Sali Berisha është drejt përfundimit të “Foltoreve” të organizuara prej tij në të gjithë vendin, pasi tashmë po afrohet drejt kryeyqytetit, me takimin në Kamzë.
Nuk përjashtohet mundësia që takimin e fundit përmbyllës ta mbajë në Tiranë, jo në “Rogner” aty ku e filloi, por në një takim më të gjërë në kryeqytet, pa e përcaktuar vendin deri më tani. Ose të paktën nuk e ka bërë publik.
Perceptimi që është dhënë përmes këtyre “foltoreve” pavarësisht cilësisë së pjesëmarrësve, ku në të gjitha rastet me patjetër mikrofonin e ka marrë një i sapodalë nga burgu, është se Kuvendi i 11 dhjetorit i paralajmëruar nga Berisha do të nxjerrë një fitues, pikërisht iniciatorin e kësaj lëvizjeje brenda PD, Sali Berishën.
Është shumë e çuditshme se si tek i njëjti person gjendet njeriu që cakton datën e mbledhjes së Kuvendit, vendin ku do të zhvillohet ky aktivitet, vetë-ofrohet si njëra ndër kandidaturat për kryetar i PD dhe është dhe garantuesi e certifikuesi i mbarëvatjes së Kuvendit Kombëtar, vendimeve që do të marrë dhe rezultatit të votimit në këtë Kuvend.
Por duke njohur mënyrën se si Berisha ka vepruar në 30 vite me PD-në, të cilën e ka trajtuar gjithnjë si pronë të tij, ku vetë ka vendosur kush do të jetë kryetar i saj, vetë ka vendosur strategjinë që do të ndjekë partia, vetë ka marrë të gjitha të mirat e fitores kur e ka arritur dhe asnjëherë përgjegjësinë e humbjes në zgjedhje, dhe në vitin 2013 kur dha dorëheqjen pas humbjes përballë Ramës fajësoi shqiptarët si mosm irënjohës dhe që nuk ditën të vlerësonin qeverisjen e tij që kishte bërë tërë ato të mira për ta, veprimi më i fundit nuk është një gjë e re për ish kryeministrin.
Thjeshtë dhe vetëm tregoi se Sali Berisha nuk ka ndryshuar për 30 vite, është i njëjti politikan që e shtrëngon fort PD-në, bën gjithçka me të, nuk pranon mendimin ndryshe, përjashton të gjithë kundërshtarët brenda partisë, pavarësisht teknicialiteteve që ndjek.
Nëse Basha nga mungesa e fuqisë por dhe e përvojës politike, si dhe mendjelehtësia proverbiale që e karakterizon, ka marrë gjithçka “qyl” në jetë, e përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar me një vendim personal kur duhej të mos e kishte futur fare në listë për deputet, Sali Berisha po me vendim personal i përjashton kundërshtarët brenda partisë. Por me një ndryshim, vendimin personal ua imponon strukturave e forumeve të PD, duke e kthyer formalisht në kolegjial.
Kush ka guxuar të dalë kundër Berishës është përjashtuar direkt, dhe këtë skemë e ka ndjekur që në vitin 1991, kur shmangu Azem Hajdarin dhe në vitin 1992 kur përjashtoi mocionistët me në krye Neritan Cekën e për të përfunduar me përjashtimin e Pollos dhe figurave të tjera në PD, pa harruar dhënien e “lejës” për Bashën për të përjashtuar Topallin, Patozin, Bregun e figurat e tjera të kësaj partie.
Thjeshtë Berisha, duke qënë se ka qënë për 25 vite anëtar dhe më pas sekretar i PPSH, përvetësoi metodat e Enver Hoxhës, i cili kur të bënte “letrat” për në atë botë, fillimisht të diskutonte dhe debatohej në Byronë Politike, pastaj në KQ të PPSH, pastaj në organizatën bazë të partisë dhe në fund të jepte shkelmin përmes linçimit në Frontin Demokratik. Këtë punë bën Berisha, ndonëse e “shet” si respekt maksimal ndaj statutit të PD dhe strukturave e forumeve vendimmarrëse të PD.
Por teksa dëgjon me vëmendje deklaratat e Berishës kundër Bashës, të cilin e akuzon se është marrë peng nga Rama dhe se po vepron në një bashkëpunim të fortë me të, teksa ka aktivizuar dhe mediat e tij dhe afër tij për të evidentuar sa më shumë këtë fakt, kujtojmë publikimet e mesazheve të kreut të grupit parlamentar të PD Alfred Rushaj për deputetët gjatë votimit të eurobondit, dhe duke i krahasuar me deklaratat e lidershipit të LSI, gjatë gjithë ditëve të numrit dy Petrit Vasili dhe në një intervistë në “Zëri i Amerikës” të kryetares Monika Kryemadhi, vihet re një përafrim qëndrimesh mes këtyre dy grupimeve politike në opozitë.
Vasili nuk ka munguar që të quajë marrëveshjen për hetimin e zgjedhjeve të 25 prillit si një maskaradë të Ramës me Bashën, apo dhe debatin mes liderit të PD dhe atij të PS në Kuvend si një teatër absurd që ka për qëllim që të fshehë keqqeverisjen e PS dhe krizën e lidershipit në PD.
