SLLOVENI - Kryeministri Berisha ka humbur tonet gjithnjë optimiste që e karakterizojnë kur bëhet fjalë për zhvillimin ekonomik të vendit, dhe mos ndikimin e kësaj sfera nga kriza ekonomike globale. Sot nga Sllovenia ai për herë të parë foli me terma konkrete në lidhje me krizën dhe pasojat e saj në vendin tonë.

“Ekonomia shqiptare natyrisht që i ka ndjerë pasojat e krizës ekonomike multidimensionale, e cila do të jetë me sa duket e afatgjatë. Rënia e remitancave të emigrantëve, rënia e eksportit nga Italia, për shkak të krizës atje, problemet e krijuara nga euro në sistemin bankar, të gjitha të ardhura nga vendet anëtare të Eurozonës, kanë krijuar vështirësi reale”, tha Kryeministri.

Pavarësisht se u duk se mazhoranca u tërhoq nga ideja e referendumit për çështjen e imunitetit, kryeministri Berisha ka theksuar nga Sllovenia se nëse nuk do të ketë konsensus në Kuvend për këtë çështje , atëherë do të shkohet në referendum.

“Qeveria shqiptare e konsideron anëtarësimin e Shqipërisë në BE si një proces të bazuar tërësisht mbi meritë, pasi, në bindjen time më të thellë, ky është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë. Megjithatë, disa probleme të brendshme, për mendimin tim, plotësisht të bazuara në kalkulime politike të gabuara dhe të dështuara, e kanë ngadalësuar pak procesin. Së fundmi, një frymë bashkëpunimi bipartizan bëri të mundur miratimin me konsensus të reformës zgjedhore dhe të disa ligjeve të tjera të rëndësishme për procesin e integrimit. Një debat i ndezur po zhvillohet mbi çështjen e imunitetit. Jam thellësisht i bindur se vendi im duhet ta heqë imunitetin dhe kjo duhet të ndodhë. Ne po punojmë që ta heqim atë në Parlament. Por, në rast se kjo nuk do të jetë e mundur, shqiptarët do të kenë të drejtën të shprehin mendimin e tyre mbi këtë çështje themelore”, u shpreh Berisha gjatë edicionit të 7 të Forumit Strategjik të Bled-it, në Slloveni, një takim i përvitshëm, i cili organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme sllovene dhe Qendra për Perspektivë Evropiane.

Gjatë takimit, Kryeministri Sali Berish, është ndalur edhe në marrëdhëniet me Ballkanin duke u ndalur tek fenomeni që ai e ka quajtur “Albanofobia”.

“Por duhet të theksoj se një tjetër kërcënim në Ballkanin perëndimor është Albanofobia. Ky fenomen ka lënë gjurmë në sjelljen e fqinjëve ndaj shqiptarëve për dekada dhe shekuj. Kjo doktrinë racizmi, urrejtjeje dhe përçmimi ndaj shqiptarëve, fatkeqësisht, ka edhe sot shpërthimet e veta të shëmtuara. Nuk mund të kenë shpjegim tjetër sulmet politike ndaj shqiptarëve të Preshevës ditën e heshtjes zgjedhore, të drejtuara nga njeriu që sot drejton ekzekutivin e Serbisë, me qëllimin e vetëm terrorizimin e shqiptarëve, që ata të mos dilnin në zgjedhje për të pasur deputetin e tyre në Parlamentin e Serbisë. Dhe sot, pas gati 70 vjetëve, këta njerëz nuk kanë përfaqësuesin e tyre në Parlamentin e Serbisë.
Gjithashtu, është e pa justifikueshme denoncimi i nderimit të luftëtarëve të lirisë që, me sakrificën e tyre sublime, bënë të mundur Marrëveshjen e OHRIT, që përbën një bazë solide për paqen, stabilitetin e Maqedonisë. Unë u ndala tek këto dy raste, por ka dhe shfaqje te tjera, të cilat janë dhe mbeten të papranueshme për shqiptarët”, theksoi Berisha.

Punimet e këtij Forumi u fokusuan në rolin e Evropës në një komunitet ndërkombëtar që ndryshon, sfidat rajonale në Evropën Jugore dhe Azinë Qendrore, si dhe marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Kinës. Temat e diskutimit iu referuan rrugëve dhe mundësive të reja drejt nxitjes së rritjes ekonomike dhe rolit të një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm.

(Gre.M/jd/Shqiptarja.com)