TIRANË- Për të tretën herë, protestuesit para Ministrisë së Arsimit refuzuan të bashkoheshin me militantët e Sali Berishës, duke i akuzuar se po përpiqeshin t’ua “rrëmbenin protestën si në ’90”. Thirrja “Berisha në burg” irritoi militantët dhe solli përplasje fizike në protestë, ndërsa vetë ligjvënësit demokratë u distancuan dhe gjithë përplasjen e “ndoqën” nga hyrja e rrugës së Durrësit. Pjesëmarrja edhe këtë të shtunë në atë që ishte paralajmëruar si protestë kombëtare, ishte shumë e ulët

***

As protestës së tretë kombëtare, Sali Berisha nuk iu bashkua. Një grusht militantësh u mblodhën gati një orë me vonesë dhe marshuan në drejtim të Kryeministrisë të udhëhequr nga Flamur Noka e funksionarë të tjerë të Partisë Demokratike.

Qëndrimi para godinës qeveritare prodhoi vetëm një incident me një qytetar, i cili u sulmua fizikisht nga militantët pas thirrjes së tij “Berisha në burg”. Klevis Balliu në emër të demokratëve e cilësoi një provokator të Edi Ramës dhe pas një orë qëndrimi te Kryeministria, demokratët nisën marshimin për t’iu bashkuar studentëve. Ora kur nisi marshimi shënoi fiks 14:00, moment kur para godinës së Ministrisë së Arsimit kishin nisur të mblidheshin protestuesit e parë.

Refuzimit të studentëve në dy protestat e kaluara, Sali Berisha i parapriu me një pankartë. “Bashkimi bën fuqinë” ishte ftesa për të rinjtë që të bëheshin bashkë në protestë, por studentët ia kishin rezervuar përgjigjen demokratëve me të njëjtën mënyrë. Një banderolë në të cilën shkruhej “Rama në burg, Berisha në burg”. Ishte kjo thirrje e përsëritur disa herë në kor nga studentët që solli irritimin e demokratëve.

Një grup demokratësh u përplasën me protestuesit, të cilët i shtuan thirrjet kundër Berishës.

“Poshtë komunistët”, “Arresto Berishën”, “Berisha në burg, Rama në burg”, “Poshtë sekretari i partisë”, ishin disa nga thirrjet që treguan qartë ndarjen e tyre me demokratët, të cilët i akuzuan se po tentojnë tua rrëmbejnë protestën si në vitin ’90.

“Këta duan të rrëmbejnë protestën si në ’90. Ne jemi kundër klasës së vjetër politike, Ramës dhe Berishës”, tha një protestues.

Një tjetër militant i PD-së u përplas ashpër me një qytetar, të cilin e goditi fizikisht për shkak të thirrjeve kundër kryedemokratit.

Demokrati: Ke marrë ndonjë lek që ke ardhur këtu.

Qytetari: Asnjë lek Ai me syze: Nuk jam me asnjë parti. Rama në burg, Berisha në burg.

Demokrati: Jo Berisha, vetëm Rama, se të q**a motrën

Qytetari: Të dy.

Një tentativë tjetër e demokrates Xhulia Xhekaj për bashkim, u refuzua nga protestuesit.

Qytetarja: “Rama në burg, Berisha në burg”, i vetmi bashkim. Fjala “Berisha në burg”, pse të dëmton kaq shumë?

Xhulia Xhekaj: Do më shërosh ti mua? Mua më shëron të ikë Rama. Do të më shërosh? Ec para. Zgjedhje të lira dhe të ndershme, shko voto në kutinë e votimit.

Qytetarja: “Rama në burg, Berisha në burg” është i vetmi bashkim. Mos përçani, këtë po bëni.

Xhulia Xhekaj: Unë po të ftoj ty, bashkohu për flamurin dhe ec para. Nuk të konsideroj armik, nuk duhet të zihemi. Flamuri kombëtar nuk është përçarje.

U desh ndërhyrja e një protestuesi për “të ulur gjakrat”.

"I keni kamerat te ju dhe ju kapin ju, dhe thonë shqiptarët 'ra protesta'. S’ka flamur fare. Lërini këto budallallëqe, largohuni dhe mos hapni më konflikte", tha djali. 

Përplasjet bënë që dy grupet të ndaheshin “si me thikë”, siç treguan edhe pamjet me dron të Report Tv. Ndërsa, deputetët demokratë zgjodhën të ishin distant dhe gjithçka e “ndoqën” duke qëndruar në fillim të rrugës së “Durrësit”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:33
Militantët e PD distancohen nga protestuesit pas përplasjes, ndahen në grupe me Nokën e Balliun (VIDEO)

 

Pas përplasjeve me protestuesit, deputetët dhe militantët e Partisë Demokratike janë zhvendosur më në hyrje të “Rrugës së Durrësit”.