Për më tepër që refreni i përbashkët i Vasilit dhe Kryemadhit ‘mot a mot’ si ai i Berishës, ndonëse në formulim ndryshe, e thënë me pak fjalë “tangoja” politike e mazhorancës me opozitën zyrtare sipas tyre, për të nxjerrë në pah bashkëpunimin Rama-Basha, tregon qartë se Berisha dhe LSI janë në të njejtën “korsi” politike.
Askush nuk e mendon se LSI drejtohet nga dikush tjetër, me përjashtim të Ilir Metës, dhe jo pa qëllim në sulm hidhen mbështetësit më të fortë të tij, që artikulojnë qëndrimet e Presidentit aktual të Republikës.
Duke parë që dhe Berisha e ka përmendur disa herë Ilir Metën si njeriun e goditur fort nga Rama dhe Basha, duke nënkuptuar dhe paktin e përmendur për likujdimin e LSI dhe “dërgimin e saj për skrap”, lëvizjet e tanishme politike tregojnë se është drejt konturimit të një aleance të re mes Berishës dhe Metës, për të përballuar atë që ata e quajnë aleancë Rama-Basha në kurriz të opozitës. Për më tepër që Berisha është zotuar se do bashkojë jo vetëm PD por të gjithë opozitën, në përballjen e madhe me Ramën dhe “pengun e tij” Lulzim Basha.
Dhe Berisha si fitoi në gjykatë, nëse shkon në përfundim të Kuvendit të PD dhe të zgjidhet kryetar i kësaj partise, si në rastin e ndarjes së PD dhe Basha të mbajë vulën dhe pjesën zyrtare të kësaj partie, ndërsa Berisha ithtarët e vet, ai do të ketë një aleancë me Metën.
Presidenti aktual ka deklaruar se nëse opozita humb zgjedhjet, atëherë ai do të marrë në dorë drejtimin e saj dhe orientimin drejt një fitoreje të mundshme në zgjedhjet e radhës.
Shtuar këtu dhe faktin se sado ta zgjasë Kushtetuesja shqyrtimin e kërkesëss ë mazhorancës të votuar dhe në Kuvend, për shkarkimin e Ilir Metës nga posti, njëherë do të jetë e detyruar të vendosë. E ka të vështirë të dalë kundër “Venecias” që e quajti shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit nga Ilir Meta si një tejkalim të kompetencave të tij kushtetuese dhe një akt anti-kushtetues. Pra Ilir Meta mendohet që shpejt do të jetë i “çliruar” nga “manteli” i Presidentit të Republikës, dhe është e sigurtë që do të vihet në drejtimin e LSI. Eshtë “pjellë” e tij kjo parti, dhe në të gjitha rastet Kryemadhi është parë si një mbikqyrëse e deleguar e LSI për sa kohë që Meta do të jetë në Presidencë.
Duke qenë se Berishën dhe Metën i bashkon ridikalizmi politik, armiqësia proverbiale kundër partnerëve tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE, nuk po i përmendim këtu “kapjen për veshi të amerikanëve” apo “raketat amerikane të Mali me Gropa për ta vrarë, ndonëse raketa ka dhe Rusia” të Metës, si dhe “armiqtë” e përbashkët të tyre Rama dhe Basha, rrugët e tyre janë afruar shumë dhe tashmë është e sigurtë se do të përfundojnë në një aleancë të re mes tyre.
Me Sali Berishën të shpallur “non grata” nga SHBA dhe Ilir Metën kandidat për “non grata”, gjithkush e merr merr me mend se çfarë opozitarizmi mund të ofrojnë Sali Berisha dhe Ilir Meta në të ardhmen. Si u bë kryetar i PD ish kryeministri si të mos bëhet realisht, e njëjta opozitë do të przantohet në arenën politike shqiptare.
Me një ndryshim, nëse Berisha nuk e merr zyrtarisht dhe vulën e kryetarit të PD, në krye të opozitës së paralajmëruar të ish kryeministrit dhe të Presidentit aktual, do të vihet Ilir Meta. Sikurse dhe kishte premtuar. Berisha mund të quhet pa mandat drejtimi, nëse s’ka vulën e PD.
Se sa mbështetje ka në bazën e gjerë të elektoratit kjo lloj opozitë është lehtësisht e verifikueshme, pasi thjeshtë duke përmendur rikthimin e Berishës dhe të Metës në fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit, elektorati i majtë u konsolidua fort dhe PS nuk humbi asnjë votë nga zgjedhjet e kaluara. Përkundrazi shtoi, duke mos lëvizur nga 74 mandatet e fituara.
Një opozitë e ndarë do të jetë në gjendje më të mjerueshme se sa LSI e dalë nga 25 prilli me vetëm 4 deputetë, rezultati më i ulët që nga viti 2009.
Me sa duket Berisha dhe Meta të vetmen zgjidhje kanë bashkimin e forcave kundër mazhorancës së Ramës dhe pjesës së mbetur të PD të Bashës. Kanë dhe të njëjtin hall, ndërkohë që nuk e kanë për herë të parë një aleancë të tillë. Të shohim kur do ta certifikojnë këtë aleancë, e cila shihet me shqetësim në fakt nga opozita, jo nga mazhoranca, e cila tashmë ia ka “marrë dorën” dhe dyshes Berisha-Meta. Madje ka përfituar rëndë nga kjo aleancë, e cila më shumë tremb eloktoratin se sa e “thith” elektorat të përkthyera në vota.