Berisha e rrënoi Bashën, tani të gëzojë pensionin! S’ka më 'nuse' të re

Berisha e rrënoi Bashën, tani të gëzojë pensionin! S’ka më 'nuse' të re

Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Zanafilla e konfliktit mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës ka filluar që në momentin kur kreu i PD e përjashtoi liderin historik nga grupi parlamentar demokrat.

Ish kryeministri kishte 16 vite me radhë që “investonte” tek “biri” i tij politik, duke e bërë ministër Transportesh, të Jashtëm, të Brendshëm, kryetar bashkie të Tiranës dhe në fund i la dhe drejtimin e PD, për ta pasur për një ditë të keqe në krah.

Ndonëse në të gjithë dikasteret ku ka qënë ministër por dhe në bashkinë e Tiranës, të cilën ia mori Edi Ramës me dhunë dhe ia dha atij si dhuratë “babai” politik , Lulzim Basha ka bërë të paktën një skandal, Berisha në një mënyrë apo një tjetër i mori përsipër vetë gati të gjitha, duke e çliruar nga akuzat e drejtëpërdrejta.

Aq sa askush nuk mendonte në Shqipëri se Basha kishte ‘dorë’ në vjedhjen 230 milionë eurove të Rrugës së Kombit, firmosjen e faljes së detit të Greqisë me homologen Dora Bakojanis apo vrasjen e 4 demonstruesve të opozitës në bulevardin para godinës kryeministrisë, teksa dëgjonin deklaratat mburrëse dhe fytyrën e ngrysur apo qeshur të Berishës prapa krahëve të tij. E Bashës i voliste që të bënte sikur s’kishte asgjë në dorë.

Berisha e mbrojti dhe në 8 vitet e qëndrimit në krye të PD, kur Basha si askush tjetër në historinë e pluralizmit shqiptar humbi të gjitha betejat elektorale me kundërshtarin politik Edi Rama, duke e zgjedhur e rizgjedhur në krye të PD sa herë që humbiste. Basha linte për të kuptuar gjithnjë se nuk e pyeste Berisha as në parti. Madje arriti deri aty sa mbushi ambasadat se “nuk kishte çfarë ti bënte Doktorit, ai urdhëron në PD”. Jo se s’kishte të drejtë, pasi hija e rëndë e Berishës, shtuar dhe rolin perfekt që Basha ishte mësuar për të bërë si “dysh” kudo nuk linte asnjë hapësirë për hamendje.

Megjithëse në shumicën e rasteve, Basha vendimet politike ndoshta dhe më të rëndat, i ka marrë jo vetëm me diktatin e Berishës, por dhe duke shfrytëzuar heshtjen e tij, si dhe duke luajtur me faktin se të gjithë mendojnë se e ka urdhëruar Doktori dhe “fatura” është e tij.

Duke vepruar në këtë mënyrë Basha përjashtoi të gjitha figurat e PD, duke filluar nga Topalli e përfunduar tek Majlinda Bregu si dhe mori vendime të tjera politike që janë bërë nga vetë ai, në bashkëautorësi ose me miratimin në heshtje të Berishës, mes të cilave djegia e mandateve e sulmi ndaj institucioneve si dhe bojkoti i zgjedhjeve për pushtetin vendor më 30 qershor 2019. Berisha gjithnjë e mbështeti, madje dhe në humbjen më të fundit, 25 prillit të vitit të kaluar, i dha një “dorë” për ta rizgjedhur sërish në krye të PD.

Shpallja “non grata” e Berishës nga SHBA për korrupsion të theksuar, minim të demokracisë në Shqipëri dhe presion ndaj drejtësisë, dhe sidomos vendimi i deklaruar personal i Bashës, tha se ia diktuan nga SHBA, për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar, provokoi e solli dhe daljen e liderit historik të PD nga “pensionimi” zyrtar politik, duke shkaktuar përplasjen me liderin zyrtar demokrat.

Rrugët nga shtatori i vitit të kaluar mes Berishës dhe Bashës u ndanë, duke provokuar ndarjen e PD në dy pjesë dhe “prodhuar” foltoret e famshme të Berishës, sulmet reciproke mes tyre, Kuvendin e 11 dhe 18 dhjetorit, ku palët përjashtuan njëra tjetrën, për të arritur më pas në dyert e gjykatës, akuzat e forta për korrupsion ndaj njëri tjetrit dhe sulmi i dhunshëm i Berishës në selinë e blinduar nga Basha të PD më 8 janar, që armiqësoi përfundimisht demokratët me njëri tjetrin.

