Berisha: Gati për betejë. Rama:
S'do t'ju kursej për të pabërat

Berisha: Gati për betejë. Rama:<br />S'do t'ju kursej për të pabërat
TIRANE-  Në Kuvendin e Shqipërisë, që prej orës 10:30 të ditës së djeshme e deri në orët e para të mëngjesit të sotëm është zhvilluar debati mbi Programin e Qeverisë  "Rama". 

Seanca ka nisur qetësisht me disa pyetje drejtuar ministrave nga deputetët, por ka kulmuar në orën 20:00 të mbrëmjes me përballjen e dy Kryeministrave, atij që u largua dhe atij që u ngjit në post, Berishës dhe Ramës.

Berisha i bëri thirrje për luftë, Ramës: "Bëhu gati për betejë" duke i bërë të qartë se zgjedhjet që i fitoi me premtime antiglobaliste, tani është i detyruar t'i mbajë. Fjala e berishës ishte e pasuruar sot me shprehje në greqisht, që e krahasonin Ramën me Papandreun si "Empros Jorgos e pise Edi! -Para Jorgo mbrapa të vjen Edi!" si dhe me kërkesën drejtuar deputetit të PS-së, Angjelit: "Përktheja Anastas!"  Por, Rama, që e mori fjalën pas tij, i bëri të qartë se "nuk do ta kursejë për të pabërat e lebetitshme që i kanë bërë shqiptarëve."

Përballjes së tyre i ka paraprirë debati i ish-Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli me deputeten e PS-së, Olta Xhaçka. Topalli i drejtua Ramës me fjalët: Ti e gjete Shqipërinë gati, por 95% ti do dështosh" pasuar nga fjala e deputetes socialiste Olta Xhaçka, që i tha: "në Shkodër, këto parashike të zymta i quajnë "marrina".

Seanca e sotme spikati edhe me fjalën e deputetes së PS-së, Vasilika Hysi në orën 18:00, e cila i kërkoi Ministrit të Drejtësisë të shqyrtojë të gjitha seancat gjyqësore të familjeve që po dëbohen nga shtëpitë e ish-pronarëve me dokumenta falso, seanca që shtyhen pambarimisht ndërsa shtëpitë iu rrafshohen.

Një moment pikant ka qënë edhe "dyluftimi" ndërmjet ministrave të Brendshëm, Noka i PD-së dhe Tahiri i PS-së. Noka derdhi një lumë akuzash ndaj ministrit Tahiri, që i zuri vendin, duke nisur nga shkollimi i tij, problemet shëndetësore e arrestimi i të atit. Tahiri nga ana e tij theksoi se "luftën kundër krimit dhe mafias, kjo Qeveri do ta konsiderojë si emergjencë kombëtare duke e përfunduar debatin me Nokën me fjalët "falemnderit, po jam shumë mirë me shëndet."

Në orën 17:00 pati edhe një debat të vogël ndëmjet kreut të grupit parlamentar të PD-së, Edi Palokës dhe kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Sipas Palokës, Meta ishte duke bërë manovra me rendin e diskutimeve, duke u dhënë fjalën tre deputetëve të njeri krah kundrejt njerit të krahut tjetër, meqënëse ishte orë me pak shikueshmëri. Por, Meta e kundërshtoi me butësi duke kujtuar se nuk ka kurrfarë keqkuptimi dhe ishte duke ndjekur këshillën e Topallit për t'i dhënë prioritet, opozitës. Dhe realisht, ai i dha më shumë kohë në dispozicion, ish-Kryeministrit Berisha gjatë fjalës së tij.

Sot deputetët e të gjitha kaheve diskutuan gjerësisht për të gjitha aspektet dhe fushat e Programit. "Shqiptarja.com" i ndoqi debatet e tyre, i radhiti këtu shkurtimisht dhe po ashtu, ka publikuar edhe diskutimet e plota të shumë prej deputetëve që morën fjalën. 

kuvendi
(Në foto: Seanca e sotme parlamentare)

ORA 23:31 DEDE: PROGRAMI, NJË AMALGAMË DËSHIRASH PA KOSTO
“Copëzimi i Qeverisë duket se është bërë për të kënaqur aleatët e koalicionit. Nga përmbatja, Programi duket një amalgamë dëshirash. Në shumë raste ka detajime të kopjuara nga Qeveria “Berisha” e shumë prej tyre madje të realizuara prej saj. Kryeministri bën pyetje retorike e nuk jep përgjigje. Po ashtu, Programi nuk ka kosto ekonomiko-financiare.” 
 
ORA 22:50 DUSHAJ : NE HUMBËM NJË BETEJË TË PANDERSHME
Deputeti demokrat Dushaj tha: “Ju, z.Kryeministër flisni më shumë për prishje të ndërtimeve të paligjshme sesa për ndërtim të infrastrukturës. Nuk ka gjë më të lehtë sesa prishja, sepse s’ka kosto, por ju duhet të merreni më shumë me ndërtimin e infrastukturës. Z.Kryeministër, shumë premtime tuajat nuk i keni përfshirë në Program, ndaj përpiquni t'i përmbushni se nuk do t'ju lëmë. NJë nga ato ishte premtimi për ish-të persekutuarit, shtresë që i përkas edhe unë."

ORA 22:10 - OLLDASHI: ÇDO DITË, ÇDO ORË, QYTETARËT DO T’JU KRAHASOJNË ME NE
Ish-ministri i Transporteve, Sokol Olldashi u shpreh ndër të tjera: "Jam krenar për ndryshimin rrënjësor që pësoi vendi gjatë 8 viteve. Falenderoj Berishën për besimin që më dha në drejtimin e dy ministreve. Pata fatin e rrallë të jem pjesë e sipërmarrjeve të jashtëzakonshme të PD. Jam krenar që kam pasur rastin të prek çdo kilometër që është shtruar në të gjitha anët e vendit, ujësjellsave, kanalizimeve, impianteve të pastrimit të ujërave. Duhet t’i njihni arritjet. Çdo ditë, çdo orë qytetarët do t’ju krahasojnë me ne. Ky është problemi i madh që fillon sot."
Lexo më shumë: Fjala e deputetit Sokol Olldashi

ORA 22:00 - DULE: NË PROGRAM KA FOBI NDAJ MINORITETEVE ETNIKE, DUHET TË NDRYSHOJMË MENTALITETET
Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule ndër të tjera u shpreh: "Fitorja e zgjedhjeve ishte rezultat që pritej. Kishte kohë që shoqëria dhe qytetarët i kishin kthyer sytë dhe shpresën e kishin te opozita. Ai rezultat nuk pritej në përmasat plebishitare që erdhi. Të tilla në kohë pasigurish të mëdha dhe pritshmërish të mëdha". Në lidhje me minoritetet etnike, Dule është shprehur se “programi i qeverisë më bën skeptik. Ka një fobi në prekjen e çështjes. Janë stereotipe, paragjykime, por s’duhet të jetë opinioni përcaktues. Kemi për të detyrë të ndryshojmë mentalitetin ndaj minoriteteve. Mbi 402 mijë bashkëqytetarët tanë jetojnë me 48 dollarë në muaj.  Padrejtësitë ekstreme nuk garantojnë koherencë sociale, pa të cilën nuk ka integrim."
 