Ata janë ndarë në grupe të vogla, ndërsa mes tyre shihen edhe Flamur Noka e Klevis Balliu.

Ora 15:33
“Pse të dhemb fjala ‘Berisha në burg’?”, protestuesit përplasen me militanten e PD-së! Xhulia Xhekaj: Bashkohuni për flamurin, më shëron ikja Ramës (VIDEO)

Protestuesit refuzuan sërish militantët e Sali Berishës në protestën para Ministrisë së Arsimit. Një demokrate, Xhulia Xhekaj u përball me disa protestuese, të cilat e pyetën se përse e dëmton kaq shumë fraza “Berisha në burg”, e cila sot irritoi demokratët dhe çoi deri në përplasje fizike në protestë.

Xhekaj u kërkoi protestuesve të bashkoheshin për flamurin dhe tha se largimi i Ramës ishte ajo që kërkonte.

Protestuesit këmbëngulën se bashkimi i vetëm është “Rama në burg, Berisha në burg”. U desh ndërhyrja e një djali për të “ulur gjakrat” dhe për të shuar sherrin.

Pjesë nga debati në protestë

Xhulia Xhekaj, demokrate: Unë dua që unë dhe ti të bashkohemi dhe të ecim para.

Qytetarja: Unë s’po shaj PD-në.

Xhulia Xhekaj: Ai është bashkimi. Votoni kë të doni ju.

Qytetarja: “Rama në burg, Berisha në burg”, i vetmi bashkim. Po manipuloni. Fjala “Berisha në burg”, pse të dëmton kaq shumë?

Xhulia Xhekaj: Do më shërosh ti mua? Mua më shëron të ikë Rama. Do të më shërosh? Ec para. Zgjedhje të lira dhe të ndershme, shko voto në kutinë e votimit.

Qytetarja: “Rama në burg, Berisha në burg” është i vetmi bashkim. Mos përçani, këtë po bëni.

Xhulia Xhekaj: Flamuri kombëtar nuk është përçarje.

Turma në kor: Dorëheqje

Xhulia Xhekaj: Bëhuni bashkë për flamurin dhe ecni para. Një flamur është. S’ka flamur ’97. Policia ka gjithë këtë kohë që të dhunon dhe ti zihesh me mua. Po pse, moj, unë jam armiku yt?

Qytetarja: Po na përçan. Unë pse jam armiku yt?

Xhulia Xhekaj: Unë po të ftoj ty, bashkohu për flamurin dhe ec para. Nuk të konsideroj armik, nuk duhet të zihemi. Mund ta zgjidhni një djalë dhe të na udhëheqë para.

Qytetarja: Po ec, moj zonjë, kush po të ndalon?

Një djalë ndërhyn: I keni kamerat te ju dhe ju kapin ju, dhe thonë shqiptarët “ra protesta”. S’ka flamur fare. Lërini këto budallallëqe, largohuni dhe mos hapni më konflikte.

Ora 15:12
Me pankartë te Ministria e Arsimit, protestuesit nuk heqin dorë pas përplasjeve me militantët e PD: Rama në burg, Berisha në burg (VIDEO)

Protestuesit flamingo kanë vendosur një pankartë te Ministria e Arsimit ku shkruhet “RnB BnB”, një shkurtim për thirrjen e tyre “Rama në burg, Berisha në burg”.

Këtë të fundit dëgjohet teksa e thërrasin në kor, duke shtuar edhe “poshtë komunizmi”.

Këto thirrje kanë pasuar edhe përplasjen me militantët e Sali Berishës, të cilët më herët sulmuan fizikisht një protestues.

Ora 15:01
Përplasje në protestë, militanti demokrat sulmon qytetarin pas thirrjes ‘Berisha në burg’! E godet fizikisht dhe e ofendon (VIDEO)

Një qytetar u përplas me militantët demokratë te Ministria e Arsimit, pasi thirri “Rama në burg, Berisha në burg”. Përplasja zgjati disa minuta dhe një prej tyre e goditi edhe fizikisht.

Gjatë debatit, një person e pyeti qytetarin nëse kishte marrë para për të ardhur në protestë.

“Asnjë lek. Nuk jam me asnjë parti, kam votuar PD-në”, u përgjigj ai, por thirrja “Berisha në burg” irritoi një demokrat. Ai e sulmoi fizikisht qytetarin në fjalë, i cili në rrjetet sociale identifikohet si “Bonat Bonati”.