Ndërsa Berisha kërkoi të marrë mbrapsht “investimin” 16 vjeçar të tij nga Basha, në momentin kur kishte hall pasi ishte shpallur “non grata” nga SHBA, por dhe vijon të jetë i kërcënuar nga përballja me drejtësinë familjarisht për zullumet gjatë qeverisjes, Basha e përjashtoi nga grupi dhe më pas nga PD.

Për hir të së vërtetës, e kemi thënë dhe herë të tjera, Basha kreu një akt kurajoz që e përjashtoi, duke realizuar atë që askush nuk e kishte bërë në Shqipëri: dëbimin e Berishës nga PD, partia të cilën e drejtoi për 30 vite me radhë, duke e konsideruar si një “pronë” të tij.

Por me “kutin” e Berishës, vendimi i Lulzim Bashës, qoftë dhe nën presionin amerikan për ta larguar nga PD, ishte një veprim prej “besëpreri”, pasi siç e ka argumentuar disa herë më pas dhe vetë zemërimin e tij me Bashën, ishte se ai duhej të kishte qëndruar fort ndaj kërkesave amerikane pasi PD ishte parti sovrane ose të kishte dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit. Mungesa e kundërshtisë së Bashës ndaj ambasadores amerikane, mund të themi se Basha u ndje vërtetë i çliruar nga largimi i Berishës siç mund të ndjehet çdo politikan tjetër që zyrtarisht është kryetar por që nuk e pyet njeri për 8 vite, e tërboi Berishën, i cili mezi priti dhe iu kundërvu për muaj me radhë.

Foltore në foltore, tubim në tubim, në çdo ekran televiziv apo postim në rrjetin social, Berisha e Basha nuk lanë gjë pa i përmendur njëri tjetrit, që nga korrupsioni e vrasjet në bulevard, lidhjet me mafien e krimin, pastrimin e parave dhe lidhjet me rusët, e deri tek përfshirja në boshtin e të keqes “trekëndëshin e Bermudës”. Një një vend me drejtësi normale, të paktën do të kishin dëshmuar për të gjitha këto akuza që kanë artikuluar ndaj njëri tjetrit, por jemi në Shqipëri.

Teksa Berisha dështoi në marrjen me dhunë të selisë së PD më 8 janar, pretendimi i tij se ka shumicën e anëtarësisë së PD me sa duket mori jetë, në ballafaqimin elektoral në 6 bashkitë e mbetura pa kryetar më 6 mars.

U quajt si kurth i Metës dhe Berishës ndaj Bashës, por ama beteja e vërtetë ishte mes “Shtëpisë së Lirisë” që kishte siglën e LSI dhe kandidatët e Berishës, dhe PD-së, se kush zotëron partinë më të madhe opozitare. Rezultati ishte një katastrofë për Bashën, i cili e renditi PD-në parti të tretë politike në vend, pas PS dhe “Shtëpisë së Lirisë” të Berishës, ndërkohë që lideri historik fitoi Shkodrën. Si asnjëherë në 31 vite jetë të PD.

Berisha e arriti qëllimin e tij, rrënimin e Bashës, përmes një fushate që e drejtoi personalisht vetë, duke e zhytur pjesën zyrtare të PD në një krizë të thellë dhe konflikt të rëndë. Menjëherë pas zgjedhjeve dhanë dorëheqjen nënkryetarët e PD, Agron Gjekmarkaj dhe Grida Duma, ndërsa të gjithë deputetët mbështetës deri më 6 mars, përjashtuar Oriola Pampurin që e mbështeti hapur, dhe Gazmend Bardhin e Enkelejd Alibeajn që s’janë prononcuar ende, të gjithë deputetët i ka kundër. Madje kërkojnë me insistim largimin e tij nga drejtimi i PD si një humbës kronik, mashtrues dhe që kishte përçarë partinë bashkë me Berishën, për interesa personale si dhe kishte përdorur partinë për pazare me qeverinë për përfitime personale. Njëherësh deputetët kanë mbështetur idenë e një bashkimi të të gjithë partisë, përmes një Kuvendi të përbashkët.