ORA 21:30 - LUAN RAMA: PROGRAMI, PROJEKTI MË AMBICIOZ I SHQIPTARËVE
"Vetëm rilindësit nuk gabojnë në kohë të vështirë. Të mendosh dhe veprosh si ata është fjalë e madhe. Është ndoshta projekti më ambicioz që kanë pasur shqiptarët, siç nuk kanë qenë kurrë më parë. Qeveria duhet të deklarojë minimumin jetik. Unë e shoh me cilësinë e jetës në përgjithësi, jo vetëm buka e përditshme, por ushqimi shpirtëror, si kultura,që është identiteti i një vendi. Shqiptarët nuk meritojnë shkeljen etë drejtave, nuk meritojnë korrupsionin, varfërinë. Shqiptarët e dinë çfarë nuk meritojnë. Dhe në 23 qershor e ndanë veten e tyre nga ajo që nuk meritojnë. Një program i formuluar me fjalor të zgjedhur dhe përgjegjësi qytetare do ketë dhe në realizimin e tij".
 
ORA 21:10 - KOSOVA: PROGRAMI KA NIHILIZËM, SHËNDETËSIA FALAS, NJË GËNJESHTËR
Ish-ministri i Shëndetësisë, deputeti i PD dhe gjinekologu Halim Kosova në fjalën e tij shprehu pakënaqësi ndaj programit të qeverisë "Rama", pasi sipas tij, "gjeta nihilizëm me fraza si: “shëndetësia nuk parandalon, diagnostikon, kuron dhe rehabiliton”. Kjo është një shuplakë në fytyrë nga mjekëve, të cilët kanë punuar me përkushtim duke kryer detyrën e tyre. Ky program synon mohimin dhe kthimin e shëndetësisë në vitin zero. Elemnti i parë që bie në sy është fakti se nuk kërkohet përmirësimi i mëtejshëm, por rrafshimi dhe terapia e shokut". Kosova ndër të tjera tha "bëmë gjithçka mundëm, për më mirë çdo vit".  Kosova e ka quajtur premtimin për shërbim shëndetësor falas "një gënjeshtër të madhe". "Kujdesin mjekësor e konsideroj gënjeshtër filantropike.  Qytetarët në marrëdhënie pune do taksohen për shëndetin, por s’dihet se sa, se sa para do shkojnë për shëndetësinë. Falas është abuzim; termi duhet zëvendësuar me parapagim".
 
ORA 20:55 - BALLA: MEDIAT PROQEVERITARE, 18 MLN EURO, "KLAN" NË 1 MUAJ 600 MILIONË LEKË NGA IMAMI
"Humbjen dhe vdekjen e festojnë serbët. Ka lindur kur serbët humbën betejën e Fushë-Kosovës. E di që e ke dëshirë traditën serbëve, por mos ua vër shqiptarëve", iu drejtua Berishës deputeti i PS, Taulant Balla, pasi Berisha përmendi se "ne shqiptarët festojmë dhe në humbje dhe vdekje". Më tej Balla tha se "Berisha dhe deputetëtpo sillen sikur janë në pushtet. Ankohen se Rilindja po kthehet në revansh. Nuk është revansh, as urrejtje, por as amnisti. Po t’i kthehemi mediave. Vetëm televizioni Klan ka marrë nga ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami vetëm në muajin maj 600 milionë lekë. Mediat proqeveritare kanë marrë gjithsej 18 milionë euro nga kjo qeveri", tha ndër të tjera Balla.
Lexo më shumë: Fjala e deputetit Taulant Balla

ORA 20:40 RAMA: JA SHIFRAT E VETE INSTAT, VARFERIA ESHTE RRITUR
Pas ish-Kryeministrit Berisha e ka marrë fjalën Kryeministri i ri Edi Rama, i cili tha: "Kur ha një milionë shuplaka, mendjet o të vijnë, o të ikin aq larg sa duhen vite për t’i kapur. Jo unë, jo ne, dikush tjetër, fatkeqësisht i njohur si krahu i armatosur me shifra dhe të dhëna të rreme i qeverisë së ikur, INSTAT-i, dora vetë, sapo e ka publikuar një dokument që thotë, se nga 2008-a në 2012-ën, varfëria në qenkej rritur nga 12.4% në 14.3% çka do të thotë se edhe vetë INSTAT-i juaj pranon se 30 mijë shqiptarë më shumë kanë rënë në humnerën e varfërisë.
ramaaa
(Në foto: Kryeministri Rama duke folur në seancën e sotme nga foltorja)

Kam 15 vjet që ju ndjek pa mundësi prezence dhe as të drejtë replike në këtë sallë, ku besoj se emrin tim gjithë këto mure do ta mbajnë mend përjetësisht për aq shumë sa e keni përgojuar, cenuar, përbaltur. Personalisht, me fis e me farë. Por dëgjojeni dhe mbajeni mend mirë se çfarë do t’ju them sot:

Jo vetëm kur mora fjalën për herë të parë në këtë Kuvend, seancën e shkuar, por për aq vite sa detyra do ma kërkojë të marr fjalën në këtë sallë, personalja, fisi dhe fara e kundërshtarit s’kanë qenë dhe s’do të jenë ndonjëherë pjesë e përmbajtjes së fjalës sime. Por ama, nga ana tjetër, sa më parë ta fshini nga mendja iluzionin se unë do t’ju kursej në këtë foltore për të pabërat e lebetitshme që ka bërë keqqeverisja juaj, aq më të lehtë do ta keni të ngjiteni në nivelin e minimumit jetik të mirësjelljes mes njerëzve, këtu, në mes të Europës." 
Lexo më shumë: Fjala e Kryeministrit Edi Rama
 
ORA 20:03 BERISHA; EDHE HUMBJEN, EDHE VDEKJEN E FESTOJME, SEPSE PUNOJME ME NDER
"Zgjedhjet, që u fituan me dhunë e terror, u fituan me premtime antiglobaliste, megjithatë unë pranova humbjen. Demokratët më bënë thirrje të mos jepja dorëheqjen, por një thirrje më eprore më detyroi të jepja dorëheqjen, thirrja e kombit tim. Kryeministri unik në Europë lexoi këtu pamfletin e urrejtjes ndaj opozitës. Duhet t’i them në emrin tuaj të gjithëve se jemi një racë e veçantë , që nuk vajtojmë, që nuk lëndohemi aq kollaj. Edhe humbjen e festojmë! Edhe vdekjen e festojmë! Sepse kemi punuar me nder.
Ky vjen sot me kabinetin më nepotik në histori, me tre vetë nga e njëjta familje. Njeriu i pateteve të Ramiz Alizës (dhe Berisha drejton me gisht nga ministri Shpëtim Cami), hipi në atë funksion vetëm se i tha Ramiz Alisë se do ta zgjidh me pataten, problemin.

berisha
(Në foto: ish-kryeministri Berisha duke folur sot nga foltorja)

Ju thatë se Berisha nuk kishte shifra, ndërkohë që ne flisnim vetëm me shifra, përveç se për zëvendësimin e ramiz Alisë, që do marrë Financat e qeverisë. Por, pse mungojnë këto? Sepse premtimet janë alla Papandreu : “Paratë janë këtu”, kurse shifrat kanë ikur (greqisht). Anastas, përktheje nga greqishtja këtë. Nëse i mashtroni shqiptarët, atëherë ne do t’i udhëheqim duke bërë atë që i bënë Xhorxhit, grekët. "Empros Jorgos e pise Edi,"- përfundoi Berisha. (Para Jorgo, mbrapa të vjen Edi).
Lexo më shumë: Fjala e deputetit Sali Berisha
 
ORA 19:54: XHAÇKA: NE SHKODER I THONE KETYRE FJALEVE "MARRINA"
"Më ngjau ky prezantim kaq i zymtë si ato premtimet e dikurshme me “tejkalim plani” ose si i quani ju “Marrina”. Fat i mirë për këtë vend që ju nuk keni gjë në dorë të bëni më dëm".

