Jakin Marena: Berisha e ‘klonët’ e tij kundër Dumanit, mbingarkesa e SPAK dhe Vettingu

Jakin Marena: Berisha e ‘klonët’ e tij kundër Dumanit, mbingarkesa e SPAK dhe Vettingu

Sali Berisha

Drejtësia e re shqiptare, me nismën e mazhorancës aktuale dhe mbështetjen e fortë të partnerëve tanë ndërkombëtarë, u ngrit për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve më të lartë në këtë vend.

Janë hedhur miliona euro, janë harxhuar vite e vite kohë, janë konsumuar të gjithë elementët e mbështetjes mbarëpopullore dhe ndërkombëtare dhe në fund të herës ka dalë ‘sagllam’ vetëm Prokuroria e Posaçme, e për të qënë ‘brenda’ segmentit të mbështetjes së deritanishme po fusim dhe Gjykatën e Posaçme.

Me ‘mik’ mund ta rendisim ketu, pasi vende vende dhe gjykata arrin të dalë në ‘habitatin’ e vet, atë të para reformës në drejtësi, pasi me të dëgjuar e kemi, por asnjëherë të përgënjeshtruar as nga SPAK dhe as nga Gjykata e Posaçme, nuk kanë munguar rastet kur kjo gjykatë ka refuzuar marrjen nën hetim të ndonjë personaliteti të lartë politik, apo dhe kërkesën për t’i arrestuar dhe mbyllur në shtëpi apo në qeli të po këtyre zyrtarëve.

Nuk themi se përpos SPAK të tjerët janë të korruptuar, s’na e nxë goja këtë fjalë ta themi të paktën ne që e mbështesim pa rezerva drejtësinë e re. Por ama mund të themi se ndonjë nostalgji banale e rastit, ndonjë kthim nderi për futjen e tyre të kahershme në sistemin e drejtësisë, si dhe mungesa në tërësinë e fjalës e këllqeve për të bërë punën për të cilën paguhen, dhe paguhen me trajtim ‘Ajaksi’ siç thuhej dikur, ka bërë që të shpëtojë ndonjë zyrtar i korruptuar e deri ndonjë ‘dinozaur’ i politikës shqiptare nga prangat apo dhe nga hetimi.

Bashkohem me mendimin e të gjithë atyre që thonë se nuk mund të përballet i vetëm SPAK me korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe krimin e organizuar, i cili ka fillesat pra ‘embrionin’ e vet, ka ngritjen dhe në fund lulëzimin e tij, madje deri në sofistikim për realitetin shqiptar pasi nuk mund të krahasohet me mafian ndërkombëtare. Pra s’mund ta bëjë këtë luftë vetëm SPAK. Sado i angazhuar maksimalisht të jetë. Aq më tepër që kemi të bëjmë me një abuzim mbi 30 vjeçar.

E themi këtë sepse kaq i ka numrat, nuk mund të marrë nën hetim të gjitha çështjet, të cilat dhe mund të përballohen nga segmente të tjera të drejtësisë së re, duke filluar nga prokuroritë e të gjitha niveleve dhe përfunduar tek gjykatat e të gjitha niveleve.

Nuk ka kohë fizike që të merret me të gjitha këto, nuk ka numrat e duhur për të mbuluar të gjitha rastet, të mëdha dhe të vogla, dhe me të drejtë kreu i SPAK Altin Dumani kërkoi para deputetëve të Komisionit të Ligjeve që të hiqen nga ‘barra’ e SPAK disa çështje që mund të hetohen dhe nga ana e prokurorisë. Por ka të drejtë dhe kur kërkoi shtimin e personelit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, pikërisht të atyre oficerëve hetues që janë baza për hetimin e një çështjeje.

Ishte normale që do të merrte nga deputetët e opozitës përgjigje negative, të merrte sulme ndaj punës së tij dhe të SPAK një kërkesë e tillë. Por do merrte dhe goditjet me “pambuk’ nga ata që hyrjen e bëjnë me fjalim me superlativa për Prokurorët e Posaçëm e mbylljen e bëjnë pas ‘por…’ me helmin që hedhin, ashtu butë butë të veshur me një frazologji mbështetëse. Por efektin e bëjnë gati njëlloj në ‘trupin’ e vënë nën goditje të drejtësisë së re.

Fundja askush nuk priste që të dëgjohej në total mbështetje nga deputetët para të cilëve raportoi punën e tij dhe deshi të qante hallet e institucionit që drejton, Altin Dumani, kreu i SPAK. E themi këtë sepse një pjesë e këtyre deputetëve ishin në konflikt interesi. Janë nën hetim nga SPAK për vepra të ndryshme penale, dhe kuptohej se do të kishin vetëm goditje ndaj tij.

