TIRANË - Ish-kryeministri Sali Berisha ka analizuar në Facebook reagimin e Edi Ramës dje pas progres-raportit dhe rekopmandimit të KE për marrjen nga Shqipëria të Statusit të vendit kandidat në BE. Berisha ka vënë re nxirje dhe tronditje në fytyrën e kryeministrit Rama dhe ka shpjeguar pesë arsyet e "tronditjes së madhe të Ramës".

PSE NXINTE DJE RAMA NGA STATUSI DHE RAPORTI I KE?
Të dashur miq, dje, në Tiranë dhe Prishtinë, lajmet nga Brukseli u pritën me krenari dhe gëzim por Rama, pasi iu dorëzua Raporti, u paraqit para mediave i nxirë, i tronditur thellë dhe në një përçartje të papërmbajtur deklaroi se nuk ka vend për gezim, nuk do hedhim fishekzjarre, nuk do festojmë, vetëm sa nuk tha do mbajmë zi. Ai foli realisht si një zemërthyer apo si njeri i zënë në faj të madh. Pesë janë arsyet më kryesore të tronditjes së madhe të Ramës nga raporti i KE dhe rekomandimi i statusit për Shqipërinë.

Së pari, Raporti vlerësonte me objektivitet funksionimin e institucioneve të vendit, që bënë të mundur rekomandimin për të dytën herë të statusit, kurse Rama me urrejtje ka shpallur këto institucione armike dhe njofton shkrirje të tyre.

Së dyti, Raporti përgënjeshtronte pikë për pikë dhe përfundimisht shpifjet dhe trillimet e Ramës për progresin e vendit në të gjitha fushat, rritjen ekonomike, uljen e papunësisë, sukseset në arsim, shëndetësi, inrastrukturë, etj.

Së treti, Rama nxinte dje sepse të gjitha këto arritje, që bënë të mundur rekomandimin e statusit, lidhen me qeverisjen e PD-së dhe për Ramën kjo do të thotë arritje e armiqëve të tij.

Së katërti, Rama ishte i tronditur sepse çdo shqiptar dhe europian e tregon atë me gisht si njeriu që bllokoi vite me rradhë statusin e vendit kandidat.

Së pesti, Rama fliste përçart dje, pasi mori Raportin dhe rekomandimin për statusin, sepse ai ka prishur konsensusin dhe në vend të një mirënjohjeje për administratën që bëri reformat e statusit, voton sot ligjin me të cilin kalon në gijotinë këtë administratë, të cilën ai e trajton si armike. Rama është problemi madhor i vendit në rrugën e integrimit. sb"

berisha

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)