ORA 19:35 TOPALLI: RAMA, TI S’E PRANON SE SHQIPERINE E KE GATI,   95% TI DO DËSHTOSH
Deputetja e PD-së, Jozefina Topalli, tha në fjalën e saj se “Aleanca e 1 prillit fitoi kurse ne humbën, por jemi kokëlartë për çdo arritje. Ne nuk bëmë premtime të bukura, jo se nuk dinim, por se ato janë të pamundura, janë mashtrime dhe ne nuk donim t’ju gënjenim. Për një politikan kjo është fondamentale, për një Kryeministër mbajtja e premtimeve është prova e zjarrit.” “Juve jua tha vetë eksperti juaj se në 95% ju do dështoni. Ti nuk e pranon, por e ke gati Shqipërinë, me rrugë të bëra , tunelin, me energji, me rritje pensionesh. Por ti nuk i pranon, se je nihilist."
Lexo më shumë: Fjala e deputetes JozefinaTopalli

ORA 19:02 BODE:  “KJO ISHTE LOJA” DREJT KARRIGES, NISI VITI ZERO
Ish-ministri i Financave tha se Programi ishte një manifest dhe sipas Ramës, sot është viti zero, sepse nesër gjithçka do të rishqyrtohet, rishikohet. Ju akuzoni për izolim të vendit, por vendi është anëtar i NATO-s dhe shqiptarët ecin lirisht nëpër Europë. Pse nuk thoni asgjë për rritjen e pagave dhe pensioneve, që ne i dyfishuam? Arritjet tona do mbeten një sfidë për ju." Ish-kryefinanciaeri i shtetit i bëri një analizë dhe ngriti shumë pyetje për problemet financiare që sipas tij, nuk gjejnë zgjidhje në "Programin - Manifest".

ORA 19:00 TOÇI: PROGRAM AMBICIOZ, POR I MUNDSHEM TE REALIZOHET
Deputeti Fatmir Toçi foli në veçanti për problemet që ka qyteti i Vlorës,i prapambetur në shumë drejtime, duke filluar që nga infrastrura e dobët. Toçi po ashtu preku problemet e arsimit, mungesën e shkollave dhe të transportit të fëmijëve në zonat rurale etj. Në përfundim ai theksoi se “Programi i Qeverisë është ambicioz, por dhe realisht i mundshëm për t’u zbatuar.”

18:48 KOKA: PROGRAMI HAP PERSPEKTIVA EUROPIANE
Ministri i Mjedisit Lefter Koka tha se qytetarët shqiptarë kanë arritur të kenë ambicie europiane.  “Programi ka prioritete për çështje të integrimit në BE. Ai është hartuar mbi bazën e nevojave të vendit. Ky Program ka mision të krijojë një shtet të barabartë me vendet e BE-së. Ky program sjell një perspektivë të re në çdo fushë të jetës sonë.""
 
ORA 18:32 DODA: PROGRAMI NIS ME SHKELJEN E STEMAVE ZYRTARE
“Në këtë Program nuk thuhet asnjë fjalë se ku do gjendet fondet për premtimet dhe asa afate për realizimin e tyre. Na vihet përballë një Program me një shqiponjë të stilizuar, që nuk është stema zyrtare. Kjo faqe nuk e ka as përkrenaren siç duhet. Ndoshta mund të thoni pse merreni me çikërrima, por nuk kam ç’të them për këtë program që nis me cenimin e stemave zyrtare të shtetit shqiptar.” Programi juaj thekson se lënia e mandatit të deputetit është një risi e parlamentarizmit, por  Kryeministri juaj është i vetmi ai që sot mban mandatin e deputetit dhe juve ju detyron ta lini atë. Pra, kemi një standart të dyfishtë." Deputetja Doda përmendi gjithashtu reformat që janë bërë në ligjin për median dhe problemet ekonomike me të cilat po përballen ato, çka kërkon një zgjidhje.   

ORA 18:25 TABAKU: SHTET ME IDE POPULISTE APO EKONOMI TREGU?
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku tha: "Njerëzit shikojnë, dëgjojnë dhe flasin. Fatkeqësisht disa shikojnë keq, dëgjojnë pak dhe flasin shumë! Edhe fjalimi që kryeministri i mandatuar mbajti gjatë seancës së kaluar në Parlament ishte veçse një shikim shumë i keq i situatës aktuale në të cilën ndodhet vendi, një mungesë vëmendje dhe ndaj sugjerimeve që vetë ekspertët e tij i dhanë në konferencën e para disa javëve dhe sigurisht fjalë, shumë fjalë por asnjë vizion. Kryefjala e programit të qeverise së re është mungesa e një vizioni, mungesa e një vizioni për të drejtuar, paaftësi për të projektuar dhe ndërtuar një model të ri ekonomik.
Lexo më shumë: Fjala e deputetes Jorida Tabaku

ORA 18:15 BARE: PROGRAMI YNË KA NË KRYE NJË NJERI ME VIZION MË TË AVANCUAR SE PARAARDHËSI
Deputeti i PS, Besnik Bare ka kujtuar në fjalën e tij në Kuvend, se nga qeveria paraardhëse janë dhënë 444 licenca për HEC, që nëse realizohen do të jetë një katastrofë ekologjike, sepse do dëmtojnë burimet tona ujore. “Qeveria e sotshme ka një sfidë të jashtëzakonshme përpara, më e rënda. Në 1992 ishte një Shqipëri e lodhur, por që në shumë elementë si mungesa e korrupsionit, situata ekologjike, institucionale kishte mundësira për t’u futur në shinat e Europës. Në vitin 1997, edhe pse shqiptarët humbën 2 miliardë dollarë dhe institucionet u dogjën nga paaftësia e shtetit, sërish nuk ishte ky shkatërrim që ishte sot. Sot Shqipëria nxjerr 1 milion ton naftë në vit, por merr të ardhura minimale nga nafta.  Sot pasuritë e shqiptarëve punojnë për klientelën e qeverisë së djeshme. Kemi borxhin më të madh në rajon”. Më tej Bare është hedhur te programi. Sipas tij, ai nuk përmban detaje, por ka politika konkrete kurimi. “Të bësh një program është tjetër gjë, dhe ta realizosh është tjetër gjë, por ky program ka premisa për të pasur sukses; është hartuar me ekspertët më të mirë të vendit dhe të huaj. Ka njerëz të apasionuar dhe ka në krye një njeri, që e ka treguar me prova se ka një vizion shumë më të avancuar se parardhësi i tij."

Mbi mjedisin, Besnik Bare ka theksuar se ai nuk është vlerësuar nga politika dhe është sektori më i penalizuar. "Me ligj dhe pa ligj janë dëmtuar pyjet që iu falën klientëve të pushtetit. Do ketë përmirësime ligjore dhe instrumenta për uljen e ndotjes së ajrit në zonat urbane". Ai është prononcuar mbi menaxhimin e mbetjeve. Sipas Bares "do të zgjidhet në dobi të vendit, do harmonizohen strategjitë". "Pa industri ricikluese nuk pastrohet vendi. Do nxiten industritë, që të marrin lëndë të parë me standard. Duhet të amendohet ligji në bashkëpunim me shoqërinë civile. Industri ricikluese, që edhe hapin vende pune", theksoi Bare.

