TIRANË- Sulmet e vazhdueshme të Sali Berishës, kanë nxitur “besnikët e tij” të verbër që të ndërmarrin një peticion kundër diplomates amerikane Yuri Kim.  Nuk dihet se kush qëndron pas peticionit, por në thelb të saj qëndrojnë pikërisht vërejtjet që janë artikuluar publikisht nga goja e Sali Berishës.

Autori i këtij peticioni, siç mund të shihet te linku, është Milaim Nela, një analist i cili ka shkruar jo pak herë shkrime kundër Kim, e në mbrojtje të Sali Berishës, teksa në Facebook e tij fton ndjekësit që ta plotësojnë. Në total synohet që të firmoset nga  persona nga 5000 që kanë vendosur si maksimum, ndonëse nuk është specifikuar qartë se çfarë synohet me arritjen e këtyre firmave. “Mjaft është mjaft”, shkruhet në deklaratë, ku Kim akuzohet se po intimidon opozitën dhe po ndërhyn në votimet e brendshme, referuar zgjedhjeve që po bën ‘Rithemelimi’. Kaq mjafton për të kuptuar fare qartë se kush është autori i kësaj.

Ndonëse Kim ka dalë hapur kundër Sali Berishës të shpallur ‘Non Grata’ nga SHBA, ky i fundit në luftën që i ka shpallur diplomates, fshihet si struci ndaj anonimëve apo “mashave” të tij të cilët duket se janë shtuar tani, me iluzionin që kanë se Berisha ka rimarrë drejtimin e Partisë Demokratike, edhe sot çështja është në Gjykatën e Apelit dhe nuk ka asnjë vendim të formës së prerë.

“Ambasadorja Kim, Mjaft është Mjaft!” Kohët e fundit, kemi parë me shqetësim sjelljen jo-diplomatike dhe ndërhyrjet e paprecedenta të Ambasadores të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Znj. Yuri Kim në ekuilibrat e brishtë të demokracisë dhe institucioneve shqiptare.

Qëndrimet e Znj. Yuri Kim bien ndesh jo vetëm me statusin e saj diplomatik dhe nenin 41 të Konventës së Vjenës, por kanë cënuar fort aftësinë e vendit për të pasur një opozitë serioze ndaj një qeverie që vetë Departamenti Amerikan i Shtetit në raportet e veta, e klasifikon thellësisht të korruptuar. Intimidimi i vazhdueshëm ndaj forcave opozitare, ndërhyrja në procesin e tyre te votimeve te brendshme apo trysnia që i bëhet drejtësisë nga Znj. Kim janë shumë shqetësuese pasi minojnë demokracinë dhe rrezikojnë stabilitetin e vendit.

Në 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Amerikano-Shqiptare, shikojmë me trishtim se imazhi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është dëmtuar edhe për shkak të ndërhyrjeve brutale të znj. Kim në çështjet e brendshme të vendit në të cilin gjithsesi ajo është një mysafire. Demokracia Amerikane që vazhdon të mbetet ëndrra e modeli i shumicës dërrmuese të shqiptarëve të cilët i lidh me SHBA një ndjenjë e thellë mirënjohjeje e partneriteti, na mëson që asnjë qytetar me dinjitet nuk duhet të pranojë këtë lloj trajtimi dhe “diplomacie”!   Përveç të tjerave ky stil “diplomatik” nuk përfaqëson vlerat e demokracisë së SHBA! Për këtë arsye, i bëjmë thirrje çdo shqiptari të ndershëm brenda dhe jashtë Shqipërisë që mendon se rruga drejt demokracisë nuk kalon nga makinacionet e intrigat por vetëm nëpërmjet votës së lirë dhe verdiktit të shumicës të na bashkohet në reagimin qytetar për dinjitet duke firmosur peticionin: “Ambassador Yuri Kim, Enough is Enough”.

Si qytetarë shqiptarë dhe miq të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kërkojmë Departamentit Amerikan te Shtetit që përfaqësuesja e SHBA në Shqiperi, Znj. Yuri Kim ti përmbahet statusit diplomatik dhe të ndalojë menjëherë ndërhyrjet brutale në politikën e brendshme dhe institucionet shqiptare! Ne kemi bindjen se vetëm një diplomaci korrekte ndihmon demokracinë tonë dhe frenon dëmtimin e mëtejshëm të imazhit  të SHBA-së tek shqiptarët, të cilët sot e kësaj dite e konsiderojnë atë tempullin e lirisë dhe demokracisë”, thuhet në deklaratë.

Që ky peticion nuk është aspak serioz, mund të kuptohet shumë lehtë, kjo sepse firmëtarët e peticionit mund të votojnë më shumë se një herë, por edhe me emra fals dhe askush nuk kërkon një mjet identifikimi. Mes tyre është edhe ish-ministri i drejtësisë, Ylli Manjani.

Postimi i Ylli Manjanit

Sali Berisha ka akuzuar herë pas here ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim duke thënë se deklarata e saj, janë qëndrime personale të saj dhe jo të SHBA-së, duke thënë se do të ankohet. Kim e ka bërë të qartë se nuk do të bashkëpunojë me një ‘Non Grata’ si edhe duke e theksuar se nëse ai rimerr drejtimin e PD-së do e ndjekë i njëjti fat, izolim total me SHBA. 

Milaim Zela, autori i peticionit