Saranda ka mirëpritur mëngjesin e kësaj të marte kroçerën e parë për sezonin turistik 2026. Anija turistike “Sapphire Princess” ka mbërritur në qytet me rreth 2600 turistë në bord, duke shënuar nisjen e një tjetër sezoni të rëndësishëm për turizmin e kroçerave në qytetin bregdetar.

Turistët që udhëtojnë me këtë kroçerë kanë nisur menjëherë vizitat në Sarandë dhe në zonat përreth. Një pjesë e tyre po vizitojnë qendrën e qytetit, ndërsa të tjerë janë drejtuar drejt destinacioneve turistike dhe historike të jugut të vendit.

Grupi i turistëve është i përzier dhe përfshin vizitorë nga vende të ndryshme të botës. Kroçera ka mbërritur në Sarandë nga Italia dhe pritet të vazhdojë itinerarin e saj pasditen e kësaj të marte drejt Greqisë.

Mbërritja e kësaj kroçere shënon hapjen e sezonit të anijeve turistike për vitin 2026 në Sarandë, një segment gjithnjë e më i rëndësishëm për ekonominë lokale, pasi çdo ndalesë e kroçerave sjell mijëra vizitorë që frekuentojnë bizneset, restorantet dhe atraksionet turistike të qytetit.