ORA 18:05  GJOSHA: GRATË, PJESË E PANDARË E PROCESIT TË INTEGRIMIT
Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, foli për çështje të integrimit ku “një hapësirë të madhe zënë gratë, si pjesë e pandarë e procesit. Nuk kemi integrim, nëse nuk përfshijmë këtë kategori. Do punojmë shumë që marrëdhëniet e ngriturta me vendet anëtare ose jo do ruhen e do forcohen më tej. Një nga synimet tona është dhënia e mundësisë së studimit, studentëve të shkëlqyer, duke i kushtëzuar me rikthimin dhe punësimin. Prioritet do t’u japim projekteve rajonale.
Bashkëpunim i veçantë synohet me qeverinë e Kosovës.”

klajda gjosha
(Në foto: Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha duke folur sot nga foltorja)
 
ORA 17:42 HYSI: DEBIMI NGA ISH-PRONARET, TE SHQYRTOHEN GJYQET QE SHTYHEN
Deputetja e PS-së Vasilika Hysi ka denoncuar sot në fjalën e saj, dëbimin e qytetarëve nga shtëpitë që po iu kthehen ish-pronarëve, sipas Aktit Normativ të Qeverisë “Berisha”. Ajo i ka kërkuar në mënyrë të veçantë, Ministrit të Drejtësisë, të shqyrtojë të gjitha seancat gjyqësore që janë hapur nga qytetarët që pas daljes së këtij Akti, pasi me to po abuzohet dhe ata po nxirren jashtë pa përfunduar gjyqi. Ndërkohë që qytetarët paraqesin dokumentat e falsifikuara, seancat shtyhen pambarimisht dhe në mënyrë të qëllimshme, ndërkohë që shtëpitë e qytetarëve rrafshohen. Pra, ne jemi për kthimin e pronës ish-pronarëve, por jo për dëbimin e qytetarëve dhe braktisjen e tyre në rrugë me të tilla forma."

Po ashtu, Hysi foli për atë ç'ka afron, Programi i majtë, për kategoritë sociale më në nevojë. Ajo tha: “Programi parashikon nxitje të programit të ushqimit për familjet e varfra, nxitje edhe të masave për rend e siguri publike. Fëmijët e ngujuar për faj të moszbatimit të ligjit janë një këmbanë alarmi, që bie prej shumë vitesh. A kanë të drejtë, këta fëmijë, të mos bëhen viktimë e krimit? Sot, fëmijët jetimë, me mbushjen e moshës 18-vjeç, janë të pastrehë e të papunë. A nuk ka pasur ndonjë ndërtesë për këta fëmijë, që të mos flaken rrugëve? Ne afrojmë strehim për këtë kategori dhe punësim. Personat me aftësi të kufizuar nuk e kanë marrë prej muajsh pagesën e papunësisë; këtyre personave, jeta nuk u merret veç me armë e aksidente, por edhe për shkak të depresionit në rritje.”

ORA 17:05 BUSHATI: KRYEMINISTRI ANATEMOI OPOZITEN
Deputeti demokrat i Shkodrës, tha se si i zgjedhur për herë të parë në Kuvend, pa sesi "Kryeministri i PS-së e nisi fjalën e tij duke anatemuar opozitën. Që në prezantimin e parë, u duk se gjithçka ishte demagogji, por dua të flas për sigurinë kombëtare, ku formalisht e keni pranuar punën e ish-Qeverisë, duke vlerësuar pjesëmarrjen në NATO.Përsa i përket Forcave të Armatosura, ato gjatë qeverisjes së PD-së janë trainuar për të qënë partnere të denja të Aleancës. Lidhur me ekonominë, vërejmë se ju doni ta bëni Guvernatorin e Bankës, ju doni ta bëni ministër të Qeverisë suaj, por ne nuk do ta lejojmë këtë. Një tjetër handikap, është mungesa e strategjisë për thithjen e investimeve të huaja direkte."

ORA 16:55 QIRICI: PROGRAMI S'KA DETAJE SESI DO KURSEHEN FONDET
"Ju do thoni se do të pesëfishohet financimi rural. Unë dua ta di si do bëhet kjo që unë t’u jap përgjigje, qytetarëve."

ORA 16:40 ANGJELI:  KY PROGRAM KA 10 PERPARESI, NDAJ I DUHEN KONSENSUSI DHE BASHKEPUNIMI  
Deputeti socialist Anastas Angjeli e vlerësoi Programin e Qeverisë në 10 përparësitë që ai afron dhe theksoi se realizimi i tij ka nevojë për konsensus dhe bashkëpunim. "Programi i Qeverisë ka një orientim të qartë ndaj politikane nxitëse dhe mënyra më mirë për t’u përballuar me krizën është orientimi me eksportet. Ky program përjeshton reformat strukturore, përmirëson klimën e biznesit dhe vë në mirëfunksionim, tregjet e punës.  Ai ka përparësi me programet për riadaptimit e emigrantëve të kthyer në tregun e punës dhe më të rëndësishmet ka politikën e konsoldimit financiar.
Ai afron një program reformash për qytetarin, si në arsim, shëndetësi e barazi sociale. Ky program kërkon më shumë konsensus dhe bashkëpunim, sepse më shumë invetsime do të afrohen në ekonominë tonë. Dua të përsëris se zgjedhja për një model të ri zhvillimi ekonomik është e vetmja mundësi që të përballojmë gjendjen. Ne duhet të largojmë përfundimisht stresin kombëtar që viher re në familjet tona." 

ORA 16:27 DASHI: JU DUHEN SHIFRAT E PD SI PIKE REFERIMI
Deputeti i PD-së, Kozma Dashi tha: “Pas euferisë triumfaliste, ja tek vjen përballja. Po vazhdohet me slogane, mungon thellësia. Në asnjë artikull nuk duket ecja dhe targeti përfundimtar. Është një program minimalist, pa kosto, pa shifra; ka vetëm një detaj të gjetur një përkrenare të huazuar nga koha e Mbretërisë, që të paktën të duket si ogur i mirë. Le të shikojmë “detyrat e shtëpisë” që ne mendojmë se Qeveria e PD-së i ka bërë mirë. PD në qarkun e Fierit, 108 shkolla të ndërtuara apo restauruara; 14 qendra shëndetësore; 14 km rrugë. Ju mund të thoni: Kujt i duhen këto shifra kur ne fituam? Ju duhen shqiptarëve, por edhe ju si pikë referimi, që të përballeni me to.

ORA 16:18 DADE: E KUPTOVA PSE SHKODRANET VOTUAN KUNDER DHE NDAJ ISH-PREFEKTES
Deputetja Arta Dade tha që në krye të fjalës së saj:"Duke dëgjuar parafolësen, e kuptova pse shkodranët kanë votuar kundër edhe ndaj ish-prefektes. Veç të tjerave, emergjent është edhe kontrolli i burimeve ujore, sepse dhënia e lejeve për HEC-et i ka privuar fermerët. Mbështes angazhimin e Kryministrit për të riparë privatizimet e paligjshme; dhënia e granteve në mënyrë selektive ka pasur qëllim dhënien e parave, sekserëve. Vendet rreth nesh, më të avancuara se ne në luftën kundër korrupsionit, kanë treguar sesi ndëshkohet korrupsionit përmes drejtësisë së pavarur dhe të pkorruptueshme. Kjo kërkon vetëm vullnet politik dhe reforma të thella. Këtu nis Europa që duam të ndërtojmë, jo me retorikë."
 
ORA 15.56 ADEMI: PROGRAM ME PREMTIME SIKUR DO HAME ME LUGE FLORIRI
“Programi i kësaj Qeverie është pa objektiva të qarta, është tallur duke mohuar arritjet. Vetëm në qarkun e Shkodrës, numri i sipërmarrjeve është rritur. Programi kur e lexova m’u duk si premtimet që shqiptarët do hanë me lugë floriri dhe thashë me vete: Mjerë ne kush do na qeverisë!" 

ORA 15:56 META: TAHIRI, FJALIM KONSTRUKTIV
"E falenderoj z.Tahiri për fjalimin tepër konstruktiv dhe i uroj suksese në detyrë. Vazhdojmë me znj.Ademi."
 
