Një nga këto prona është edhe konvikti i Gjuhëve të Huaja në rrugën e Elbasanit, që i kalon universitetit privat “Luarasi”. Sipërfaqja e këtij objekti është rreth 3.500 metra katrorë, godina është 5 kate, sipërfaqja e katit përdhe është 886 metra katrorë, sipërfaqja e kateve të tjera është 640 m2 dhe numri i nxënësve që e përdorin këtë objekt është 100.
Para më shumë se një viti, kur Bashkisë së Tiranës iu kërkua po nga ky subjekt Konvikti, qeveria Berisha e miratoi kërkesën dhe nisi procedurat që të jepej me qira nga universiteti jopublik. Duke qenë se objekti në administrimin e Bashkisë dhe Drejtorisë së Konvikteve e kalon sipërfaqen e 200 metrave katrorë, vendimin për dhënien me qira të tij duhet ta bënte ministria e Ekonomisë, çka mësohet se është kryer tani me nënshkrimin nga ana e kreut të METE-s Florjon Mima.
Procesi u pezullua vjet për shkak të presioneve të opozitës dhe medias. Ndër të tjera, tjetërsimi i pronësisë së konviktit të Gjuhëve të Huaja u denoncua nga gazeta Shqiptarja.com dhe televizioni A1 Report, që në muajin qershor të vitit 2012, ndërsa më parë, në janar të të njëjtit vit, kishin dhënë alarmin se nxënësit po mbeteshinn pa strehë, pasi u vendos që konviktorët të strehoheshin në ambiente të tjera.
Ditët e fundit të qeverisë Berisha kanë qenë të tejmbushura me vendime për shitje pronash publike, ankande e tendera, të nisura që para zgjedhjeve të 23 qershorit e që akoma nuk kanë përfunduar. Dje, me urgjencë të dukshme, është hedhur në Fletoren Zyrtare të radhës vendimi i qeverisë, i marrë të mërkurën, për kalimin e ish-selisë së Partisë Demokratike tek Bashkia e Tiranës, duke i dhënë kështu edhe hapin përfumtar kalimit të pronësisë.
Deputeti socialist, Erion Braçe ka reaguar në Facebook duke përmendur edhe shtatë tenderë apo ankandë të tjerë për shitje vetëm në muajin gusht të "kryeministrit të mundur apo Heqimit të korruptuar, që po nxiton të marrë gjithçka".
Braçe ka përmendur ndër të tjera dhënien e miratimit për rishitjen e ARMO-s, dhënien e 9 vendburimeve të naftës e gazit, duke i dhënë fund kompanisë Albpetrol si kompani prodhuese, dhënien me koncension të rafinerisë së naftës në Cërrik, duke u përfshirë, madje, edhe në një konflikt gjyqësor.
Po ashtu, Braçe ka përmendur dhënien e mbi 20 lejeve për hidrocentrale, sipas tij, nën dritën e praktikave klienteliste e tërësisht të pavlera, gjithashtu, dhënien me koncesion të terminalit të trageteve në Portin e Durrësit duke i dhënë fund pronës publike në port; përfundimin e procedurave të ngrira për dhënien me qira deri të objekteve funksionale arsimore dhe privatizimin e objekteve turistike në vijën bregdetare, në pronësi të pushtetit vendor.
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)