TIRANË- I shpallur 'non grata' nga SHBA që prej 19 majit 2021, ish-kryeministri Sali Berisha ende shpreson se mund ta heqë emrin nga lista e zezë e DASH, ndonëse zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë, asnjë vendim 'non grata' nuk rishikohet.

Berisha ka shkuar edhe më tej sonte, duke deklaruar se ka pasur 15 oferta lobimi për të hequr statusin ‘non-grata’, por ai nuk i ka pranuar pasi ka dashur që të jetë transparent në çdo lëvizje që ka bërë.

Sali Berisha ka komentuar edhe vendimin e sotëm të DASH për shpalljen 'non grata' të ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Nikola Gruevski.

"Sa për Gruevskin di që është larguar nga një proces gjyqësor dhe për mua nuk është normale. Hapet një proces mund të marrësh dënim të gabuar por kjo nuk është rruga të ikësh. Nuk jam marrë me analizën e tre akuzave që ka bërë por i kam përmbledhur si shpifje dhe nuk kam bërë asnjë lobim dhe mund të kem patur 15 oferta lobimi për të hequr non gratat dhe nuk kam pranuar, sepse kam ndjekur dy linja, gjykatat dhe i kam vendosur vetes qëllim që të bëj gjithçka për transparencë. Nuk kam patur rezultate spektakolare por pa rezultate s’kam qenë", tha Berisha në emision 'Politiko'.

Më 19 maj të këtij viti DASH shpalli 'non grata' Sali Berishën si të përfshirë në “veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”. Pas vendimit të SHBA  Berisha ka shpërthyer me akuza kundër aleatit më të rëndësishëm të Kombit Shqiptar dhe ka hedhur në gjyq numrin 3 të administratës, Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken i cili ishte ai që bëri publik vendimin e SHBA.