ORA 15:55 HALIMI: TAHIRI NUK ESHTE MINISTER
"Tahiri nuk ishte në rendin e ditës për të diskutuar, sepse nuk është ministër. Ishin dje në Kosovë, ministra, por jo këtu."
 
ORA 15:54  NOKA: TAHIRI, NJE GJYSMAK QE E NISI SHKOLLEN NE XHENOVA DHE E PERFUNDOI NE TIRANE
Ish-Ministri i Rendit, Flamur Noka, ka gjetur rastin sot t'ia kthejë të gjitha akuzat ndaj tij, ministrit Tahirit, që e zëvendësoi. Noka është marrë gjatë me profilin e Saimir Tahirit përveç problemeve të rendit. "Z.Rama, ju i servirni shqiptarëve për drejtimin e Ministrise së Brendshme dhe Policise se Shtetit  një individ  gjysmak i cili pasi nuk mbaroi dot shkollën në Xhenova, u kthye për ta vazhduar në Shkodër, pasi dhe atje nuk e mbaroi dot erdhi e gjeti një zgjidhje për të marrë një diplomë në Tiranë. Ju i servirni shqiptarëve, si Ministër të Brendshëm, nje individ depresiv që ka tentuar suicid dhe që për këtë është mjekuar në spitalin San Martino në Xhenova."
Lexo më shumë: Fjala e deputetit Flamur Noka
 
ORA 15:40 TAHIRI: KRIMI DUKET EDHE MË “TRIM” SESA VETË SHTETI
“Qytetarët kanë frikë të jetojnë për sigurinë dhe shëndetësin, kanë ankthin për të bërë biznes. Krimi është i lirë, në të kundërt, nga shteti. Ja pse jemi angazhuar të kthejmë shtetin në vendin e vet dhe do themelojmë Byronë Kombëtare të Hetimit, do t’i japim tjetër ritëm, krimit të organizuar. Do të synojmë të nxjerrim Shqipërinë nga raporti i DASH-it ku jemi nën vëzhgim për krimin dhe korrupsionin. Veçanërisht, ne do synojmë të luftojmë korrupsionin në ekonomi. Pa ekzagjeruar, luftën kundër krimit dhe mafias, kjo Qeveria do ta konsiderojë si emergjencë kombëtare,"- tha ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Në vazhdim, ai tha: "Nga ana tjetër janë ata që sot janë “të fortët” që përdorin lidhjet ne politikën dhe me vetë policinë e shtetit, sepse policia e shtetit sillet me arrogancë me qytetarët.  Kjo pabarazi do marrë fund menjeherë. Para ligjit dhe Policisë së Shtetit do të jenë të gjithë të barabartë. Policia e Shtetit nuk do njohë imunitet tjetër veç atij që njej kuadri ligjor. Rrugët po ashtu janë kthyer në një teatër absurd dhe kategorinë e makinave të paprekshme e njohin që larg dhe as marrin mundimin ta’i ndalojnë. Korrupsioni në Policinë e Shtetit është përhapur shumë."
 
ORA 15:15 NOKA:  NA PREMTUAT SE DO HANIM ME LUGË FLORIRI SI ETËRIT TUAJ NË 1945
"Shqiptarët prisnin një program qeverie, por panë që s’u thanë asgjë. Por vetëm përralla dhe dëshira. Fjalë dhe vetëm fjalë. Një fjalim fund e krye nihilist, që nuk tregon në asnjë frazë si u bë, çfarë u bë, si do realizohen premtimet në fushatë. Nuk lexojmë objektivat e qartë strategjikë. Asnjë objektiv dhe asnjë detajim, as afate kohore dhe formën që duhet të marrin. Në fushatë premtuat parajsën, se do hanin me lugë floriri, si etërit tuaj në 1945. Pas zgjedhjeve një hartim tjetër fund e krye demagogji. Nuk kishte program konkret as për 100 ditë, as për 300 ditë, por dhe pa program 4-vjeçar".

ORA 15:00 PEZA: PA INTEGRIMIN E SHQIPTAREVE NE SHQIPERI, S'KA INTEGRIM NE BE
"Të dashur qytetarë shqiptarë! Ju kanë gënjyer, kur ju kanë thënë se do integrohemi në Europë, nëpërmjet miratimit të ca ligjeve. Jo 3, jo 33, jo 333 por edhe nëse 3 milionë ligje të miratojmë sot e tutje këtu, integrimi i shqiptarëve dhe i Shqipërisë në Europë nuk ka për të ndodhur. Sepse integrimi nuk është thjeshtë dhe vetëm një proces përafrimi ligjesh dhe as vetëm një proces diplomatik, i propagandës apo i marrëdhënieve me publikun. Integrimi europian, është edhe një proces i reformave të thella dhe i ndërtimit të një sistemi të tërë vlerash. Treni i integrimit, ecën jo mbi një, por mbi dy shina. Mbi shinën e përafrimit nëpërmjet një procesi negocimi me Brukselin dhe mbi shinën e proceseve të brendshme integruese."
Lexo më shumë: Fjala e deputetit Alfred Peza
 
ORA 14: 48 LESKAJ: DO PERPIQEMI TE REALIZOJME ATO QE KEMI PREMTUAR
”Programi u votua nga 1 milionë shqiptarë. Megjithatë vendi ndodhet në një moment kritik. Shqiptarët besuan në një projekt që ofron një marrëdhënie të re me biznesin. Ne do të përpiqemi të realizojmë atë që u kemi premtuar shqiptarëve. Kjo është arsyeja pse i kemi dhënë prioritet çështjeve të caktuara. Këto procedura kanë kosto, por që i shërbejnë të gjithëve. Parlamenti duhet të kthehet në një tribunë që vë ne qendër të debatit intresat e qytetarëve.”- tha Leskaj.
Lexo më shumë: Fjala e deputetes Valentina Leskaj

ORA 14: 30 MEDIU: SI DO BEHET LEGALIZIMI I BANESAVE?
”Shqipëria ka arritur hapa përpara për shkak të reformave. Ndihma e parë që mund t’i japim aleatëve tanë, është të sillemi të përgjegjshëm. Në një krizë ekonomike botërore, ne arritëm të ruanim zhvillim ekonomik të vendit. Investuam në çdo zonë të vendit. Ne i bëmë, ju duhet të bëni pjesnë tuaj. Ne nuk do hezitojmë të mbështesim projektet në interes të reformave të vendit. Por cilat janë projektet tuaja konkrete dhe si do t’i realizoni. Nuk pritëm vetëm ne, por të gjithë shqiptarët. Ajo që dëgjuam si çdo herë tjetër ishte sharja dhe fyerja e opozitës, sharja dhe fyerja e punës së shqipatrëve në këto 8 vite. Qëllimi i parë është marrja e statusit, dhe kjo s’ka të bëjë me marrjen e statusit, pasi deri atere ju s’do keni mësuar zyrën tuaj, por është rezultat i punës së mëparshme. Si do bëhet legalizimi i banesave informale? Si do veproni me pronat? Ju keni shkatërruar dhe një potencial shumë të madh të ekonomisë së vendit, siç është turizmi. Premtuat se do dëmshpërblemi ish-të burgosurit, por nuk keni vendosur asnjë afat. Nuk kam medyshje se e keni përdorur vetëm për premtim elektoral, por i keni përçarë që ata të merren me njëri-tjetrin dhe të harrojnë të drejtat e tyre.”