Berisha në fund të herës i shkoi në fund tërbimit të tij, rrënoi Lulzim Bashën politikisht dhe tregoi se ka mbështetje akoma në PD dhe tek elektorati i djathtë. Por ama deri këtu. Teksa ka realizuar qëllimin e tij, në këtë start të fundit për shkatërrimin e “besëprerit” Basha, Berisha duhet të rikthehet me kapacitet të plotë aty ku ishte: Pensionimi politik. Madje duhet t’i “bashkangjisë” dhe pensionin e pleqërisë dhe të rrijë rehat me nipërit, sepse është gati për t’u bërë stërgjysh sikurse i ka shkuar mosha. “Fusha e betejës” për ringritjen e PD të bëhet pa qënë nevoja e ushtrimit të “profesionit” të tij në këto 8 vite, atë të “tutorit” politik.

Por deklarata e tij se do të jetë kandidat për kryetar i PD, madje do të jetë edhe kryeministër i vendit pas mundjes së Edi Ramës në zgjedhjet e radhës, po tregon se Berishës i ka “shijuar” shumë rikthimi në politikën aktive, duke treguar qartë se PD ka ndërmend ta lërë vetëm kur ta marrë ai i Madhi atje lart. Pavarësisht se takati e ka lënë, rezultati i 6 marsit, gjithë opozita bashkë, nuk i siguron fitore në zgjedhje dhe largimin e PS dhe të Ramës nga pushteti.

Turravrapi i Berishës është përtej logjikës normale, pasi deklaron dhe kongres rithemelimi të PD, bashkimin e saj, demokratizimin, futjen e elementëve të rinj të një demokracie partiake dhe elementë të tjerë që në gojën e tij tingëllojnë të huaja apo sikur në vend të fjalëve po thyen arra.

Sali Berisha është drejt një moshe pleqërie të thellë, afër 80-vjeç, ka gati 60 vite në politikë, 25 nga të cilat si anëtar dhe sekretar i PPSH të Enver Hoxhës, ka qënë President 6 vjet, kryeministër dy mandate, kryetar partie 30 vite me mandat dhe pa mandat, dhe nuk ka asgjë të re për të dhënë. Nuk mund të shpikë më vetëveten. Për më tepër që dhe “non grata” e SHBA dhe akuzat që mbart në kurriz e rëndojnë shumë në sytë e shqiptarëve, të cilët e kanë të pamundur t’i japin votën dhe t’i besojnë drejtimin e vendit më.

U ndjenë të çliruar me përjashtimin e tij, dhe duan ta “shijojnë” gjatë e deri në fund këtë kënaqësi që Basha me atë veprim të papritur të tij ua krijoi. Madje tani në PD, shqiptarët e djathtë po e po, shkojnë përtej pensionimit politik të Berishës, duan dhe largimin e Bashës, kryetarit aktual demokrat që shënoi humbjen e radhës më 6 mars, duke zënë vendin e tretë të renditjen e partive politike në Shqipëri.

Me sjelljet e fundit, duke pretenduar udhëheqjen e rithemelimit të PD dhe një kursi të ri në këtë parti, marrjen e kreut të demokratëve e pretenduar dhe për kryeministër, 80 vjeçari Berisha ka nisur të ngjajë me atë plakun “nepsli”, që kërkonte nuse të re, sa herë shihte një çift të ri që i kalonte përbri, duke u betuar se është dhe ai i ri dhe për ketë i duhetnjë  nusja e re.

Dhe Berisha pasi qeverisi pesë vite post-komunizëm, u bë me “nuse” dhe njëherë në zgjedhjet e vitit 2005 ku qëndroi i “martuar” me pushtetin plot 8 vite, tani kërkon sërish “nuse” të re. E ka të pamundur, në të gjitha planet.

Tashmë është koha që jo vetëm Berisha, por edhe Basha duhet të “hapin” krahun për një figurë të re në krye të PD, nëse duan të bashkojnë këtë parti dhe ta bëjnë forcë pretendente për të ardhur në pushtet, ose ta shpëtojnë sëpaku nga shkrirja. Ndryshe, fundi dihet!

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • O Berish: 12/03/2022 16:38

    O qen i zgjebosur o qen morrash.

    Përgjigju
  • Tani!: 11/03/2022 19:04

    Berisha te shkoj ne te Sheqeres e Sllobidankes.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion