulluar është se ndonëse Basha ia doli që me drejtësinë shqiptare, të gjithë e dinë se si është, ta ‘qethë’ dosjen e akuzave dhe në fund ta mbyllë fare me procedurë, ndaj thotë ish kreu i PD se drejtësia shqiptare foli për këtë çështje, drejtësia dhe qeveria amerikane nuk e kanë harruar lobimin me para ruse të Bashës në SHBA.

Madje kanë vijuar hetimet nga FBI mbi këtë çështje, anipse prokurorët shqiptarë e dërguan me urgjencë dosjen në gjykatë, ashtu të cunguar, duke refuzuar marrjen në pyetje të njeriut kyç të këtij lobimi me para ruse, Nick Muzin. E ka deklaruar publikisht ai sae ishte i gatshëm ai të dëshmonte dhe para drejtësisë shqiptare sikurse ka dëshmuar para drejtësisë amerikane, vetëm me kushtin që të mos ekstradohej në Shqipëri.

Dhe kur e shkruan “Zëri i Amerikës” që cilësohet si një zë i DASH, dhe citon deklarata të zyrtarit amerikan të Zbulimit, kjo do të thotë se punët për Bashën nuk janë mirë. Ka marrë para nga njeriu që gjithë bota e ka shpallur armik pas agresionit ndaj Ukrainës, Vladimir Putin. Dhe kjo quhet cënim i sigurisë kombëtare të SHBA dhe vendeve aleate të saj, pra dhe Shqipërisë.

E thënë më shqeto, Lulzim Basha, ndonëse përjashtoi Berishën nga grupi i PD pas shpalljes “non grata” nga SHBA familjarisht për korrupsion të theksuar, minim të demokracisë në Shqipëri dhe shantazhim të drejtësisë, dhe për këtë i “heqim kapelen”, në të vërtetë është në të njejtën rrugë me “babain” e tij politik, atë të shpalljes “non grata”.

Për pasojë, nëse miratohen dhe nismat e reja ligjore të PS dhe PD që përjashtojnë nga politika dhe drejtimi i partive politike të gjithë ata politikanë që kanë qënë spiunë, zyrtarë të PPSH dhe janë shpallur “non grata” nga SHBA, atëherë dhe Lulzim Basha, ashtu sikurse Sali Berisha apo dhe Ilir Meta, jo vetëm që nuk duhet të jenë në Parlament apo të bëhen ministra e kryeministra, por nuk mund të drejtojnë as formacione politike.

Praktikisht dhe Basha quhet i “djegur” politikisht dhe kjo ka ardhur për shkak të paaftësisë së tij proverbiale si dhe veprimeve të pakontrolluara kur bëhet fjalë për para, si në rastin e financimit rus të lobimit të tij në SHBA, çështje që sikurse e nënvizuam, është në dorën e amerikanëve, të cilët i çojnë gjërat në fund dhe nuk e njohin “mikun”, raportin mjekësor, apo dhe devotshmërinë, nëse ke qënë i implikuar në situata që cënojnë sigurinë kombëtare të SHBA dhe vendeve aleate të tyre, në rastin konkret të Shqipërisë.

Dhe që të kthehemi tek PD, po të doni dhe tek opozita në përgjithsësi, mbetet ende mister se kush do të drejtojë PD-në zyrtare, apo partinë e re që do të lindë nga trungu demokrat në të dyja variantet e vendimit të Gjykatës së Apelit, kur Berisha është “non grata”, Basha është një hap drejtim këtij “titulli”. Dhe bëhet fjalë për pak muaj para zgjedhjeve, ku koha është e paktë në dizpozicion dhe për një parti që është e konsoliduar, jo për një PD e shpartalluar dhe të ndarë në tre grupe. Pra të shkatërruar në themel.

Megjithëse situata tek PD dhe opozita mund të duket e pashpresë, fakt është se partitë politike kanë potenciale deri më tani të padeklaruara që mund të marrin në dorë bashkimin e organizimin, dhe në rastin e PD, për ta bërë  këtë parti gati për zgjedhje dhe pasur si alternativë të paktën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Pasi për Partinë e Lirisë, ndajmë të njejtin qëndrim, ajo ka pronar dhe pronari është Ilir Meta e familja e tij. Eshtë rast i pashpresë. Të presim. Por koha ecën me shpejtësi.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se aksioni për konfiskim është zgjidhja e duhur për ndërtimet pa leje?



×

Lajmi i fundit

Akademia e Shkencave risjell për herë të dytë në Shqipëri një nga konferencat më mëdha të shkencës

Akademia e Shkencave risjell për herë të dytë në Shqipëri një nga konferencat më mëdha të shkencës