ORA 14: 14 CARA: RAMA S'KA PROGRAM
”Më 11 shtator do të kujtojmë Ramën në Kuvend për 2 gjëra: që nuk na zgjënjeu, dhe na gënjeu. Tregoi qe përveç ngjyrave trendi të imazhit të PS, nuk sjell asgjë të re në këtë Kuvend. Bënë mirë ata që ne na votuan, pasi qeveria e sotme nuk ka program. Zgjedhjet ishin të lira, dhe për këtë më vjen mirë, edhe për arritjen e forcës politike që përfaqësoj. Teksa shfletohet programi i Ramës, shoh se është një program që duhet t’u kthejë përgjigje disa pyetjeve bazike, kur do zbatohet, sa do kushtojë, si do realizohet. Por nuk ka asnjë analizë se pse duhen bërë këto ndërhyrje. Sot e mirëkuptoj Berishën, që pas zgjedhjeve të 23 qershorit, tha “Nuk mund të premtoja atë që nuk mund të bëja”. Me fjalë flet për decentralizim, por me vepra jam i bindur se po kërkon më shumë kontroll dhe pushtet në duart e tij. Duhet bërë më shumë për ish-pronarët dhe të përndjekurit politikë.”
Lexo më shumë: Fjala e deputetit Igli Cara

ORA 13: 45 XHAFA: KENI FRIKE NGA TRANSPARENCA
Deputeti Fatmir Xhafa akuzoi opozitën se ka frikë nga transparenca. Ndryshe nga prezantimi i qeverisë së 2005 ku Berisha nuk kishte asnjë shifër konkrete në programin e qeverisë Rama çdo gjë është e detajuar financiarisht. Pretenduat se programi nuk ka shifra dhe afate. Në vitin 2005 ju erdhët në qeveri pas 8 vite qeverisje të Partisë Socialiste. Në fjalimin e parë të Berishës të asaj kohe nuk ka shifra monetare për përmbushjen e angazhimeve. Ndërkohë që programi i qeverisë Rama ka referenca shifrash, argumentat në shifra monetare për përmbushjen e detyrimeve."

Ora 13:30 HALIMI: RAMA S’DO LUFTOJE KORRUPSIONI DO I BEJE BISHT PREMTIMEVE
 Duke shprehur votën kundër deputeti i PD-së Eduar Halimi akuzoi Ramën se nuk do të mbajë premtimet.  “Programi i qeverisë nuk ka asgjë. Rama nuk do të luftojë korrupsionin dhe do t’i bëjë bisht premtimeve. Ky program nuk jep përgjigje për hallet e qytetarëve.  Ne po ju lëmë një vend me më pak shpenzime, nga sa ju na latë 8 vitë më parë. Qeveria e Berishës e trasnformoi Shqipërinë, edhe pse kishte përballë një opozitë që bllokoi çdo ligj dhe çdo reformë.  Ky program nuk ka një model qevrisje, mohon gjithçka dhe nuk njeh realitetin. Bën plagjiaturë, duke kopjuar pjesë të projekteve të qeverisë paraardhëse. Frikën Rama duket t’ia ketë vetës, për vrerin që mban brenda. Vjen në qeveri me një kabinet me 6 ministri me shumë, në një kohë kur edhe vendet e Ballkanit ndodhen në krizë. Kjo është rilindja e kthimit 50 vjet pas. një model që i kushton minimumi 10 milionë euro, qytetarëve shqipatrë. Votoj kundër këtij kabineti dhe përbërjes së tij. Rama fsheh paaftësinë e tij për të mbajtur premtimet. Ne do të jemi këtu çdo ditë për të mos lejuar asnjë moment që konfliktin politik ta përdorë si alibi për të mbuluar mosmbajtjen e premtimeve.”-tha Halimi

ORA 13: 14 MAJKO: QEVERIA E RE TE KTHEJE NE DETYRE ATA QE U LARGUAN PADREJTESISHT
”Ka një numër punonjësish në administratë të ndryshëm nga njëri tjetri nga përgatitja, por që trajtohen njësoj.  Qeveria e re ka detyrim ligjor të kthejë në punë ata që kanë një vendim gjyqësor, apo të komisionit civil të cilët janë larguar padrejtësisht nga puna. Si deputet i Tiranës dëshiroj të them se nevojitet ndërhyrje për të shëruar këtë gangrenë sociale. Me lëvizjen e qytetarëve nga zonat rurale drejt qytetit ka krijuar propblematika që duhen zgjidhur. Shteti shqiptar nuk po merr ende detyrimet e veta për emigracionin.
Lexo më shumë: Fjala e deputetit Pandeli Majko

ORA 12:38 ASTRIT PATOZI: SOT ESHTE DITA E QEVERISE ME DY KOKA
Deputeti i Partisë Demokratike Astrit Patozi i është drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, kryetarit të Kuvendit dhe deputetëve duke përmendur arritjet e bëra nga qeveria paraardhëse, ndërsa ka theksuar se tashmë “është dita e qeverisë me dy koka”: “Z. Bashkëkryeministër tashmë i zgjedhur Ilir Meta me Bashkëkryeministrin e votuar Edi Rama. Sot është dita e qeverisë me dy koka. Ju sot merrni në dorëzim me letra një Shqipëri normale, çelësat e një Atdheu ku shqiptarët janë më mirë se 8 vite më parë. Të paktën mos e ktheni në delen e zezë të Europës kur ta lini pushtetin."
Lexo më shumë: Fjala e plotë e deputetit Astrit Patozi

ORA 13:00 HAXHINASTO: PROGRAMI REALIST
Deputeti Edmond Haxhinasto, njëkohësisht ministër i Transportit tha se programi ishte realist
 ”Programi i qeverisë bazohet në një sërë parimesh, dhe këtë program e mbështetën mbi 1 milionë shqiptarë. Ky program së pari trajton dhe zgjidh probleme të mëdha që ka vendi, sistemi institucional dhe problemi ekonomik. Kërkohen burime të reja për të rritur dhe financuar zhvillimin. 
Duhet të jemi konkurues për ta bërë modelin të qëndrueshëm. Më shumë standarde do të thotë më shumë punësim. 
Programi ka brenda sensin realist dhe ambicien për realizimin e objektivave, që paraqiten jo si doktrina, por si shërbim konkret për qytetarët, një standard europian, që afron cilësi më të madhe jete për qytetarin”- tha Haxhinasto.

ORA 12: 30 REPLIKON MINISTRI I JASHTËM DITMIR BUSHATI: MOS E NDANI PARLAMENTIN NE NE DHE JU
”Pjesa e programit tonë është pjesë e programit të qeverisë, ju falenderoj për sugjerimet, por ju them se do të ketë një bashkëpunim më të ngushtë. Më vjen mirë që pas kaq vitesh në parlament të degjoj të flasësh për çështjet e integrimit në Parlament. Mos e ndani këtë sallë dhe shqiptarët në ne dhe ju, por së bashku duhet të shkojmë në rrugën drejt integrimit në BE. Atë që ju keni bërë ne do ta vijojmë, atë që ju nuk keni bërë ne do ta bëjmë shumë mirë.”- tha Bushani ne replike ndaj Majlinda Bregut.
 
ORA 12; 21 MAJLINDA BREGU: DO VIJONI TE QEVERINI ME COPY PASTE TE DOKUMENTEVE TE QEVERISE PARARDHESE
Deputetja Majlinda Bregu, ministre e Integrimit e qeverisë së kaluar akuzoi kryeministrin Rama se në programin e tij nuk  ka asgjë të detajuar për integrimin dhe se ka bërë copy-paste të dokumentave të qeverisë paraardhëse. “I ashtuquajturi program nis me integrimin, por aty s’ka asgjë për programin e integrimit. Rama pengoi integrimin për tre vite. Asnjë rresht në Program nuk ka sesi qeveria e re do të ndjekë procesin e integrimit. Çfarë politike të qeveritare keni ju, dhe të bëni këtë trenin ku ka hipur Edi Rama, të ecë më shpejt. Si mund të jeni kaq të dobët dhe të gënjeni, dhe bëni copy-paste të dokumentave të qeverisë paraardhëse. Ajo që keni shkruar në program është një plagjiaturë që do ta paraqisni si të re.  (Rama qesh nga karrigia e Kryeministrit)
Lexo më shumë: Fjala e plotë e deputetes Majlinda Bregu

ORA 12:00 FINO: PROGRAMI AMBICIOZ, TA VOTOJME
Deputeti i PS-së Bashkim Fino vlerëson programin e kryeministrit Rama, si programin më ambicioz që është paraqitur ndonjëherë dhe bën thirrje për të votuar.