“Jo Berisha, vetëm Rama”, thotë militanti demokrat, ndërsa shëpërthen edhe në ofendime ndaj qytetarit pasi e goditi.

Qytetari iu përgjigj shkurt: “Të dy”. Pas përplasjes, qytetari tha se kishte mbështetur PD-në deri në vitin 2025 dhe se nuk kishte qenë kurrë anëtar i ndonjë partie.

“Të gjithë në burg, se të gjithë na kanë vjedhur”, tha ai.

Dy persona që ishin parë edhe në protestat e “Flamingove” ndërhynë për të qetësuar situatën dhe e shoqëruan qytetarin jashtë turmës.

 

Ora 14:54
PAMJET ME DRON/ U refuzuan në protestë, militantët dhe studentët të ndarë te Ministria e Arsimit

Report Tv sjell pamjet me dron nga protesta te Ministria e Arsimit, pasi studentët refuzuan bashkimin me militantët demokratë dhe pati disa përplasje deri edhe në fizike.

Ora 14:39
Tensione te Ministria e Arsimit, protestuesit përplasje me militantët e PD: Nuk përfaqësoni studentët (VIDEO)

 

Tensione janë shënuar te protesta para Ministrisë së Arsimit, pas ardhjes së militantëve të PD-së.

"Nuk përfaqësoni studentët", tha një protestues.

Ora 14:37
‘Arresto Berishën’, protestuesit refuzojnë sërish PD-në, përplasen me demokratët: Poshtë sekretari i partisë, duan ta rrëmbejnë protestën si në ’90 (VIDEO)

 

“Arresto Berishën”, “Berisha në burg, Rama në burg” dhe “Poshtë komunistët” ishin disa nga thirrjet me të cilat protestuesit pritën militantët e PD-së para Ministrisë së Arsimit. Ata refuzuan sërish të bashkoheshin me demokratët dhe u kërkuan të largoheshin me thirrjet “Ik, ik, ik!”. Mes thirrjeve u dëgjuan edhe “Poshtë sekretari i partisë”, “Shqipëria e shqiptarëve” dhe “Vdekje tradhtarëve”.

Në përplasjen me demokratët, disa protestues akuzuan PD-në se po përpiqej t’ua merrte protestën. “Këta duan të rrëmbejnë protestën si në ’90. Ne jemi kundër klasës së vjetër politike, Ramës dhe Berishës”, tha një protestues, i cili më pas u shty nga militantët e PD.

Ai tha se kundërshtimin e kanë me deputetët e PD-së dhe jo me demokratët.

Ora 14:29
‘Bashkimi bën fuqinë’, demokratët me pankartë ‘paqeje’ pas refuzimit të studentëve! Mbërrijnë te ministria e Arsimit (VIDEO)

 

Militantët e PD-së mbërritën para Ministrisë së Arsimit me një pankartë ku shkruhej “Bashkimi bën fuqinë”. Mesazh ky pasi studentët refuzuan demokratët në protestën e tyre.

Ora 14:24
FOTO/ Sali Lushaj nuk i ‘reziston dialogut’, ulet në sofrën para Kryeministrisë

1794057706_salilusha.jpg

Ish-truproja i Sali Berishës, Sali Lushaj nuk i “rezistoi dialogut”. Mes protestës, ai u fotografua i ulur te sofra që kryeministri Edi Rama ka vendosur para Kryeministrisë për të ftuar studentët në dialog. Studentët e kanë refuzuar deri tani ftesën, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre.

Taulant Balla e komentoi foton me ironi. “Një grup ‘studentësh’ në nivelin master, dega ‘dhunë kundër institucioneve’”, shkroi ai.

Ora 14:10
Berisha fut sërish demokratët në protestën e studentëve, nisin marshimin drejt Ministrisë së Arsimit

1794056699_marshimi.jpg

Pas një ore qëndrimi në bulevard, militantët e PD-së nisën marshimin drejt Ministrisë së Arsimit, ku janë mbledhur një grup studentësh në protestë. Në dy tubimet e mëparshme, të rinjtë kanë refuzuar praninë e demokratëve. 

Ora 14:07
‘Fundi i diktatorëve’, pankarta në protestë, emri i Ramës krah Huseinit, Gadafit dhe Asadit (VIDEO)

Në protestën e PD-së para Kryeministrisë u shfaqën dy pankarta kundër Edi Ramës. Në të parën, me mbishkrimin “Fundi i diktatorëve = Liri”, renditen emrat e Sadam Huseinit, Muamar Gadafit dhe Bashar al-Asadit.