Gjithkush e pa sikletin e kreut të SPAK Altin Dumani teksa raportonte në Komisionin e Ligjeve, para deputetëve të cilët i kishte një pjesë në listën e të hetuarve. Mediat që mbështesin këta deputetë apo partitë e grupimet politike që qëndrojnë pas tyre, më shumë se sa me faktin se Altin Dumani po raportonte përballë  deputetëve nën hetim nga SPAK, u morën më leksikun e Altin Dumanit, me çehren e fytyrës së tij sa herë që dëgjonte ndonjë pyetje nga të hetuarit prej tij dhe institucionit që heton, dhe aspak me thelbim e çështjes.

Ajo që mund të themi është se Dumani tregoi karakter të fortë. Nuk besoj se ka shqiptar që do të duronte pyetje e këshilla nga ata që janë nën hetim për korrupsion madhor, që nuk dinë ku i kanë lekët, trojet, vilat apo të mira të tjera materiale të përfituara përmes abuzimit me të gjitha format me pushtetin. Altin Dumani duroi, ndoshta me shpirt ndër dhëmbë, karshillëkun e deputetëve nën hetim të SPAK, duroi ndoshta me mendjen që seanca të mbaronte sa më shpejt, për t’u rikthyer në punën e tij. Një pjesë e së cilës është dhe hetimi i këtyre deputetëve qëe e pyesnin.

Se Shqipëria është me të vërtetë vend i çudirave. Pasi të shkosh në Parlament duke shkelur dhe kodin e etikës, pa kostum, e mbi të gjitha poshtë xhaketës të kesh veshur bluzën me foton e Sali Berishës ku shkruhej “Lironi Berishën’  i cili është nën arrest shtëpiak, siç bëri deputeti i Rithemelimit Flamur Noka, e mbi të gjitha të bësh pyetje pse është arrestuar Berisha teksa vetë është nën hetim nga ana e SPAK për pasurinë që dihet ku fillon por as Muli vetë se di ku mbaron, e të presësh që Dumani apo kushdo njeri në këtë tokë të flasë me optimizëm, rrjedhshëm e t’u përgjigjet pyetjeve të drejtuara siç e duan ata që i drejtuan, është një kërkesë maksimaliste.

Sepse që në krye të herës, përmes veshjes pa kaluar tek pyetjet, apo tek qëndrimi i deputetëve përballë Dumanit, ishte një provokim i hapur dhe i pastër ndaj SPAK. Ishte një sfidë reale ndaj drejtësisë së re. Ndaj duhen lënë këto ‘leximet’ e gjuhës së trupit dhe të mimikës së Dumanit, pasi secili nga ata që e bën këtë ‘lexim’, po të ishte në vend të Altin Dumanit do të kishte shpërthyer në Komisionin e Ligjeve. Unë personalisht do kisha dalë që në fillim, derisa të kishte ndërruar sëpaku bluzën Mul Noka, dhe kur të kishin dalë nga Komisioni të gjithë ata deputetë që në një formë apo tjetër janë nën hetimin e SPAK. Pasi raportimi i Dumanit para tyre do të ishte, sikurse ndodhi, një stërmundim.

Sepse deputetët dhe zyrtarët e lartë, kryesisht nga grupi i Rithemelimit që drejtohet nga Berisha nuk e kanë për herë të parë sfidën ndaj SPAK dhe drejtësisë së re. Pa llogaritur sulmet verbale, fyerjet dhe etiketimet si organizatë kriminale të SPAK nga Berisha dhe ‘klonët’ e tij, ka dhe veprime sfiduese ndaj drejtësisë së re. Për fat të keq këtë gjë e bën dhe Argita Berisha Malltezi si juriste e pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë që është, në atë që quhet ‘laboratori’ i prodhimit të juristëve shqiptarë të së ardhmes, që gjithkush e merr me mend se më e pakta ‘lindin’ që në krye të herës ku më shumë e ku më pak, me ‘infeksion’ dhe detyrime si barrë për arritjen e notës dhe futjen në sistemin e drejtësisë.

I pari është Berisha që është nën arrest sepse nuk respektoi vendimet e gjykatës për detyrim paraqitje, vendim i marrë nën akuzën për korrupsion pasiv. SPAK kërkoi arrestin shtëpiak që u dha nga gjykata. Kjo solli dhe sulmet nominale dhe kërcënimet emër për emër të gjithë atyre prokurorëve dhe gjyqtarëve të posaçëm që kanë nën hetim dhe gjykim akuzat në ngarkim të Berishës. Akuza që pritet të shtohen nën progresion gjeometrik, për shkak të zullumeve të shumta të kryera gjatë gjithë viteve që ka qënë në pushtet ose jo e të grumbulluara për shkak se nuk ka pasur drejtësi në këtë vend që të merret me Berishën. Ndaj duken shumë, sepse janë në ‘stok’ për 33 vite, pa guxuar askush t’i prekë me dorë.