“Ky është programi më ambicioz që një kryeministër ka paraqitur në Shqipëri. Na presin detyra të mëdha. Ky është program i reformave të mëdha dhe të guximshme, që nuk e patën qeveritarët e së kaluarës. Sot premtimet marrin kuptim me këtë program.

Qevria socialiste do të mbështetet në një program të ri ekonomik, që synon rritjen e prodhimit të brendshëm  dhe shtim të eksporteve, do të fokusohemi tek prodhimi.

Do të mbështesim biznesin e vogël dhe të mësëm, do reduktojmë barrierat dhe pengesat. Do të zhvendosemi nga taksimi i sheshtë tek taskimi progresiv.

Synojmë rritjen e punësimit dhe nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja. Qeverisja jonë synon të heqë politikën e informalitetit. Do të realizojmë pa pagesë legalizimin e banesave informale. Kjo do të jetë padyshim e vështirë në kushtet që ndodhet vendi, por jam i bindur se vota që populli i dha kësaj maxhorancë do të jetë motori shtytës për realizimin e reformave.  Ne nuk jemi vetëm, por kemi edhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

 Sot vjen si prioritet absolut reforma administrative territoriale, i cili është hapi i duhur drejt modernizimit të adiministrimit pulbik, për t’i dhënë qytetarëve shërbimet e munguara. Synohet decentralizimi i kompetencave. Në 8 vite u cënua autonomia e qevrisjes vendore. Programi synon mekanizma të qartë për qeverisjen vendore, me fokus dhënien e shërbimeve të duhura për qytetarët.
I ka ikur koha bllokimit të fondeve për qëllime politike. Te votosh këtë program do të thotë të mundësosh zhvillimin e vendit dhe rritje të transparencës ndaj qytetarëve.”- tha Fino.

ORA 11: 39 DEPUTETI ERION BRAÇE: DO TË ZHBËJMË KORRUPSIONIN
Deputeti i PS-së deklaron se qeveria e re do të zhbëjë korrupsionin ndërsa shton se duhet të prishen kontratat koncesionare abuzive.  ”Tani nis faqe e re pa keqbërës, por me opozitarë që ishin po ata keqbërës që ishin në pozitë. Edhe tani që diskutojmë ne ende nuk kemi marrë fuqinë vendimmarrëse në zyrat e pushtetit, dhe do na duhet të përballemi me ato që ka lënë qeveria e ikur.
Së pari, shteti privat që këta ndërtuan dëmtojnë qytetarin. Pasi secili vepron sipas interesave të veta duke e kthyer shtetarin në privat. Ne do t’i përgjigjemi duke gjetur zgjidhje për këto probleme. Do të zhbëjmë korrupsionin. Tashmë ka nisur një fazë e re. Pullat fiskale për ilaçet do t’i kushtojnë më shumë shqiptarëve, për shkak të shërbimeve të monopolizuara, po kështu për ngjyruesit e karburanteve.
Lexo më shumë: Fjala e plotë e deputetit Erjon Braçe

Ora 11:30 BERISHA IKEN NGA SALLA
Ish kryeministri Sali Berisha, i ulur në Kuvend si deputet i thjeshtë largohet nga salla.

ORA 11: 29 EDMOND SPAHO ZV/KRYETAR I KUVENDIT
Kryetari i Parlamentit hedh në votim kandidaturën e Edmod Spahos, të propozuar nga PD për postin e nënkryetarit.
Ai u miratua me 99 vota pro dhe 51 vota kundër.  Pas votimit nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë Edmond Spaho mban fjalën duke e akuzuar Ramën se seancën e së mërkurës tentoi t’i ulë kokën opozitës dhe se nuk japin një afat kohor të saktë se kur do të mbajë premtimet.

”Seanca e së mërkurës, nga seancë e prezantimit të programit qeveritar u kthye në sulm revansh kundër Partisë Demokratike dhe deputetëve te saj. Kryeministri tentoi t’i ulë kokën opozitës.

Me retorike të harruar që shqiptarët e kanë lënë pas në vitet ’90, Rama tha se çdo gjë do të zhbehet, pasi nga sot fillon diktatura e rilindjes. Kryeministri deklaroi se ekonomia do të ndryshojë me rrënjë, se çdo marrëveshje e koncension i huaj do të anulohet nëse nuk kalon në oxhakun e tij.  Nëse rritja prej 2 përqind gjatë viteve të krizës ka qenë e pamjaftueshme, sa mendoni se do të rritet tani? Ju çfarë do të beni? modeli i ndjekur nga PD bëri të mundur të dyfishohen pagat dhe pensionet. 

Nëse nuk do të pagohen taksa si do të veprohet? Ne jemi këtu për të garantuar se ju do të mbani premtimet që i keni bërë qytetarëve. Por ju nuk thoni një afat kohor se kur do të mbahen këto premtime. Ju keni premtuar uljen e TVSH për energjinë elektrike, por këtë e keni ndryshuar vetëm për banorët me vështirësi ekonomike. Këto marifete do te transformojnë premtimin tuaj tjetër për shëndetësinë falas. Qeveria duhet t’i shtrohet punës për të realizuar ato që ka premtuar dhe ka marrë përsipër, opozita do bëjë të gjitha përpjekjet që qytetarët të angazhohen për të bërë realitet premtimet që iu janë dhënë. 

Ju keni premtuar invalidëve energji dhe transport falas, dhe rritje të pagesave, dhe kjo duhet te realizohet. Të gjitha sa janë premtuar në fushatën e 23 qershorit duhet të realizohen dhe opozita është e angazhuar për të bërë transparencë. Sot vazhdoni të jeni në euforinë e fitores, por shpejt kjo do ndryshojë dhe qytetarët do thonë qeveria nuk mbajti fjalën.”- tha Spaho.

VEMENDJE PROCESIT TE PRIVATIZIMIT TE ALBPETROLIT
Përgjigjet Damian Gjiknuri, Ministër i Energjisë dhe Indrustrisë

Deputeti Selami pyet për defektet e shpërndarjes së energjisë elektrike në Vlorë. 
Damian Gjiknuri: Ky është një shqetësim që ka dalë dhe nga shumë zona të tjera. Operatori i shpërndarjes tashmë është i privatizuar dhe të gjiha pasojat janë shkak i këtij privatizimi të dështuar. Do të ushtrohet trysni pozitive tek Enti Rregullator për të përmirësuar shërbimet tek qytetarët shqiptare, pasi për shkak të një defekti të vogël zona të tëra rrinë pa energji. Duke konsideruar privatizimin e OSSH si "një proces i dështuar", premtoi se "ka nevojë për një ndërhyrje më të madhe për zgjidhjen e çështjes CEZ”.