Emri i kryeministrit është vendosur në fund të listës, pranë një laku të vizatuar, me shënimin “Rama E. – Oct. 2026”. Krahas emrave të tjerë janë shënuar dhjetori 2006, kur u ekzekutua Huseini, tetori 2011, kur u vra Gadafi, dhe dhjetori 2024, kur ra regjimi i Asadit.

Në pankartën e dytë është vizatuar Benito Musolini i varur me kokë poshtë. Në të janë shkruar edhe emri i sheshit “Piazzale Loreto” në Milano dhe data 29 prill 1945.

 

Ora 13:54
Thirri 'Berisha në burg', militantët e PD-së përplasen fizikisht me qytetarin në protestë (VIDEO)

Një thirrje e një protestuesi, “Rama në burg, Berisha në burg”, ka sjellë përplasje fizike në protestën e thirur nga Sali Berisha. Një grup militantësh të PD-së, të irrituar, kanë reaguar dhe njëri prej tyre ka arritur deri aty sa e qëlloi protestuesin me shpullë në kokë.

Ndërkohë, PD-ja e konsideroi si një provokator të qeverisë.

“Një provokator i qeverisë, që e sjell policia. Xhepistë të vegjël që i marrin nëpër komisariate, i sjellin për të sharë qytetarët që vijnë në protestë. Këto janë provokime. Polici kriminale që dhunon studentët dhe sjell këtë lloj llumi dhe zhuli për të sharë me fjalë të ndyra dy zonja. Qytetarët bëjnë shumë mirë që reagojnë kur shahen zonja dhe të rinj e të reja”, tha Balliu për sherrin.

Ora 13:39
Blushi për Report TV: Nuk kemi një axhendë për organizimin e protestave! Thirrje çdo shqiptari që t’i bashkohet revoltës për largimin e Ramës

 

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në një intervistë për Report Tv, tha se ata nuk kanë një axhendë të mirëfilltë për protestë. Ai theksoi se ata do të vijojnë mbështetjen e studentëve që kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama.

Sa i përket deklaratës së Berishës në lidhje me bashkëpunimin e forcave opozitare si një e vetme në vendoret e 2027-ës, Blushi theksoi se ky bashkim është i domosdoshëm për rrëzimin e kreut të qeverisë.

"Kjo është një protestë që duhet të mbështetet nga të gjithë. Mos prisni të keni një axhendë për protestën, por ne do të vijojmë mbështetjen e studentëve që kërkojnë dorëheqjen e Ramës. I bëj thirrje çdo shqiptari që t’i bashkohet kësaj revolte.

Qëndrimi i PL dhe Metës, është bashkim i çdo faktori. E vetmja pikë e kuqe është largimi i Edi Ramës. Është i domsodoshëm bashkimi i çdo force në zgjedhjet vendore”, tha Blushi.

Ora 13:16
‘Koordinim online’, deputetët demokratë me celularë në duar gjatë protestës

1794053194_shkelzenidhenoka.png

Deputetët demokratë shihen teksa përdorin celularët gjatë gjithë protestës para Kryeministrisë. Flamur Noka, Edi Paloka, Gazment Bardhi, por edhe përfaqësues të tjerë të PD-së, si Nikola Kedhi, dallohen me celularë në duar mes militantëve.

1794054040_blushi.jpg

1794053527_telefonat.jpg

1794054357_paloka.jpg

Ora 12:55
Me gati një orë vonesë, militantët e Berishës marshojnë drejt Kryeministrisë! Në krye Flamur Noka, mungon kreu i PD-së (VIDEO)

 

Protesta e Sali Berishës ishte paralajmëruar për në orën 12:00, por militantët e nisën marshimin drejt Kryeministrisë me gati një orë vonesë. Ndërkohë, para Kryeministrisë nisën të mblidheshin edhe protestues të tjerë. Marshimi u udhëhoq nga Flamur Noka dhe përfaqësues të tjerë të PD-së, ndërsa kreu i partisë, Sali Berisha, mungoi.

Ora 12:35
Militantët e parë nisin të mblidhen para selisë së PD për protestën, te Kryeministria ende qetësi (VIDEO)

 

Militantët e parë demokratë kanë nisur të mblidhen në selinë e PD-së për protestën e thirrur nga Sali Berisha. Ky i fundit, njëjtë si në dy protestat e kaluara, nuk do t’i bashkohet protestës. Te kryeministria ndërkohë, ende është qetësi.