Me sa duket nga Berisha kanë marrë zemër dhe këta ‘çerrat’ e vegjël të politikës, ku rasti më flagrant është ai i deputetit ‘mobile’ të Rithemelimit Ervin Salianji. I cili herë shfaqet me hu në dorë kundër Berishës, herë me urë zjarri në dorë në mes të Parlamentit pro Berishës dhe kundër institucioneve, e herë me ‘dhimbje barku’ apo me punë të shumta si beqar që është kur e thërret Gjykata e Apelit për ta gjykuar për “Babalen”. Akuzë për të cilën në gjykatën e shkallës së parë ka marrë një dënim prej më se një vit burg.

Dhe këtë radhë Salianji mungoi se kishte ashtu një punë, sikurse ka munguar herë te tjera për gati 5 vite me radhë, herë se mungon avokati, herë se ka ‘dhimbje barku’ Salianji, dhe ka ndonjë  punë madhore që tejkalon datën e caktuar nga Apeli për gjykim.

Ndërkohë që shfaqet menjëherë në takimin e Tropojës Ervin Salianji, me mbështetësit e paktë të Rithemelimit e çuditërisht flet për drejtësinë e kapur nga ky regjim. Nëse ka drejtësi të ‘kapur’ nga dikush, ajo është kapur nga Berisha dhe Rithemelimi. Pasi sado ta sfidojnë këtë drejtësi, ajo nuk ka pasur dhe nuk ka këllqe që t’i marrë dhe me forcë për t’i gjykuar dhe dhënë dënimin që meritojnë apo pafajësinë, nëse e meritojnë. Zgjatja më tej e “Babales’, por dhe tolerimi më tej i shkeljes së arrestit shtëpiak  nga Berisha është një sfidë ndaj drejtësisë së re, por dhe një pafuqi për të zbatuar ligjin njëlloj për të gjithë nga kjo drejtësi.

Dhe kur përmendëm se vetëm SPAK nuk mund ta përballojë i vetëm hetimin në Shqipëri, e kemi fjalën për të rivitalizuar segmentet e tjera të hetimit, apo prokurorinë bazë në fund të herës. Nuk e dimë se me çfarë merret, por ekziston një ‘postulat’ që nëse kërkon ta varrosësh një çështje, çojë në këto nivelet e prokurorisë, dhe e ke të kryer. Rasti më konkret është qëndrimi në ‘kalendat greke’ i çështjes së ’21 janarit’, e vetëm kalimi në SPAK pas vendimit të Strasburgut, ka sjellë shpresë për hetimin me themel të kësaj çështjeje. Ndryshe aty do të rrinte, përjetë pa u hapur.

Ndaj mendojmë, se teksa këta prokurorët e gjyqtarët me kalimin e vettingut e kanë fjetur mendjen se me një gjysmë angazhimi mund të dalin në pension në këto vende pune, është më se i nevojshëm një vetting i ri apo ‘vetting 2’, tashmë për shkallën e profesionalizmit të treguar në këtë periudhë të ndërmjetme. Pasi çështjet stok që stok po mbesin, dhe nëse qëndrojnë pa u vetuar për së dyti në këto poste. Në pluhur do rrinë. Ndaj duhet parë dhe kjo mundësi. Ndërkohë që ndonëse me hapa ‘breshke’, vijon dhe vettingu i nisur para shumë vitesh, ku tashmë ‘njëherë në hënë’ marrin nën shqyrtim ndonjë gjyqtar apo prokuror që nuk e ka kaluar vettingun, herë e ngelin herë e kalojnë. Pak për të justifikuar paratë për Vettingun, ndërkohë që ata që janë në pritje të verifikimit, nuk po lënë kusur me sa po duket. JAVA NEWS

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Non-grata: 28/05/2024 03:46

    Gjithësesi të gjithë janë kundra popullit. Është bo Shqipëria si ato fshatrat dikur që tashmë janë zhdukur.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Alarm në Greqi, ujërat e zeza të Athinës të ‘mbingopura’ me kokainë! Dyfishohet konsumi i drogës gjatë festave, ulet niveli i COVID-it

Alarm në Greqi, ujërat e zeza të Athinës të ‘mbingopura’ me kokainë! Dyfishohet konsumi i drogës gjatë festave, ulet niveli i COVID-it