Deputeti Rahoviza, deputet i Beratit pyet në lidhje me shkurtimet që do të ndodhin në Albpetrol?
Gjiknuri : ”Ky proces i shkurtimit të punonjësve ka filluar si rezultat i procesit të privatizimit. Qeveria do ti kushtojë vëmendje pasojave të ardhura nga ky privatizim. Në programin e qeverisë është i qartë adresimi i statusit për gjithë punonjësit që punojnë në sektorë të vështirë për të gjetur një raport të duhur për kontributin që kanë dhënë punonjësit  në naftë, miniera dhe kudo si sektorë të vështirë” Ai u angazhua për proces transparent edhe për çështjen, që lidhet me një nga vendimet e fundit të qeverisë Berisha, duke i hequr kompanisë publike të nxjerrjes së naftës një numër të konsiderueshëm zonash naftëmbajtëse. "Ne do t’i kushtojmë kujdes transparencës së këtij procesi”, tha Gjiknuri.
 
MORATORIUM PËR NDALIMIN E NDËRTIMEVE PA LEJE NE ZONAT MUZEALE
Deputeti Bejko pyet si do të rritet numri i turistëve në Berat?
Gjermeni: Synimi është të rritet numri i turistëve që vizitojnë Shqipërinë dhe Beratin. Rritja e numrit të turistëve në Berat do të jetë punë dhe e kolegeve të tjerë për të synuar një përqasje të integruar. Po kështu do të punohet për rregullimin e rrugës, Lushnje-Berat e cila është e dëmtuar. Do vendoset moratoriumi për ndalimin e ndërtimeve pa leje në Kalanë e Beratit, Gjirokastrës e Krujës. Berati do të ngelet një nga destinacionet kryesore turistike për vlerat që ka. Do të jetë pjesë e fushatave promovuese që do të zhvillojmë brenda dhe jashtë vendit për të reklamuar potencialet që ka qyteti. Bazuar në turizmin e qëndrushëm duam të promovojmë vlerat tradicionale të Beratit, duke përmisuar edhe nivelin e shërbimit.
 
DEMSHPERBLIMI I TE PERMBYTURVE, NE SHKODER, CANI: DO LLIOGARISIM DETYRIMET E PASHLYERA
Përgjigjet Ministri i Financave, Shpëtim Cani

Petrit Vasili: Në kuadrin e lehtësimit të shërbimeve për qytetarët e Lushnjës, a është parashikuar që qytetarët të kenë zyren ë shërbimeve shoqërore në këtë qytet?
Shkëlqim Cani: Kjo do të realizohet dhe për këtë ka disa mënyra. Do gjejmë mënyrën që qytetarët të mos sorrollaten. 

Një deputet i Shkodres : Si do veprojë qeveria për dhënien e shpërblimeve qytetarëve për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet?
Shkëlqim Cani: “Janë me mijera miliardë lekët detyrimet që ka lënë pa dhënë qeveria e kaluar. Ministria e Financave në bashkëpunim me FMN dhe partnerë ndërkombëtarë do të bëjë një llogarritje të detyrimeve të pashlyera dhe do të përfshijë dhe këtë fakt. Do të vendosen rregulla dhe kushte dhe do të procedohet sipas një radhe të caktuar, sipas mundësive të buxhetit. Kemi guximin për t’i dhënë zgjidhje detyrimeve të marra.”

BUJQESIA, PANARITI: DO PARANDALOHET PERMBYTJA E SHKODRES 
Pergjigjet Edmond Panariti,Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit te ujërave

Piro Kapurani: Në qarkun e Korçës, bujqësia zë peshën kryesore, çfarë është parashikuar nga qeveria?
Panariti ”Në Korçë prodhohet edhe në sajë të traditës dhe kulturës së mirëinstaluar në këtë qark, aty problem nuk është prodhimi pasi aty prodhohet, por problem mbetet tregtimi i këtyre prodhineve. Dhe këty do të përqendrohet edhe politika e ministrisë. Do të aktivizohen disa elementë të tregtisë së lirë, që prodhimi vendas  të mos i bëhet konkurrencë e pandershme. 

Piro Kapurani: Çfare parashikohet për sistemin e ujitjes, në veçanti fushën e Maliqit?
Panariti: Aty çështja e përmbytjeve është kronike, dhe po punohet një strategji e posaçme për këtë zonë, për të normalizuar situatën.

Deputeti Bitri: Çfarë parashikohet për t’i orientuar fermertët në mbjelljen e kulturave bujqësore?
Panariti: Kjo ka të bëjë më mirëorientimin e fermerëve për prodhimet e ndryshme. 

Deputeti Vasili: A do ketë Lushnja drejtorinë e Bujqësisë dhe e AKU?

Panariti: Padyshim që Lushnja meriton të ketë drejtorinë e saj dhe ne do të marrim të gjitha masat për të realizuar këtë. Por nuk ndaj me ju të njejtin mendim sa i përket autoriteti kombëtar të ushqimit, pasi ky organizëm ekziston në bazë qarku. 

Deputeti i Shkodrës Çela pyet për strategjitë për përmbytjen në Shkodër?
Panariti: Kjo është një pyetje komplekse dhe për ne përbën një ndërhyrje të rëndësishme dhe emergjente, pasi po afron stina e shirave. Ne do të marrim masa urgjente për riparimin e hirdovoreve, kanaleve të kullimit.

TRANSPORTI, DO PËRFUNDOHET RRUGA E ARBRIT, PORT NË VLORE PER CROCERA
Vangjel Tavo pyet për parashikimin e përfundimit të aksit rrugor Levan Tepelenë
Ministri i Transportit Edmond Haxhinasto: “Kriter prioritar sa i takon sektorit të infrastrukturës do të jetë përfundimi i të gjithë veprave që nuk janë përfunduar”

Shkëlqim Selami: A është parashikuar ngritja e një porti në Vlorë për crocera
Haxhinasto: “Kemi parashikuar ridimensionimin e porteve. Portet e jugut do të kenë profil më të qartë turistik.  Është parashikuar ngritja e një porti në Vlorë, zhvillimi i integruar i turizimit në jug ka si kërkesë të domosdoshme krijimin mundësive aeroportuale. 

Shkëlqim Selami: A është parashikuar ngritja e një porti në Vlorë për crociera
Haxhinasto: “Kemi parashikuar ridimensionimin e porteve. Portet e jugut do të kenë profil më të qartë turistik.  Është parashikuar ngritja e një porti në Vlorë, zhvillimi i integruar i turizimit në jug ka si kërkesë të domosdoshme krijimin mundësive aeroportuale.  
 
Agron Çela pyet për ndërtimin e dy unazave rrugore të Shkodrës
Haxhinasto:  Është një nga parimet tona në zhvillimin e infrastrukturës që rrugët kryesore të mos kalojnë mes qyteteve por në anët e tyre. Është çështje që qëndron e do trajtohet me seriozitet.
 
Spahiu, deputet i Dibrës pyet për situatën e pritshmërisë për përfundimin e Rrugës së Arbrit.
 Haxhinasto: “Është prioritet absolut. të gjithë rrugët dhe akset që janë në proces do përfundohen. Po do të përfundoj dhe rruga e Arbrit. Kjo është përgjigjja ime përfundimtare"
 
SHENDETESIA, BRENDA 100 DITËSH DO ÇLIROJMË TERRITORET E BLLOKUARA SPITALORE
Deputeti Eduard Bejko: Kush është plani juaj konkret për çlirimin e territorit spitalor
Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja: "“Është shqetësim në rritje i bluzave të bardha për vështirësitë që ndjejnë në punën e tyre. Jemi të angazhuar që brenda 100 ditëve territoret spitalore t’i çlirojmë nga bizneset private. Synimi ynë është që shërbimi shëndetësor të jetë paguesi i vetëm i sigurimeve shëndetësore. Dy sistemet nuk janë konkurencë por sistemi privat është suplementar në përmbushjen e misionit tonë.”

Redaksia Online
(arsh/mag/sg/es/a.ç/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës